Tepelenë, 17-vjeçari vetëvritet në teqe
Një 17-vjeçar i ka dhënë fund jetës ditën e djeshme në Tepelenë, duke u vetëvrarë në një teqe. Me gjithë përpjekjet për ta ndaluar atë që të mos kryente këtë veprim, në një gjendje të rënduar psikologjike, i riu qëlloi veten me pistoletë. Sipas burimeve nga policia, viktima është A. J., lindur në Levan, Tepelenë dhe banues në Fier.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe grupi hetimor ka kryer veprimet e para, duke mbledhur prova dhe dëshmi për ngjarjen. Nga rindërtimi i skenës së krimit ka dalë se 17-vjeçari kishte udhëtuar ditën e djeshme që në mëngjes nga Fieri, ku edhe jetonte, duke mbërritur në mbrëmje në Teqenë e fshatit Levan, vend ku edhe ishte lindur.
Adoleshenti ka shkuar në Teqe, ku kujdestari i teqesë është përpjekur për ta ndaluar që të mos hynte, meqë ishte natë, por ai ka hyrë me forcë dhe brenda mjediseve të teqesë ka vrarë veten. Në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip “Beretë”, si dhe një gëzhojë. Policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e viktimës. Ata janë shprehur se i riu vuante prej disa vitesh nga çrregullime të forta psikike dhe duket se ky ka qenë dhe shkaku i vetëvrasjes. Megjithatë, materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.