E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas dy orë ndjekjeje me makinë, kapet me 2.6 kg kokainë



Po tentonte të transportonte drogën drejt kryeqytetit, por ka rënë në prangat e policisë pas një ndjekjeje prej dy orësh. Agjentët sekuestruan një sasi droge prej 2.6 kg kokainë, ndërsa arrestuan edhe 38-vjeçarin nga Kruja Eduart Çela. Sipas burimeve, punonjësit e Policisë Rrugore kanë parë që të lëvizte me shpejtësi nga Lezha në drejtim të Tiranës një makinë tip fuoristradë. Ata kanë bërë shenjë që shoferi të ndalonte, por 38-vjeçari në timon ka shtuar edhe më shumë shpejtësinë për t’iu larguar atyre.

Pas një ndjekjeje që zgjati më shumë se dy orë, Çela është ndaluar nga punonjësit e policisë në hyrje të kryeqytetit. Nga kontrolli i kryer në makinën e tij, është gjetur një lëndë e dyshuar si kokainë në sasinë e 2 kilogramëve e 624 gramë. Tridhjetetetëvjeçarit i janë vënë prangat, ndërsa ai është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të marrë masën e arrestit. Në fillim ka qenë një shenjë normale për të ndaluar nga ana e punonjësve të Policisë Rrugore të Lezhës. Por, veprimi i shoferit të një makine të markës “Kia” të tipit “Sportage”, i cili ka shtuar edhe më shumë shpejtësinë, ka bërë të dyshonin ata. Menjëherë i janë vënë pas, ndërkohë që fuoristrada me targa DR 9182 D ecte me shpejtësi të madhe në drejtim të kryeqytetit. Në alarm janë vënë edhe efektivat e policisë së Tiranës, të cilët kanë zënë pozicionet me makinat e tyre. Shoferi ecte me shpejtësi të madhe, ndërkohë që nga pas i ishin vënë makinat e policisë. Pas një ndjekjeje të vështirë, që zgjati për rreth dy orë, ndërsa makina ishte drejtuar drejt Tiranës, ajo ka ndaluar dhe 38-vjeçarit i janë vënë prangat. Punonjësit e policisë kishin bllokuar të gjitha rrugët në hyrje të kryeqytetit, duke e bërë të pamundur largimin e mëtejshëm të shoferit. Ai ka dalë nga makina dhe është dorëzuar pa bërë rezistencë, ndërkohë që efektivat kryen një kontroll brenda makinës. Në pjesën e pasme ata panë të fshehura 5 pako, ku brenda kishte një lëndë që dyshohej nga policët se ishte e llojit kokainë. Sasia e sekuestruar ishte 2 kg e 624 gramë. Sipas burimeve nga policia, vlera e drogës së kapur ishte rreth 250 mijë euro. Ndërkohë, nga agjentët u sekuestruan edhe tre aparate telefoni celular, shuma prej 36 000 lekësh dhe 900 eurosh si dhe makinën me të cilën transportohej droga. Drejtuesit të mjetit, Eduart Çelës, nga Kruja, i janë vënë prangat ndërkohë që ai është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit. Tridhjetetetëvjeçari akuzohet për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›