E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Pango të ballafaqohet me vajzën

Organi i akuzës do të thërrasë për të dëshmuar vajzën e videos, stafin që organizoi skenën dhe vetë ish-ministrin Pango


TIRANË- Ministri i shkarkuar, Ylli Pango, dhe gazetarja që arriti të realizojë videon e skandalit seksual do të kenë edhe një tjetër përplasje pas pak ditësh.

Të dy këta persona do të shkojnë në prokurori ku do të ballafaqohen deklarimet me pamjet filmike që i janë bërë prezente publikut.

Prokuroria ka regjistruar procedimin penal por nuk mund të kryejë veprime të tjera ndaj ish-Ministrit të Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, sepse ai ka imunitet deputeti.

Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët sqaruar se shumë shpejt pranë zyrave të Prokurorisë do të bëhet ballafaqimi i deklarimeve të protagonistëve të këtyre pamjeve.

Në këto pamje duket kërkesa e ish-ministrit Pango, për të përfituar favore intime nga punëkërkuesja.


"Pas sekuestrimit të të gjitha materialeve filmike dhe zanore të emisionit "Fiks-Fare", ku është regjistruar dhe filmuar ish-Ministri i Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, në kërkim të favoreve intime kundrejt vendit të punës, hetuesit e Prokurorisë së Përgjithshme kanë bërë zbardhjen (transkriptimet) e të gjitha bisedave të zhvilluara mes deputetit Pango dhe vajzave punëkërkuese.

Ndërkohë, po pranë këtij institucionit, janë emëruar pesë ekspertë audio-vizive për të verifikuar vërtetësinë e këtij materiali bruto që hetuesit kanë sekuestruar tek emisioni "Fiks-Fare".

Me zbardhjen e këtyre bisedave, është provuar se ish-ministri Pango ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një nga vajzat punëkërkuese në këmbim të vendit të punës për në dikasterin që ai drejtonte",- thuhet nga prokuroria.

Gjithashtu këto burime konfirmuan se në ditët në vazhdim, pritet të thirren në prokurori për t'u marrë në pyetje të gjithë personat që kanë punuar në realizimin e regjistrimit të kryer ndaj deputetit Pango.

"Fillimisht do të thirren për t'u marrë në pyetje në cilësinë e deklaruesve vajzat e përfshira në këtë skandal dhe më pas drejtuesit e emisionit "Fiks-Fare" për metodën e punës së tyre në rastet tjera dhe në rastin konkret ndaj ish-ministrit Ylli Pango.

Ndërkaq, pas marrjes së deklarimeve të këtyre vajzave, protagoniste të pamjeve filmike, do të ftohet me dëshirën e tij vetë ish-ministri Pango për të dhënë deklarime.

Ndaj tij, nuk mund të lëshohet në formë urdhri fletë-thirrja pasi mbrohet nga imuniteti parlamentar, por, do të ftohet nga ana e Prokurorisë, që me dëshirën e tij të vijë dhe të deklarojë versionin e këtij "skandali seksual",-thanë burimet.


Sipas akuzës, shkaku i marrjes në pyetje të vajzave dhe drejtuesve të emisionit "Fiks-Fare", është për të vërtetuar përmbajtjen e bisedave dhe pamjeve filmike të regjistruara nga veta ata.

Këto materiale filmike dhe zanore nuk përbëjnë në vetë prove materiale që mund të përdoret në gjykatë, pasi ato regjistrime janë bërë në kundërshtim të ligjit për marrjen e provës (pa autorizim të gjykatës).

Dëshmitë e vajzave dhe drejtuesve e organizatorëve të kësaj kamere të fshehtë, ku u denoncua skandali seksual me protagonist ish- ministrin Pango, do t'i bashkëngjiten fashikullit të hetimit dhe pas analizës së tyre do të përpilohen edhe akuzat konkrete ndaj deputetit, për të cilin mendohet të kërkohet edhe heqja e këtij imuniteti parlamentar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›