Lazarat, sekuestrohen 500 kg marijuanë dhe kapen dy persona
Policia e Shtetit ka sekuestruar 500 kg marijuanë e destinuar për në tregjet e shitjes së Italisë dhe Greqisë dhe ka vënë në pranga dy persona të cilët po transportonin drogën në Lazarat. Në prangat e uniformave blu ra Beqir Avduli dhe nipi i tij 27-vjeçar, Hasan Avduli. Forcat e policisë të qarkut të Gjirokastrës, pas bashkëpunimit me prokurorinë e Krimeve të Rënda ndërmorën operacionin policor “Darka jashtë”, ku arritën të godisnin këtë grup, si dhe të sekuestronin sasinë e madhe të drogës. Hetuesit kishin marrë informacion për aktivitetin e të dy të arrestuarve dhe ditën e djeshme kryen aksionin, ku i vunë ata në pranga dhe kryen edhe sekuestrimin e sasisë së madhe të drogës. Xhaxhai dhe nipi i tij janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.
Në orën 5:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, forcat e policisë kanë qenë në Lazarat ku dhe kanë kryer operacionin për sekuestrimin e drogës. Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë e qarkut kishte disa kohë që kishte nisur hetimet, ndërkohë që ditën e djeshme pas informacioneve të marra, kreu operacionin. Ndërsa ishin futur brenda në fshat, ata kanë parë lëvizjet e një furgoni me targa GJ 73 20 A. Pasi kanë dhënë shenjë për ta ndaluar, kanë nisur kontrollin brenda. Në pjesën e pasme të makinës kanë gjetur të fshehur një sasi të konsiderueshme droge, e dyshuar si kanabis sativa. Në makinë ishte 44-vjeçari Beqir Avduli dhe nipi i tij 27-vjeçari, Hasan Avduli. Menjëherë të dy personave u janë vënë prangat. Ndërkohë, forcat e policisë kanë kryer kontrolle dhe në banesat e dy personave të arrestuar. Në magazinën në pronësi të 44-vjeçarit, u gjetën edhe disa pako të tjera, të cilat dyshohen si kanabis sativa. Sipas burimeve të policisë, sasia e drogës e sekuestruar është rreth 500 kg. Dy personat e arrestuar janë shoqëruar për në qelitë e paraburgimit. Nga hetimet paraprake, dyshohet se droga e kapur kishte për destinacion tregun jashtë Shqipërisë. Ajo do të transportohej drejt kufirit grek, ku më pas do të përdorej për tregun vendas një pjesë, ndërsa pjesa tjetër drejt Italisë.
Hetuesit kishin marrë informacion për veprimtarinë e dy të arrestuarve, ndërsa ditën e djeshme kryen edhe arrestimin tyre. Të dy personat janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, ndërsa akuzohen për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.