Prokuroria: Autobusi i Aleancës Kuqezi, me defekt

Autobusi i rrëzuar i AK
Por ka pasur shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor edhe nga shoferi 43-vjeçar, Mit’hat Biçaku.
ELBASAN- Sipas ekspertëve të prokurorisë së Elbasanit, së pari ka qenë amortizimi i autobusit shkaku i aksidentit që pësoi autobusi me aleancistë kuqezi nga rrethi i Librazhdit 5 ditë më parë në Qafë Krrabë, ku mbetën të plagosur 29 aktivistë nga 35 që gjendeshin gjithsej. Në përfundim të akt-ekspertimit të gjendjes teknike të autobusit, ekspertët arritën në konkluzionin paraprak, se mjeti kishte sistem frenimi me probleme.
Nga hetimi është provuar edhe se drejtuesi i mjetit ka shkelur rregullat e qarkullimit në momentin e aksidentit. Grupi hetimor, pasi ka dokumentuar të gjitha provat, ka hedhur poshtë pretendimin se ky mjet ishte goditur nga një fuoristradë. Pak ditë më parë, Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurimit “burg pa afat” për shoferin 43-vjeçar, Mit’hat Biçaku, i cili ka dalë edhe ai shkaktar në aksidentin e aktivistëve të Aleancës Kuq e Zi. Aktualisht është i paraburgosur në Institutin e Ekzekutimit të Dënimeve Penale në Peqin dhe akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e disa shtetasve.
Pasi kalohen kthesat e Qafë-Krrabës në vendin e quajtur “Qershitë”, autobusi devijoi nga rruga, doli jashtë saj, duke u përmbysur e rrokullisur disa herë, duke rënë të paktën dhjetë metra poshtë rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan. Fatmirësisht nuk pati asnjë viktimë, ndërsa në spital u transportuan 29 nga 35 pasagjerët. Vetëm katër nga pasagjerët qëndruan tri ditë në spitalin kirurgjik të Elbasanit mes të cilëve edhe drejtuesi i autobusit. /.M.A./