I biri vret babanë gjatë sherrit në familje, dyshohet vrasje nga pakujdesia
Policia dhe prokuroria e kryeqytetit nisin hetimet për vdekjen e 43-vjeçarit Kujtim Muça, nga fshati Fag pranë Tiranës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e ditës së diel, në fshatin Fag të komunës Shëngjergj pranë Tiranës, ndërsa djali ka vrarë pa dashje të atin me çifte. L. Muça, vetëm 16 vjeç, ka qëlluar ndaj të atit Kujtim Muça 43 vjeç, me çifte, duke e lënë të vdekur në vend. Hetimet e para të bëra nga ekspertët e kriminalistikës kanë vërtetuar se vrasja është kryer në kushtet e pakujdesisë, ndërsa ky version është mbështetur dhe nga nëna e 16- vjeçarit dhe dy motrat e tij. Fillimisht, policia u njoftua se në familjen Muça kishte ndodhur një vetëvrasje. Më pas, policia duke bërë analizën e vendit të ngjarjes dhe pasi mori dëshmitë e para, arrestoi në flagrancë të birin 16-vjeçar të viktimës. “Specialistë të Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit, u arrit kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i shtetasit L.Muça 16 vjeç, banues në komunën Shëngjergj të Tiranës. Arrestimi i tij u krye sepse mbrëmë, rreth orës 19:30, pas një grindjeje brenda familjes, ai ka vrarë nga pakujdesia me një armë gjahu babanë e tij, shtetasin Kujtim Muça 43 vjeç, banues në fshatin Fag, lagjja Panec, komuna Shëngjergj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut teke e kalibrit 12 mm, me nr. 0185, së bashku me një gëzhojë, me të cilën është kryer krimi dhe të cilën e posedonte pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “vrasjes nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal”, njoftonte dje policia e kryeqytetit. Sakaq, nga hetimet paraprake rezulton se mbrëmjen e ditës së diel, familja ishte përfshirë nga sherre dhe debate shumë të ashpra. Sipas dëshmive edhe të gjitonëve, sherri ka zgjatur për shumë kohë brenda familjes Muça. Hetimet paraprake të policisë sugjerojnë se 16-vjeçari ka marrë çiften që i ati e mbante në shtëpi, për ta kanosur këtë të fundit që të ndalej dhe të ndërpriste debatet me anëtarët e tjerë të familjes. Por duket se në një moment pakujdesie dhe nga një reagim i papritur i babait të tij, 16- vjeçari mund të ketë shkrepur pa dashje dhe pa paramendim këmbëzën e çiftes. Ky version është mbështetur dhe nga e ëma e 16-vjeçarit dhe dy motrat e tij kur janë pyetur nga hetuesit e policisë. Megjithatë, hetuesit do të presin dhe një sërë analizash e ekspertimesh të tjera, për të dalë në një konkluzion të saktë lidhur me rrethanat në të cilat ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë. Me vrasjen nga pakujdesia të ndodhur ditën e diel shtohet dhe një tjetër rast i krimit në familje në Shqipëri, ndërsa që prej fillimit të vitit janë evidentuar mbi 15 precedentë të krimit në familje në disa qytete të vendit, ndërkohë që vetëm tri ditë më parë në Pogradec, në fshatin Vërdovë, babai ka vrarë të birin, kur pasditen e së premtes, Njazi Kromollari 72 vjeç, ka goditur me sëpatë për vdekje djalin 33-vjeçar, Kudret Kromollari. Dyshohet se goditja me sëpatë erdhi pas një konflikti mes babait dhe të birit në banesën e përbashkët. H.Hasani