E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria; Dokumenteve do t’u bëhet ekspertiza për të nxjerrë në pah abuzimin e trojeve

Prokuroria e Tiranës do të bëjë një ekspertizë përkatëse të dokumentacioneve të zonave, ku mendohet se është abuzuar me trojet në rrethinat e kryeqytetit. Lajmi në fjalë është bërë i ditur ditën e djeshme nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat pohuan se përmes kësaj procedure, grupi hetimor pritet të hedhë më tepër dritë për çështjen, që ka për objekt hetimi tjetërsimin e pronave për qëllime përfitimi. Hetimet për abuzimet me pronat në disa zona të Tiranës kanë nisur pak ditë më parë, pas një sërë kallëzimesh të depozituara në Prokurorinë e Tiranës nga qytetarë të ndryshëm, të cilët pretendojnë se me trojet e tyre po bëhen padrejtësi. Ngjarja në fjalë ka të bëjë me disa sipërfaqe tokash në komunat Farkë, Petrelë dhe Dajt, ku prokuroria po shqyrton dokumentacionin përkatës të tyre për të dalë në konkluzione përfundimtare për këtë çështje. Para një muaji, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet mbi tjetërsimin e disa pronave në Komunën e Kasharit, duke e çuar dosjen për shqyrtim me 11 persona të pandehur dhe mes tyre, edhe ish-drejtues të kësaj komune. Ndërkohë që prokuroria po heton abuzimet me pronat e Dajtit, Farkës dhe Petrelës, dosja “Kashari” vazhdon hapin e dytë të saj për të çuar në qeli persona të tjerë të përfshirë brenda “trafikut të trojeve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›