E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, emigranti shqiptar vret gruan e më pas veten

Ka bërë përpjekje për të shmangur atë që babai i saj po kërcënonte të bënte, por as fjalët e as telefonata në polici nuk i kanë ardhur në ndihmë. Vajza 18-vjeçare e familjes shqiptare Menxhiçi ka parë me sy vrasjen e së ëmës, ndërsa më pas se si babai i saj tërhiqte këmbëzën e armës ndaj vetes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në lagjen “North Washington Street”, në Janesville të SHBA-së, kur Rexhem Menxhiçi, 54 vjeç, ka qëlluar për vdekje me automatik bashkëshorten e tij, Shukrije Menxhiçin, 38 vjeçe. Më pas, në kushtet e një tronditjeje psikike për vdekjen e bashkëshortes, kryefamiljari ka qëlluar dhe ndaj vetes duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Vrasja e dyfishtë ka zënë kronikat e agjencive të lajmeve amerikane një ditë më parë, sipas të cilave, çifti shqiptar me pesë fëmijë është gjetur i vdekur në banesën e tij në lokalitetin Janesville, ndërkohë që policia paraprakisht dyshon për një vrasje të ndjekur nga një vetëflijim.

Lejtnant Tim Hiers, shef i policisë së Janesville, ka deklaruar pas ngjarjes se viktimat janë 54-vjeçari Menxhiçi dhe bashkëshortja e tij, që të dy me kombësi dhe shtetësi shqiptare, emigrantë nga Shqipëria me qëndrim të rregullt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në vitin 2000. Sipas të dhënave të shefit të policisë së Janesville, forcat e rendit janë nisur menjëherë për në vendngjarje pas telefonatës së vajzës adoleshente të çiftit shqiptar, por ka qenë tepër vonë, pasi në atë kohë kishte mbaruar gjithçka.

Pas kësaj, policia ka filluar hetimet për zbardhjen e motiveve të ngjarjes, duke marrë në pyetje fillimisht fëmijët e viktimave, si dhe të njohur të tjerë të Menxhiçive.

Deri më tani, motivet për krimin e dyfishtë janë ende të paqarta për autoritetet policore.

Ndërkohë, policia ka marrë nën kujdes paraprak fëmijët e çiftit të vdekur, të cilët ishin gjendur në shtëpi gjatë minutave të ngjarjes fatale. Katër prej fëmijëve, nga 9 deri 18 vjeç, gjendeshin në banesë kur ndodhi tragjedia, kurse djali i madh 20-vjeçar nuk gjendej në shtëpi. Sipas të dhënave të policisë amerikane për mediat vendase, mësohet se vajza e madhe e familjes Menxhiçi, 18-vjeçare, madje kishte bërë përpjekje të shmangte tragjedinë që pikasi se po ndodhte në dhomën e prindërve të saj. Adoleshentja thirri numrin 911 për të kërkuar ndihmën e policisë. “Nga hetimi dhe dëshmitë e mbledhura arritëm në përfundimin se Rexhepi ka ekzekutuar gruan e tij dhe pak çaste më vonë ka bërë vetëflijim”, - deklaroi lejtnant Tim Hiers.

Ndërkaq, fqinjët janë shprehur të habitur për këtë ngjarje. Sipas tyre, familja Menxhiçi, dy prindërit dhe pesë fëmijët, kishte rreth tetë vjet që jetonte pranë tyre dhe shiheshin si një familje e lumtur dhe plot harmoni. Kryefamiljari Rexhepi punonte në një servis automjetesh, ku rregullonte makina të vjetra dhe më pas i shiste, ndërsa gruaja bënte punë të ndryshme.

Shifra

5 fëmijë, nga mosha 9 deri 20 vjeç, kishte familja shqiptare Menxhiçi në SHBA

2000 ishte viti që ka emigruar në Amerikë Rexhep dhe Shukrie Menxhiçi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›