E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flet Edi Rama - “Unë, kryeministër dhe kryetar bashkie”

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist, Edi Rama, tha dje se do të mbajë postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe do të jetë njëkohësisht dhe Kryeministër i vendit. Dje në mëngjes, para mbledhjes së Asamblesë Socialiste, kryetari socialist dhe njëkohësisht Kryebashkiaku i Tiranës, kishte ftuar gazetarët që mbulojnë nga afër selinë rozë në një mëngjes pune me ta. Me këtë rast, në prani të kamerave, kryetari socialist u mundua të japë dhe një mesazh për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendet e tjera. Ai u bëri atyre apel që në pamundësi që të jenë në Shqipëri më 28 qershor për të votuar, të ndikonin në familjet e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Rama e vlerësoi shumë kontributin e tyre, duke sqaruar se në zgjedhjet e ardhshme, emigrantët do të kenë të drejta të plota të votojnë në vendet e tyre ku jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë. Pas këtij mesazhi, kreu socialist preferoi të shkëmbente mendime dhe të priste edhe kritika nga ana e përfaqësuesve të medias, për performancën e opozitës në këtë sezon pragzgjedhjesh. Të ulur në lulishten e Hotel “Sheraton”, nën rrezet e diellit të mëngjesit, biseda mes Ramës dhe gazetarëve, nën shoqërinë e një filxhani kafeje, rrëzoi kornizat formale dhe të gjithë jepnin mendime dhe kërkonin përgjigje për shumë pikëpyetje, që debati politik ka shtruar në këtë periudhë. Në qendër të diskutimeve ishin listat e kandidatëve për deputetë, për të cilat kanë nisur konsultimet. Rama u kërkoi gazetarëve të bëjnë durim edhe një javë për të mësuar listat zyrtare të miratuara nga forumet e PS-së. Të njëjtën përgjigje, Rama dha edhe për interesimin e gazetarëve nëse ai do të kandidojë për deputet apo jo. Nisur nga disa deklarata të Kryeministrit Berisha, rreth përballjes së Ramës me të në listat e Tiranës, Rama me ose pa dashje zbuloi një nga projektet e tij në këto zgjedhje. Duke hedhur poshtë komentet e Berishës “për ngurrim në këtë përballje”, ai tha se “nuk dua të prish kontratën me qytetarët e Tiranës”. “Opozita është alternativë ku qytetarët duhet të zgjedhin përmes pozitës dhe ofertës politike që sjell opozita. Ne garojmë për të qeverisur vendin, unë jam në garë bashkë me ekipin për t’u bërë Kryeministër dhe të qeveris vendin. Por unë nuk do të shkel kontratën me qytetarët e Tiranës. Unë do t’u bëj të ditur qytetarëve që kontrata ime me ta do të vazhdojë deri në fund të saj, duke u përpjekur që si Kryetar Bashkie dhe Kryeministër ta bëjmë Tiranën dhe Shqipërinë shumë herë më të mirë se ç’e kemi sot. Ky shembull ekstraparlamentar aplikohet dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh dje Rama në shpjegim të strategjisë së tij për të qeverisur bashkinë dhe qeverinë pas 28 qershorit, nëse e majta fiton zgjedhjet. I pyetur vazhdimisht në emisionet televizive rreth kandidimit të tij për deputet, Rama ka pasur një përgjigje standarde: “Vendimi do të merret në kohën e duhur!” Me deklaratën e djeshme të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duket se ky moment ka ardhur, duke shprehur qartë se sipas kushtetutës, Edi Rama nuk do të japë dorëheqjen nga kreu i bashkisë për të kandiduar për deputet, por do të jetë një Kryeministër ekstraparlamentar, duke çuar deri në fund mandatin e tij si Kryebashkiak. Edhe pse biseda ishte krejtësisht informale, nuk janë të pakta rastet kur në të tilla takime me gazetarë, hidhen teza dhe projekte për t’u bërë të njohura nga publiku më mirë se në konferenca shtypi apo qëndrime zyrtare.

Kushtetuta

Neni 69
 
1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
a)   gjyqtarët, prokurorët;
b)   ushtarakët e shërbimit aktiv;
c)   punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
ç)   përfaqësuesit diplomatikë;
d)   kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
e)   Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.

2.   Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›