Lëvizje djathtas
Skënder Minxhozi
Ish-presidenti Moisiu e kishte për zemër të përmendte në biseda me gazetarë faktin se politika shqiptare ka nevojë për sistemin e katër kullave. Me këtë, ish-kreu i shtetit kuptonte asokohe konsolidimin e dy partive politike të reja në çdo krah, si kundërpeshë e forcave politike tradicionale. Kjo formulë, korrekte dhe balancuese, të paktën në letër, gjendet sot e zbatuar vetëm në gjysmën e parë të ...saj. Kemi një të majtë e cila ndahet (ndonëse jo në raporte të barabarta), mes dy pjesësh kryesore, që paraqiten si alternativa të veçuara edhe në këto zgjedhje.
Djathtas po shohim një tentativë për të artikuluar një projekt politik dhe për të afishuar një panel figurash që do të kërkojnë të bindin votuesit për të zgjedhur jo kutinë me siglën “PDSH”, por diçka tjetër në fletën e votimit. Kjo diçka tjetër ka sot emrin Poli i Lirisë, apo Partia Ligj dhe Drejtësi. Që në këtë pikë, pra në ndarjen më dysh të kësaj nisme të re politike, mund të thuhet se lind një handikap që do ta shoqërojë të djathtën alternative deri ditën e zgjedhjeve. Veçimi i Spartak Ngjelës nga projekti fillestar i Polit, për arsye të brendshme personale apo edhe numerike, bën që ky grupim të hedhë një hap të parë fals drejt zgjedhjeve, ashtu siç përbën një investim aderimi në të i ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, shumë vjet pas daljes nga politika aktive.
Këto peripeci të fillimit vetëm i shtohen “manualit” të sfidës, e cila ka formën e ngjitjes në një sipërfaqe të pjerrët pa asnjë mjet ndihmës. Kjo, sepse e djathta alternative e Berishës vijon të mbetet në vetvete një mirazh, më shumë sesa një realitet i prekshëm. Për vite me radhë, qysh nga kohët e largëta të mocionistëve, ka dominuar ideja se kushdo që përplaset brenda llojit me Berishën, është i destinuar të pësojë dhe të tkurret nga hija e tij e rëndë. Kjo situatë nuk është rezultati i një dite, i një jave apo i një viti. Ajo është produkti i një (keq)rregullimi të brendshëm djathtas spektrit tonë politik qysh herët, atëherë kur shtresa të tëra votuesish dhe simpatizantësh u kapën fillimisht në raporte idealizmi e më vonë në marrëdhënie interesash apo edhe komoditeti elektoral, pas qerres së partisë më të madhe të këtij krahu, Partisë Demokratike. Sa më vonë në kohë të kërkosh të thyesh këtë monopol politik të stazhionuar në kohë dhe aktualisht të betonizuar edhe nga katër vjet qenie në krye të shtetit, aq më e vështirë e komplekse është vetë sfida. Nga ana tjetër, e djathta ka përjetuar gjatë viteve të fundit një fluks absurd rikthimesh të disa figurave, të cilat pasi e shanë me çfarë u erdhi në gojë Berishën, pranuan të hynë nga dera e pasme e partisë së tij, duke shkelur me këmbë atë çfarë thanë dhe bënë për 15 vjet rresht.
Megjithatë kjo s‘do të thotë asesi se e djathta zyrtare e Berishës, është e djathta më e mirë e mundshme. E kundërta është e vërtetë. Që nga paneli i Shehit, Meksit e Ndokës, e deri tek impulsiviteti i pashterrshëm i Ngjelës, që nga brenga e pazgjidhur e ish-pronarëve, tek ish të përndjekurit që s‘po kuptojnë më asgjë nga kjo qeverisje e mbërthyer nga klientelizmi dhe injoranca, populli i së djathtës pret që të mund të zgjedhë. Ndoshta ashtu siç bëjnë të tjerët majtas, ku ajo që rëndom quhet “përçarje” mundet fare mirë të shihet njëherësh edhe si pluralizëm dhe mundësi përzgjedhjeje. Historia njëzetvjeçare e të djathtës shqiptare, ka formën e një toke të madhe të djegur, me kolltukun e Sali Berishës në mes të hiçit.
Por në 28 qershor do të duhen vota, jo fjalë. Dhe votat do i merren PD-së kryesisht. Pra shtetit, e jo një shteti dosido, por një mekanizmi dhune që e ka provuar edhe në të shkuarën se tundohet shumë që të fusë duart në një kuti votimi, sapo i del përpara një e tillë. Poli i Lirisë dhe Partia Ligj dhe Drejtësi, si prurjet e reja të djathta në këtë fushatë kanë detyrën e vështirë që pesimizmin endemik që rrethon Berishën dhe modelin e të tij të djathtë, ta kthejnë në fluks votash dhe mbështetje konkrete. Në parim një e djathtë zyrtare si kjo, ku bashkëjetojnë fajtorët e Gërdecit dhe ish-ministrat e Nanos, është e lehtë për t’u atakuar. Megjithatë historia politike ka provuar se në praktikë me Berishën ka qenë gjithnjë më e vështirë sesa në laborator.