E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta firmos marrëveshjen me 6 parti

 

LSI shpalli dje zyrtarisht Koalicionin “Aleanca Socialiste për Integrim”. Në koalicionin që drejtohet nga LSI, bëjnë pjesë edhe pesë parti të tjera, që janë PSV’91, Partia e Gjelbër e Shqipërisë, Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve dhe Partia Toleranca e Re, që mbron të drejtat e komunitetit rom dhe atij egjiptian. Ky koalicion shumë shpejt do të regjistrohet pranë KQZ, sipas procedurave ligjore. Kreu i LSI-së u shpreh se do të jetë ky koalicion, që mbi bazën e vlerave që mbron do të realizojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Eshtë një Koalicion që përbëhet kryesisht nga forca politike të reja, të krijuara në Shqipëri gjatë katër viteve të fundit si një reagim jo vetëm kundërshtues ndaj politikës së vjetër, por njëkohësisht si një propozim, si një zgjidhje por edhe si një zgjedhje e re për shqiptarët, pasi është një koalicion që bazohet mbi vlera shumë të rëndësishme, mbi vlerat e ruajtjes, mbrojtjes, forcimit dhe pavarësisë së institucioneve në këtë vend, dhe është një koalicion që bazohet fort mbi vlerat dhe të drejtat e njeriut që deri tani janë respektuar për fat të keq vetëm në letër në këtë vend”, tha Meta. Kreu i PSV 91, Petro Koçi shprehu bindjen se përfaqësimi në dy koalicione të majta në këtë fushatë elektorale është një zgjedhje e mençur dhe fituese. “Dua të garantoj se Aleanca e re Socialiste për Integrim do të jetë një aleancë fituese që do të përfaqësojë, jo vetëm në fushatë por dhe pastaj në bashkëqeverisjen e vendit vlera të vërteta programore, por dhe qeverisëse”, tha Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›