Pogradec, nëna braktis foshnjën në maternitet
Nëna braktis foshnjën në maternitet. Ka qenë një 27-vjeçare që është shtruar në spitalin e gruas në qytetin e Pogradecit, e cila pasi ka sjellë në jetë një foshnjë të seksit mashkull, e ka braktisur atë. Sipas policisë, mungesa e nënës së re në moshë është konstatuar dje në orën 09:30. Ajo kishte dhënë gjeneralitetet me identitetin, moshën dhe vendbanimin në lagjen 3 të qytetit. Sipas të dhënave nga ana e policisë, emri me të cilin ajo ishte regjistruar ka qenë Alma Spaho, por mendohet se vajza 27-vjeçare mund të ketë dhënë një identitet të rremë. Nëna e re në moshë, edhe pse nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim para mjekëve që mund të çonte në dyshime ndaj saj për braktisjen e mëvonshme të foshnjës së sapolindur, duket se e ka marrë këtë vendim në momentin e fundit. Ajo ka përfituar nga momenti kur infermierja ka dalë nga dhoma pas vizitës për t‘u larguar fshehurazi nga materniteti. Kanë qenë vetë mjekët që kanë konstatuar mungesën e saj në dhomë, por edhe pse kanë pritur për disa orë, vajza nuk është dukur më. Kjo i ka detyruar bluzat e bardha të maternitetit të njoftojnë policinë, e cila ka shkuar menjëherë në maternitet. Nga ana e uniformave blu kanë nisur edhe hetimet për këtë rast, por ende nuk dihen arsyet që e kanë detyruar nënën e re të braktisë foshnjën e saj. Sipas bluzave të bardha, 27-vjeçarja nuk ishte shprehur për një shtatzëni të padëshiruar, ndërkohë që foshnja është mbajtur nën trajtimin e mjekëve, të cilët deklarojnë se është në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas policisë, 27-vjeçarja me emrin Alma Spaho kishte deklaruar se ishte e martuar, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të ketë pasur një lidhje jashtëmartesore. Policia nuk ka mundur ta gjejë nënën e foshnjës, pavarësisht nga adresa dhe identiteti i saj. Kjo shtetase, sipas mjekëve, ka kryer lindje normale, por pas lindjes e ka braktisur fëmijën e saj dhe është larguar nga materniteti pa u vënë re nga ana e personelit mjekësor. Ndaj nënës 27-vjeçare ka nisur procedimi penal për braktisje të fëmijës së mitur.