E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, kapet vëllai i të arrestuarit tentoi të fuste kokainë në burgun 302

• TIRANE – Një person u arrestua në flagrancë, pasi tentoi të hynte në burgun 302 në Tiranë me 2 gramë kokainë të cilat do t‘ia çonte vëllait të arrestuar pak javë më parë në kryeqytet.Klevis Mezini, 36 vjeç, ra në pranga me akuzën e futjes së lëndëve narkotike në ambientet e paraburgimit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ai është arrestuar nga regjimi i brendshëm i policisë së burgut 302, kur po tentonte të fuste në qelinë e të vëllait, një sasi prej afërsisht 2 gramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë. Gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer në ambientet e burgut 302 para se 36-vjeçari të hynte në takim me vëllain, policia ka gjetur në rrip një copë të vogël letre alumini. Letra ishte fshehur në pjesën e poshtme të rripit. Policia zbuloi, se i arrestuari e kishte destinuar drogën për tek vëllai i tij Armand Mezini. Pas kontrollit fizik ndaj 36-vjeçarit, është zbuluar se në letrën e aluminit gjendej një lëndë e bardhë e dyshuar si drogë. Policët e regjimit të brendshëm kanë lajmëruar policinë e Tiranës. Pas mbërritjes së oficerëve të drogës në vendin e ngjarjes, është mësuar nga administrata e burgjeve se Klevis Mezini, kishte tentuar t’ia dërgonte drogën të vëllait të tij, Armand Mezini. Ky i fundit, është arrestuar nga policia e komisariatit nr.3, më 22 nëntor të këtij viti, në afërsi të pub  “ZIPPO”, tek Stacioni i Trenit në kryeqytet. Në momentin e arrestimit ai ndodhej në shoqërinë e shoqes të tij dhe Bruno Marës, 27 vjeç. Policia kishte ndaluar Mezinin dhe Marën, pasi në mjetin me të cilin ata lëviznin një BMW X5, u gjetën dy armë pa leje. Uniformat blu shoqëruan në komisariat dy djemtë, ndërsa vajza u gjykua të zbritej në vend dhe të mos shoqërohej në polici. Pas hetimit paraprak policia vendosi të arrestonte vetëm Armand Mezinin, pasi ai mori përsipër përgjegjësinë e mbajtjes së armëve. Katër javë pas arrestimit të Armand Mezinit, vëllai i tij, po mundohej t’i dërgonte një dozë kokaine, por është kapur nga shërbimi i regjimit të brendshëm të burgut 302. Sipas burimeve të policisë, ai ishte personi i parafundit i programuar për takim gjatë ditës së hënë në paraburgimin 302, në kryeqytet. Ai duhej të takohej me vëllain e tij, ndërsa policia dyshon, se pikërisht gjatë takimit do të bëhej edhe dorëzimi i dozës së kokainës.   d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›