E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB: Shqipëria në top-listën e prodhimit dhe trafikimit të drogave

Raporti i Bordit Kontrollues të Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve veçon Shqipërinë si pikë kyçe në hartën e trafikimit të kokainës. Sa i takon kanabisit, Shqipëria hyn te prodhuesit kryesorë. Raporti evidenton gjithashtu laboratorë të përpunimit të drogave.

Shqipëria është pjesë e top-listës së vendeve prodhuese të canabis sativas. Ky është përfundimi i Raportit të Bordit Kontrollues të Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve, një organizëm i OKB-së. “Shumica e canabis sativas që konsumohet në Europën Qendrore dhe Lindore, prodhohet në Shqipëri, Bullgari, Mal të Zi, Moldavi, Serbi, Maqedoni dhe Ukrainë”, thuhet në raport. Raporti liston gjithashtu edhe Holandën “dhe vende të tjera të Europës Perëndimore” si prodhuese dhe konsumatore të canabisit. Shqipëria kryeson edhe në listën e vendeve ku opiumi dhe derivatet e tij tregtohen në mënyrë të paligjshme. Sipas raportit të OKB-së, ka patur rritje të përdoruesve të opiumit, veçanërisht në vende si “Shqipëria Bjellorusia, Kroaci, Moldavia dhe vendet e Ballkanit”. Raporti veçon Rusinë si vendin me numrin më të madh të përdoruesve të opiumit. Sa i takon heroinës, raporti thekson se shumica e saj e ka origjinë në Afganistan dhe vjen në Europë përmes Ballkanit, duke filluar në Turqi e më pas drejt Bullgarisë ose Turqisë për në Serbi ose Shqipëri.

Raporti citon edhe Europlin, sipas të cilit numri i shtetasve nga vendet e Ballkanit të përfshirë në trafikimin e kokainës është rritur gjatë viteve të fundit. “Shqipëria përveç rolit historik në trafikimin e heroinës nëpër Ballkan, është përdorur edhe si zonë magazinimi për ngarkesa kakaine. Përfshirja e gjerë e grupeve të krimit të organizuar mund të jetë tregues i asaj se infrastruktura e ngritur ndërkohë në Ballkan për trafikimin e kanabisit dhe opiumeve (veçanërisht heroinës) po përdoren aktualisht për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës”.

Në pikën 745 të tij raporti thekson se kokaina mbetet (pas kanabisit) droga e dytë më e përdorur në Europë, megjithëse nivelet ndryshojnë nga vendi në vend. Frekuenca e përdorimit të kokainës ka pësuar rritje në vitet e fundit në Shqipëri, Qipro, Republikën Çeke, Danimarkë dhe Norvegji. Përqindja e përdorimit në Itali dhe Spanjë nuk ka pësuar luhatje në vite e fundit, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ka pësuar ulje. Shqipëria futet edhe në listën e vendeve në të cilat janë ngritur edhe laboratorë të përzierjes së drogave të ndryshme. Sipas një analize të Europlit, të cituar në raport, “janë identifikuar teknika inovative të trafikimit të kokainës, si për shembull përzierja e kokainës bazë me hidroklorid dhe materiale të tjera, si dyllë bletësh, plastikë dhe rroba. Më pas bëhej ndarja e kokainës nga materilet e tjera në laboratorë specialë brenda kufijve të BE-së”. Më tej raporti përmend se në këto shtete të BE-së janë zbuluar 40 laboratorë të tillë, prania e të cilëve është raportuar edhe në Shqipëri e Moldavi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›