E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli “vulos” heqjen e sekuestros mbi pronat e Fazliçit

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Dosja “Fazliç”

Gjykata e Apelit ka liruar përfundimisht pronat e biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazliç në vendin tonë. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e gjyqtarit Dritan Broci për heqjen e urdhërsekuestros nga tetë kompanitë, dy pronat në Durrës, llogaritë bankare dhe dokumenteve të biznesmenit të akuzuar për pastrim parash. Gjykata e Apelit ka dhënë një vendim të formës së prerë duke i dhënë një goditje tepër të rëndë organit të akuzës për ecurinë e hetimeve. Në këtë mënyrë Fazliçi po tenton që t i shpëtojë përgjithmonë drejtësisë shqiptare, pasi vetëm pak ditë më parë ai ka depozituar në gjykatë një tjetër kërkesë për pavlefshmërinë e zgjatjeve të afateve hetimore. Prokuroria kërkoi që gjykata të mos lironte pronat e serbo-bosnjkaut, pasi ato përbënin një rëndësi të veçantë për vazhdimin e hetimeve. Por në fund të vitit të kaluar, gjykata vendosi lirimin e pronave. Organi i akuzës e apeloi këtë vendim në Gjykatën e Apelit, por edhe këtë herë ka marrë një goditje të fortë.
Vendimi
Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për heqjen e sekuestrove për pronat e biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazliç. Kërkesa e Prokurorisë për të hedhur poshtë vendimin e Gjykatës së Tiranës, është marrë në shqyrtim nga një trup gjykues i përbërë nga Zeqine Sollaku, Alaudin Male dhe Fatos Qato. Pas shqyrtimit të fakteve, ata kanë vendosur përfundimisht rrëzimin e kërkesës së akuzës. Pas kësaj, Prokuroria pritet ta ankimoje vendimin në Gjykatën e Lartë. Trupi gjykues pranë Gjykatës së Apelit nuk e argumentoi vendimin duke e lënë atë për t u shpallur vetëm tri javë më pas. Hetimet ndaj Fazliçit nisën më 8 tetor 2008, pas dyshimeve për pastrim parash në Shqipëri. Menjëherë Prokuroria vendosi sekuestron mbi të gjitha pasuritë e biznesmenit, por me një vendim të saj Gjykata e Tiranës vendosi më 30 dhjetor të vitit të kaluar heqjen e sekuestrove.
Hetimet
Nëpërmjet letërporosive dërguar në Angli, Kroaci, Bosnje dhe Zvicër nga Prokuroria u kërkua informacion për veprimtarinë dhe llogaritë bankare të Fazliçit. Vonesa e zbatimit të këtyre letërporosive bëri që Prokuroria të firmosë dhe për një muaj zgjatjen e afateve të hetimit, vendim i cili kundërshtohet tashmë nga avokatët e të akuzuarit. Prokuroria kërkon nga autoritetet qipriote një përgjigje në lidhje me statusin e kompanisë “Altaria Reaserch Limited”, pasi kjo është kompania që bleu kompaninë fiktive “Croun Acquistion” për 1.7 milion euro. Gjithashtu, Prokuroria kërkon të dhëna për bizneset e boshnjakut edhe në Angli, Bosnje dhe Zvicër. E vetmja letërporosi që ka mbërritur është ajo e dërguar në Bosnje. Organi i akuzës tregohet tepër i rezervuar në dhënien e detajeve për përgjigjet e dërguara nga autoritetet e Bosnjes.

Padia për zgjatjen e hetimeve
Për t i përfunduar njëherë e përgjithmonë problemet me drejtësinë shqiptare, serbo-boshnjaku ka paditur për herë të dytë organin e akuzës. Këtë herë Fazliçi kundërshton zgjatjen e afateve hetimore. Sipas avokatëve të tij mbrojtës, zgjatja e afateve është e jashtëligjshme, pasi afatet hetimore kanë përfunduar. Pas hedhjes së shortit elektronik në Gjykatën e Tiranës, kjo çështje i ra për të shqyrtuar gjyqtarit Gjin Gjoni. Seanca e parë është përcaktuar në datën 4 maj, vetëm katër ditë para përfundimit të hetimeve, pasi edhe afati përfundimtar i hetimeve pas zgjatjes njëmujore, është data tetë maj. Sipas palës mbrojtëse, zgjatja e afateve është e jashtëligjshme dhe për këtë i është drejtuar me një kërkesë gjykatës, duke ndjekur të njëjtën metodë si Lulzim Basha. Ndërkohë nga ana tjetër, organi i akuzës bën me dije se zgjatja e hetimeve është e ligjshme, pasi hetimet nuk kanë përfunduar ende dhe zgjatja u bë për shkak të pritjes së letërporosive nga Qiproja dhe Anglia.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›