E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humb jetën punëtori, shoqërohet pronari

Autori i Lajmit: red.
Mungesa e kushteve të sigurisë në punë i ka kushtuar jetën një 44-vjeçari. Goditja e një pllake mermeri ka qenë fatale për punëtorin, që punonte për ndërtimin e një pallati në qytetin e Durrësit. Ndërkohë vetëm pak orë pas ngjarjes është shoqëruar në polici pronari i godinës ku po punonte viktima. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një pallat në ndërtim, ku i ndjeri Fatmir Ymeri punonte si punëtor krahu. Bëhet e ditur nga burimet paraprake në vendngjarje se punëtori ka mbetur i vdekur, pasi është goditur nga një pllakë mermeri në punë e sipër. Burime nga policia bënë të ditur se i ndjeri po merrej me rregullimin e një objekti, kur një pllakë mermeri është shkëputur nga lartësia e objektit duke i rënë mbi kokë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se viktima është transportuar menjëherë për në urgjencën e Spitalit të Durrësit, por mjekët atje thanë se 44-vjeçari Ymeri ka ndërruar jetë vetëm pak minuta pasi ka mbërritur në urgjencë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se dyshimet e para të policisë bien mbi faktin se viktima nuk kishte një mjet mbrojtës në kokë, kaskë, çka solli vdekjen, ndaj hetimet po përqendrohen në akuzën paraprake të mungesës së kushteve teknike.
Ky lajm është publikuar: 21/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›