Buxheti, shkurtime në diplomaci dhe në qeratë e ambasadave
Tiranë- Reduktimi i buxhetit të vitit 2011, sipas projektit të paraqitur nga Ministria e Financave mund të shkaktojë shkurtime në personelin e institucioneve. Një nga dikasteret që rrezikohet është Ministria e Jashtme, edhe pse në total parashikohet të ketë vetëm 100 milionë lekë më pak, sesa ishte parashikuar në momentin e miratimit të Buxhetit të Shtetit dhjetorin e shkuar. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu ka paralajmëruar shkurtime në personelin e ambasadave tona jashtë shtetit, pasi nuk mjaftojnë fondet për t’i mbajtur në detyrat e caktuara. Turdiu e ka ngritur këtë shqetësim në Komisionin e Politikës së Jashtme, ku dhe u diskutuan amendimet e propozuara nga Ministria e Financave në buxhetin e vitit 2011.
Diskutime për buxhetin
Komisioni i Politikës së Jashtme ka nisur dje shqyrtimin e projektligjit për disa ndryshime në Buxhetin e Shtetit të vitit 2011. Natyrisht, ajo që i ka interesuar këtij komisioni, ka qënë pikërisht amendimi i zërave të buxhetit që prektin direkt Ministrinë e Jashtme. Duke prezantuar ndryshimet e propozuara në Buxhet, përfaqësuesi i Ministrisë së Financave ka theksuar se Ministria e Jashtme përbën një nga rastet, ku shkurtimet kanë qenë më të pakta se në shumicën e institucioneve të tjera. Duke parë masën e shkurtimit që propozohet për këtë institucion, është vetëm 4.6 për qind nga 14 përqind që është mesatarja e shkurtimeve në përgjithësi, Financat kanë deklaruar se kjo ministri duhet të jetë e kënaqur. Ky qëndrim është vlerësuar fillimisht nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, i cili ka pranuar se nga 300 milionë lekë që u propozua fillimisht për shkurtime në këtë institucion, falë negocimit kjo shifër ra në 100 milionë. Megjithatëm, kjo nuk ka penguar Turdiun të evidentojë një shqetësim që ka shoqëruar këtë ndryshim në buxhet, e që ka të bëjë me shërbimin e jashtëm. Më konkretisht, ai ka shënjestruar shkurtimet që i bëhet zërit 602 të buxhetit dhe që ka të bëjë me mallrat dhe shpenzimet, të cilat sipas tij prekin në mënyrë direkte përfaqësitë diplomatike tonat jashtë vendit. “Të gjitha shpenzimet në përfaqësi dalin nga fondi 602, ku në fakt përfshihet dhe fondi i pagave të personelit. Kështu që shkurtimi i zërit 602 na vendos në një situatë rishikimi për mënyrën se si do të përballohen shpenzimet për pagat në përfaqësitë tona ”, - tha Turdiu. Duke mbetur tek ky shqetësim, ai bëri të ditur se një efekt tjetër negativ që kërkon zgjidhje është dhe fakti se nga ky zë varen dhe pagesa e qerave të godinave, ku janë vendosur këto përfaqësi, të cilat tashmë janë kontraktuar dhe që duhet të paguhen. “Po ashtu nga 602 dalin dhe shpenzimet për zyrat që kemi atje, psh qera, të cilat janë detyrime kontraktuale që ne detyrohemi t’i paguajmë”, - tha më tej Turdiu. Ai ka paralajmëruar Komisionin se në rast se nuk i jepet zgjidhje këtij problemi, atëherë Ministria do të detyrohet që të bëjë shkurtime të personelit të këtyre përfaqësive, megjithëse edhe kjo sipas tij, nuk do të ishte zgjidhje. “Çdo masë që ne mund të marrim në shkurtime në personel, nëse do të ishte e nevojshme, efektin do ta ketë vitin që vjen, sepse ne detyrohemi të paguajmë një kontratë që ndërpritet me minimumi 3 muaj njoftim paraprak”, - tha Turdiu.
Ministria
E gjendur para një situate të tillë, Ministria e Financave ka kërkuar nga Ministria e Jashtme që të bëjë rialokime fondesh brenda buxhetit të saj, në mënyrë që të financohet shërbimi i jashtëm. Por sipas Turdiut, kjo nuk do të ishte zgjidhje, pasi kjo ministri shpenzimet i ka fikse, ndërkohë që investimet i ka fare modeste. Në përfundim të diskutimit në Komisionin e Jashtëm, falë edhe qëndrimit pozitiv të anëtarëve të Komisionit, përfaqsuesi i Ministrisë së Financave ka rënë dakort që të rishohë shkurtimet e propozuara për këtë ministri, në mënyrë që problemi të mund të zgjidhet. “Nëse komisioni gjykon se mund të ketë ndonjë hapësirë për ta rishikuar për ta ulur më tej shkurtimin, ne do ta bëjmë”, - u shpreh përfaqësuesi i Ministrisë së Financave