Parlamenti i ri " Piramida" kalon në pronësi të kuvendit, ja drafti i plotë
Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, e njohur ndryshe si “Piramida”, do të kalojë nga Ministria e Kulturës në inventarin e pronave të Kuvendit të Shqipërisë. Projektligji i qeverisë për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar i ka dhënë zgjidhje përfundimtare edhe çështjes së pronësisë së godinës. Transferimi i administrimit të pronës do të bëhet në përputhje me ligjin “Për pronat e paluajtshme të shtetit”. Në relacionin e projektligjit, që do të shqyrtohet në Kuvend, thuhet se edhe pse shteti shqiptar do të festojë 100-vjetorin e themelimit të tij, Shqipërisë i mungon një godinë e Parlamentit, e parametrave të arkitekturës dhe të funksionalitetit, e denjë për një vend të NATO-s dhe aspirant për anëtar të Bashkimit Europian. “Ashtu siç parashikohet në vendimin nr.66, datë 21.10.2010 “Për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar” të Kuvendit, ky ndërtim do të bëhet në vendin ku ndodhet sot Qendra Ndërkombëtare e Kulturës ‘Pjetër Arbnori’ në Tiranë. Destinacioni i ndryshuar i sheshit dhe procedura që do të ndiqet për ndërtimin e kompleksit të ri Parlamentar përcaktohen me ligj të veçantë”, vijon relacioni. Projektligji që propozohet për miratim është përmbushja e detyrimit për përcaktimin e rregullave dhe procedurave, përgjegjësive dhe afateve për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, me këtë ligj të posaçëm. Qëllimi i aktit është të sigurojë që autoritetet kombëtare dhe shtetërore përgjegjëse të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre dhe të garantohet kryerja e veprimeve të duhura për plotësimin e procedurave të nevojshme, për realizimin e ndërtimit të kompleksit parlamentar. Projektligji, me rregullat, procedurat, përgjegjësitë dhe afatet që vendos, e shtrin veprimin e tij vetëm për ndërtimin e kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë. Sakaq, ndërtimi i kompleksit do të bazohet në rregullat dhe procedurat që vendos ky ligj dhe në rregullat e procedurat e legjislacionit në fuqi. Një prej objektivave të nismës ligjore është ndërtimi i kompleksit brenda një afati të përshtatshëm. Për këtë arsye, procedurat e parashikuara janë në përputhje me rëndësinë e veçantë të këtij objekti. Parashikohet që Kuvendi të lidhë një kontratë, me studion e projektit fitues të konkursit ndërkombëtar të idesë për ndërtimin e kompleksit edhe për hartimin e projektit të zbatimit në të gjitha fazat e tij. Nisur nga fakti se ndërtimi i kompleksit parlamentar përbën në vetvete ndërtimin e një objekti të një rëndësie të veçantë kombëtare, në të cilën do të ushtrojë funksionon kushtetues, Kuvendi si institucioni më i lartë që përfaqëson popullin, procedurat e nevojshme paraprake dhe të mëtejshme për ndërtimin e tij i drejtohen institucioneve të administratës qendrore. Një argumentim ky që relacioni i bën arsyeve se pse është anashkaluar Bashkia e Tiranës në këtë projekt. Kështu, përgjegjëse për dhënien e miratimit të sheshit dhe të lejes së ndërtimit në një procedim të vetëm administrativ është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Përgjegjës për firmosjen e formularëve, të cilët i bashkëlidhen projektligjit është Ministri përgjegjës për ndërtimet ndërsa kontrolli dhe inspektimi i mjediseve të ndërtimit do të kryhen nga Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar. Projektligji sanksionon detyrimin për bashkëpunim dhe veprim të të gjitha institucioneve shtetërore, enteve publike dhe shoqërive tregtare që gëzojnë të drejtën e shfrytëzimit të sistemeve të infrastrukturës si energji elektrike, ujë, kanalizime, sinjalizim telefonie etj.