Vijnë studentët, shtohen kërkesat dhe çmimet e shtëpive me qira në Tiranë
Ervin Koçi
Fillimi i vitit të ri shkollor, por dhe nisja pas pak ditësh e vitit të ri akademik 2008-2009 ka bërë që bashkë me shtimin e numrit të studentëve, të vijnë në rritje edhe kërkesat për marrjen e shtëpive me qira. Por ndryshe nga çdo vit, agjencitë imobiliare më kryesore në kryeqytet njoftojnë për një rritje jo fort të lartë të çmimeve, që sipas përfaqësuesve të këtyre zyrave, kanë lidhje me krizën ekonomike në vend. Megjithatë, numri i kufizuar i dhomave në konviktet e Qytetit Studenti dhe në konviktet e tjera të shkollave të ndryshme ka bërë që edhe këtë vit kërkesa dhe interesimi për shtëpi me qira të jetë përsëri i lartë. Nga një vëzhgim në tregun imobiliar bërë nga gazeta “Albania” është konstatuar se zonat rreth universiteteve shtetërore dhe atyre private janë dhe më të preferuarat për t’u marrë me qira nga të ardhurit, kryesisht studentë. Pavarësisht kërkesave, çmimet e qirave në metropolin shqiptar nuk kanë lëvizur pothuajse fare nga shtatori i vitit 2007, në muajin ku jemi aktualisht. Të paktën kjo shihet në agjencitë imobiliare, ndërsa gjithnjë e më shumë rritet tendenca për të marrë banesë pranë fakulteteve.
Çmimet e shtëpive
Mesatarisht një familje që kërkon banesë me qira duhet të paguajë rreth 300 euro për apartamentet 1+1 dhe deri në 550 euro për apartamentet 2+1. Kjo duke iu referuar ofertave që jepen në agjencitë imobiliare. Madje, në muajin që jemi janë studentët që kanë rritur ndjeshëm kërkesën për një shtëpi me qira. Por, nga ana tjetër, shihet dhe tendenca për të marrë një banesë, e cila njoftohet në media të ndryshme, pasi dhe çmimet e publikuara në to janë më të lira dhe detyrimisht dhe kushtet. Të paktën për studentët, që janë të gatshëm të paguajnë, çmimi është te 200 euro deri në 300 euro, në varësi dhe të sipërfaqes së ofruar. Ndaj, duke parë këtë kategori në agjencitë imobilare shprehen se “nuk ka shumë të dhëna për numrin e saktë dhe vlerën e saktë të shtëpive, të cilat kërkohen prej studentëve. Kjo për arsye se agjencitë imobiliare nuk kanë shumë interes të ndjekin këto kërkesa me vlera të ulëta”. Në të shumtën e rasteve në këto agjenci drejtohen nga persona që janë të gatshëm të paguajnë një çmim më të lartë kundrejt shërbimit që i kryhet, ku përfshihen kompani apo familjarë që kanë punë me të ardhura të konsiderueshme. Madje, agjencitë theksojnë se kanë arritur të japin një apartament 2+1 deri në 900 euro për një muaj qira. Ndërsa theksohet se çmimi i apartamentit llogaritet dhe në bazë të viteve që ka pallati që është ndërtuar si dhe të zonës në të cilën ndodhet. Nëse një apartament 1+1 në pallatet të konsideruara të vjetra kushton rreth 200 euro i njëjti apartament, me të njëjtën hapësirë dhe kushte në ndërtesat e reja merr vlerën rreth 400 euro.
Zonat më të kërkuara
Kërkesat janë në rritje në këtë periudhë të vitit, ashtu si dhe në tetorin e vitit të kaluar, kur në kryeqytet dynden studentët e ardhur nga rrethet. Ndërsa gjatë sezonit të verës kërkesat kanë pësuar rënie si pasojë e largimit të studentëve, fakt ky që nuk ka ndikuar në uljen e çmimit të qirasë, tani vërehet e kundërta. Ndër zonat më të kërkuara, të cilat vlerësohen dhe si zona që kanë një çmim relativisht të arsyeshëm, janë “Komuna e Parisit”, zona afër Qytetit Studenti dhe përgjithësisht zonat afër fakulteteve publike dhe private njëkohësisht. Ndërsa zonat e cilësuara “të shtrenjta” dhe zona “VIP” renditen ish-Blloku, zona pranë ambasadave, Rruga e Elbasanit, rruga “Myslym Shyri” etj.
8 Tetor 2008