E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët reagojnë ndaj akuzave të opozitës, Bumçi: “Rama po sulmon Prokurorinë”



Demokratët kanë reaguar dje ndaj akuzave të opozitës. Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, ka akuzuar kreun e PS-së për presion politik ndaj organit të akuzës. Sipas Bumçit, “kryetari i PS-së, Edi Rama, po ushtron presion ndaj Prokurorisë, duke i kërkuar asaj të marrë të pandehur ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Kreu i opozitës, me një presion flagrant ndaj Prokurorisë, i kërkoi asaj të marrë të pandehur ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha për rrugën ‘Durrës-Kukës’, duke dëshmuar në këtë mënyrë tmerrin e tij për veprën e shekullit. Rama mund të organizojë mitingje për të shpallur të vrarë qytetarë që kanë vdekur në aksidente automobilistike, mund të urdhërojë mediat që kontrollon të shpallë të arrestuar qytetarë të tjerë të rajonit e kontinentit, por nuk mund të përdorë institucionet e një vendi për t’u çliruar nga ankthet. Rruga ‘Durrës-Kukës’ është kryevepra e shekullit, në mos e gjithë kohërave për shqiptarët, dhe ajo po përparon çdo ditë e do të përfundojë në afatet e parashikuara”,- është shprehur Bumçi.
Po gjatë ditës së djeshme ka reaguar dhe nënkryetari i Partisë Demokrate të re, Tritan Shehu. “Akuzoj direkt disa segmente të opozitës që në përpjekje për të penguar luftën kundër korrupsionit po interferojnë në punën e organeve të Drejtësisë. Këto dy elemente unë i bazoj në tendencat dhe në një veprimtari, e cila kërkon të shpërndajë në gjithë vendin mjegullnaja dhe akuza të pabaza, të pafaktuara, të përgjithshme, që në fund realizojnë një qëllim: pengojnë goditjen e vërtetë të krimit dhe veprimeve të paligjshme”, - është shprehur Shehu.

PS: “Bumçi ka shpërdoruar detyrën e ministrit të Drejtësisë”

Partia Socialiste e akuzoi deputetin e PD-së Aldo Bumçi se ka shpërdoruar detyrën gjatë kohës që ka qenë ministër i Drejtësisë. Zëdhënësja e PS-së, Mimi Kodheli, tha se Bumçi duhet të japë shpjegime në Prokurori për shpërdorimin e detyrës së ministrit të Drejtësisë. Sipas Kodhelit, Bumçi, nëpërmjet shkresave të tij, i ka hapur rrugë trafikut të armëve dhe ngjarjes tragjike të Gërdecit. “Aldo Bumçi nuk mund t’i tregojë opozitës detyrën e saj, por duhet t’i tregojë prokurores a e ka shpërdoruar detyrën e ministrit të Drejtësisë përmes shkresave që i hapën rrugë trafikut të armëve dhe masakrës së Gërdecit! Ne i urojmë zotit Aldo që të ballafaqohet me faktet e dokumentuara të abuzimit të tij me detyrën po kaq serbes sa ç’i shërben Sali Berishës për të mbuluar kanalet që lidhin klanin Berisha me botën e përfitimeve të paligjshme”, - tha Kodheli.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›