Prokuroria: Kemi foto, dy nga agjentët kishin shënimin "Policia" në veshje
Lidhur me pretendimet e mundshme të mbrojtjes, se Dajti nuk dinte që ishin policë, prokuroria thotë se ka siguruar nga vendi i ngjarjes foto që provojnë të kundërtën. Të paktën dy nga agjentët kishin shenja identifikuese.
Duçkollari kishte të veshur një xhup me mbishkrimin "Policia" dhe njëri nga agjentët e tjerë kishte veshje antiplumbi, gjithashtu me shënimin "Policia".
Megjithëse lëviznin me makina pa targa dhe ishin civilë, nga dëshmitë është provuar edhe se agjenti drejtues Fatos Xhani ka patur distinktiv në dorë dhe ka thirrur: "Policia, dorëzohuni!"
----------------------------------------------------------------
Priten të dhëna hetimore nga 15 kartat SIM të Dajtit
TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda, menjëherë pas mbledhjes dhe administrimit të provave materiale, ka evidentuar e sekuestruar në çantën e të dënuarit me 25 vjet burg, Dritan Dajti, 10 aparate telefonike dhe mbi 15 SIM karta me numra të ndryshëm, që i përdorte nga frika e përgjimit.
Ky lajm konfirmohet nga burimet pranë institucionit të akuzës, të cilët shtuan se nga SIM-kartat, përveç atyre të tre kompanive shqiptare, kishte edhe numra të dy kompanive të shtetit grekë, atij italian, malazez, maqedonas dhe kosovar, të gjithë me linjë ndërkombëtare.
Mësohet se nga këqyrja e aparateve celularë, që të gjithë figuronin të cilësisë së mirë dhe të shtrenjtë (përveç tre prej tyre, që pas rrëzimit të Dajtit u janë thyer ekranet), ka rezultuar se i shumëkërkuari kishte rast që një numër përdorte vetëm për të biseduar me një person. Kështu, që të gjithë këto numra, sipas akuzës, përdoreshin nga i arrestuari tashmë i plagosur me dy plumba për të biseduar me njerëzit e ndryshëm dhe në vende të ndryshme.
"Nuk përjashtohet mundësia, që në aparatet e celularëve të ketë të regjistruar edhe emra të personave të rëndësishëm apo drejtues a oficerë të policisë, numra këto që do të verifikohen," - thanë burimet, duke shtuar se u është kërkuar të gjitha kompanive celulare në vend t'i zbardhin tabulatet telefonike dhe verifikimin e pronarëve të këtyre numrave.
Pritet që gjatë javës në vazhdim, prokuroria të zbardhë, nga këqyrja e telefonave, edhe mesazhet elektronike të dërguara dhe ardhura në numrat e telefonit që kishte në çantë i dënuari me 25 vjet burg dhe të gjitha bisedat e kryera gjatë muajve të fundit.