Prangoset hajduti, i vodhi telefonin një gruaje
TIRANE- Një adoleshent 21- vjeçar i papunë dhe i dënuar më parë për vjedhje, është arrestuar nga policia e komisariatit nr.2 në kryeqytet me akuzën e vjedhjes, ndërsa ishte nën masën e sigurisë me detyrim për paraqitje.
Amarildo Sinani, 21 vjeç banues në kryeqytet është arrestuar nga policia e Komisariatit nr.2, pas denoncimit të një vajze se i kishin vjedhur aparatin e telefonit celular pranë kryqëzimit të "21 dhjetorit".
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë sipas policisë, kur Sinani i ka marrë një femre telefonin e saj celular të markës "Nokia", nga dora dhe është larguar me vrap. Pas kallëzimit të të dëmtuarës, blutë kanë identifikuar autorin e dyshuar të krimit duke e ndaluar.
Policia pohoi se i arrestuari nuk e kishte telefonin të cilin dyshohet se mund ta ketë shitur për kundrejt gjysmës së vlerës së tij. Pas ndalimit, policia i komunikoi arrestimin në flagrancë të 21- vjeçarit Sinani me akuzën e vjedhjes dhe shkeljes së masës së sigurisë duke qenë se ishte nën hetim për një krim tjetër.
--------------------------------------------------------------
Kapet me municione në banesë, arrestohet
KAVAJË- Kapet me arsenal municionesh në banesë dhe me automatik, një burrë 52- vjeçar në fshatin Seferaj të Golemit të Kavajës. Fatmir Bullunga, 52 vjeç, është arrestuar nga policia e Kavajës në flagrancë me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake. Në banesën e tij, policia ka sekuestuar një automatik "Kallashnikov" dhe një sasi prej 130 fishekësh.
Sipas bluve të Kavajës, atij i janë gjetur në banesë një automatik 100 fishekë dhe një krëhër në të cilin kishte 30 fishekë automatiku.
Policia ka arrestuar Bullungën në flagrancë duke i komunikuar atij akuzën e armëmbajtjes pa leje. Operacioni u krye në banesën e tij, pas informacioneve të ardhura në policinë lokale se ky person mbante dhe përdorte një armë zjarri. Policia pas veprimeve të kryera ka përcjellë dosjen ndaj Bullungës në prokurorinë e rrethit.
Ndjekje penale dy të moshuarve, falsifikuan pensionet
TIRANE- Ndjekje penale për 60- vjeçarin nga kryeqytetit që dyshohet se ka përfituar pension në rrugë të paligjshme duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të drejtorisë së policisë së Tiranës, të cilët pohojnë se ndaj të moshuarit H. L, kanë nisur një procedim penal në gjendje të lirë, me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Sipas policisë, i moshuari kishte falsifikuar disa dokumente për dosjen personale pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurime të Tiranës nëpërmjet të cilave kishte arritur të përfitonte pension pleqërie në mënyrë të padrejtë.
E njëjta procedurë është ndjekur nga policia e Tiranës edhe ndaj një gruaje me inicialet H. D, 62 vjeç e cila po nëpërmjet falsifikimit kishte arritur të përfitonte pension pleqërie në mënyrë të padrejtë.
----------------------------------------------
Bllokohet Tuaregu i trafikuar, dyshohet një malazez
TIRANE- Bllokohet në kryeqytet një automjet luksoz i markës "Volkswagen", policia sekuestron mjetin ndërsa nis hetimet për të zbuluar trafikantin e mjetit, i cili dyshohet të jetë një malazez.
Mjeti është bllokuar gjatë ditës së diel nga policia e qarkullimit dhe më pas është kërkuar verifikimi i tij nga specialistët e zyrës së antitrafikut të policisë së kryeqytetit, me dyshimin se mjeti ishte i trafikuar.
Pas verifikimeve të kryera nga specialistët përkatës nëpërmjet listave të mjeteve të trafikuara, policia ka zbuluar se mjeti ishte i vjedhur në Serbi disa muaj më parë.
Pak kohë përpara se të deklarohej i vjedhur, mjeti ishte identifikuar se kishte kaluar kufirin nga Mali i Zi, në drejtim të Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit.
Aty mjeti sipas policisë ishte regjistruar në rregull ndërsa më pas dyshohet se është deklaruar i vjedhur. Nga verifikimet e kryera nga policia ka rezultuar se në pikën e kalimit Kufitar në Hanin e Hotit, mjeti ishte kaluar nga një Malazez që më pas dyshohet se ia ka lënë poseduesit aktual të "Volksëagen"- it, 23- vjeçarit M. K. Policia ka nisur në prokurorinë e Tiranës, procedimin penal me akuzën e trafikimit të mjeteve motorike.