Krisma në dasmë, dy të arrestuar
Policia ndalon autorin e ngjarjes dhe një person tjetër që ndihmoi të fshihte pistoletën
KAVAJË- Qëllohet me armë në ajër në një dasmë, policia arreston autorin dhe personin që tentoi të fshihte pistoletën. Ardit Rrushi, 20 vjeç, si dhe Andi Muça 21 vjeç, të dy banues në Kavajë, janë arrestuar nga policia e Kavajës me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, si dhe prishjes së rendit dhe qetësisë publike.
Kjo sipas policisë ka ndodhur në fshatin Bullaj të komunës së Synejt, kur të rinjtë kanë qenë në një dasmë.
Aty, sipas policisë, Rrushi ka qëlluar me armë në ajër, gjatë dasmës duke shkaktuar panik dhe pakënaqësi në mes dasmorëve. Pas ngjarjes, policia është njoftuar për një situatë të tillë në fshatin Bullaj dhe menjëherë janë nisur për në këtë drejtim.
Sapo kanë mbërritur aty kanë marrë disa persona për t'i pyetur ndërsa më parë policia kishte marrë një telefonatë anonime se Ardit Rrushi, kishte qëlluar me armë në ajër dhe më pas ishte larguar për të fshehur pistoletën në banesën e Andi Muçës.
Pas një kontrolli të kryer në banesën e tij, policia ka gjetur armën me të cilën ishte qëlluar në ajër në dasmë, të fshehur në banesën e Muçës.
Ky i fundit sipas policisë, e kishte fshehur armën e ngjarjes e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa dy të rinjtë janë arrestuar me akuzën e prishjes së rendit e qetësisë publike mbajtjes së armëve të zjarrit në bashkëpunim dhe dhënies së ndihmës autorit të krimit.