E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Kemi paditur ish-ushtarakët që lejuan punimet pa leje në Gërdec

Nga Bledar Lumani

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar dje pas publikimit në media të fakteve të reja që lidhin ngjarjen e rëndë të Gërdecit me segmente pranë kryeministrit, Sali Berisha.

Gazeta “TemA” faktoi këto ditë se një nga njerëzit e afërm të kryeministrit, botuesi i gazetës “55”, kishte bërë punimet pa leje në Gërdec.

Prokuroria e Përgjithshme, e cila gjithashtu është vënë nën akuzë se nuk ka hetuar për këtë lidhje dhe nuk ka sekuestruar kompaninë në pronësi të Fahri Balliut dhe Mihal Delijorgjit, ka deklaruar se ajo ka bërë hetime duke angazhuar kapacitetet e saj më të mira profesionale.

Por, në lidhje me faktin se pse nuk është hetuar kjo lidhje e politikës me Gërdecin, prokuroria ka deklaruar se ka ngritur akuza për ushtarakët që kanë lejuar të bëhen këto shkelje, ndërsa nuk ka thënë asgjë, pse nuk është reaguar ndaj atyre që kanë ndërtuar dhe kanë bërë shkeljet.

“Duke u nisur nga publikimi ditët e fundit të disa akteve në media, si dhe komenteve që janë bërë rreth punës së prokurorisë në ndjekjen penale të procedimit penal nr. 3, të vitit 2008, që lidhet me ngjarjen e 15 marsit 2008 në Gërdec, Vorë, e ndjejmë për obligim për të sqaruar publikun se, në ndjekjen penale të këtij procedimi, prokuroria ka realizuar një procedim të drejtë, të barabartë dhe të rregullt ligjor, duke angazhuar kapacitetet më të mira profesionale dhe duke shmangur çdo përpjekje për ndikim dhe presion politik.

Prokuroria ka hetuar, analizuar dhe ngritur akuzë në gjykatë për çdo fakt kriminal që ka evidentuar se ka lidhje me këtë ngjarje. Kështu, për sa bëhet fjalë në media, prokuroria ka ngritur akuzë në gjykatë në ngarkim të ish-zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe civilë, të cilët në shkelje të ligjit dhe në mospërmbushje të detyrës kanë urdhëruar lejimin e subjekteve private, të prishin objekte në inventarin e pronës në Gërdec, të kryenin punime për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale dhe të administronin këtë pronë”, - thuhet në qëndrimin e prokurorisë.

Gazeta “TemA” botoi fillimisht të dhëna për një kompani të përbashkët të Balliut dhe Delijorgjit, që i kishte shpëtuar sekuestrimit nga prokuroria. Duke u përgjigjur për këtë çështje, prokuroria ka deklaruar se ajo ka marrë veprimet e nevojshme ndaj pasurive të Delijorgjit, sapo ajo është vënë në dijeni.

“Prokuroria, ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale penale të nevojshme ndaj pasurive të të pandehurit Mihal Delijorgji, sapo është vënë në dijeni të aseteve apo përqindjes së aksioneve të tij në shoqëritë ku ai është aksioner”, - përfundon deklarata e prokurorisë.

Kjo e fundit ka pasur këto prova në dorë prej kohësh, por nuk ka reaguar. Në prokurori nuk ka asnjë të pandehur apo të pyetur nga rrethi i njerëzve pranë kryeministrit që kanë kryer dhe abuzimin kryesor me Gërdecin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›