E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi i kompanisë italiane: E majta, fituese e zgjedhjeve

Nga Tema

Një tjetër sondazh i zhvilluar nga një kompani e huaj prestigjioze në fushën e sondazheve nxjerr fituese të majtën në vendin tonë.

IPR Marketing, një kompani lider në Itali në këtë fushë, në bashkëpunim me televizionin Ora News ka publikuar dje të dhënat e sondazhit të parë mes tyre.

Të pyetur se kush fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare, 40% mendojnë se ato do fitohen nga PS, 33% nga PD, 3% nga LSI, 6% shprehen për parti të tjera, ndërsa 18% nuk japin mendim për këtë çështje.

IPR Marketing ka pyetur qytetarët edhe për preferencat e tyre për koalicionet e posaçme. Të dhënat tregojnë për një fitore të qartë të së majtës. Kështu, sipas IPR, koalicioni PS, G99, PDS, PSD dhe PBDNJ fiton 45% deri në 49% të votave.

Koalicioni PD, PR, PAA dhe PAD fiton 39% deri në 43% të votave.

Koalicioni “E majta për Integrim”, në përbërje të së cilit është LSI dhe PSV 91, mund të marrin 6 deri në 10% të votave.

Koalicioni “Poli i Lirisë” mund të marrë 0 deri në 2% të votave.

Për parti të tjera që nuk kanë përcaktuar akoma daljen nëpër koalicione, parashikohet një përqindje e ulët prej 0 deri në 2%.

Sondazhi ka bërë dhe një ndarje të votuesve për partitë kryesore, sipas gjinisë, moshës, punësimit dhe besimit fetar.

Kështu, Partinë Socialiste e votojnë në numër të barabartë, si femrat, ashtu dhe meshkujt. Ajo çka është e rëndësishme, është se mosha e mbështetësve të PS është kryesisht në skaje. PS e mbështesin shumë të rinjtë e moshës 18-24 vjeç dhe ata mbi 55 vjeç. Sigurisht, më shumë vota për PS shkojnë nga ata që janë të papunë. Për sa i përket besimit, shumë prej votuesve që besojnë te PS janë ortodoksë.

Për sa i përket PD, më shumë votues të saj janë femrat. Mosha e mbështetësve të saj është kryesisht nga 25 deri në 44 vjeç.

Sigurisht, mbështetësit e PD janë më shumë të punësuar, ndërsa myslimanët besojnë më shumë te PD.

IPR ka bërë të ditur se për këtë sondazh janë kryer 1546 intervista. Të pyeturit i kanë vlerësuar në masë dërrmuese zgjedhjet si shumë të rëndësishme, ndërsa është për t’u theksuar se papunësia dhe varfëria mbeten problem kryesor për shqiptarët, çka rrëzon komplet pretendimet e qeverisë për numër të ulët të papunësh. Kështu, 75% e të pyeturve e shohin atë si problemin kryesor.

Shqiptarët kanë më shumë besim te kryetari i PS, Edi Rama, me 52%, përkundrejt 39% ndaj kryetarit të PD, Sali Berisha.

Po kështu, 62% e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për Edi Ramën, ndërsa 41% kanë mendim të tillë për Sali Berishën.

Duhet theksuar se 87% e shqiptarëve e shohin votën e tyre si shumë të rëndësishme, ndërsa 10% nuk e shohin si të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›