E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, orteqet problem për rrugët

RESHJET/ Drejtuesit e automjeteve ankohen lidhur me vështirësitë që hasin në udhëtimin e tyre Kosovë-Tiranë


Firmat e pastrimit të rrugëve nuk kanë arritur të mbajnë nën kontroll borën dhe problemet në akset rrugore


PUKË- Kishte vite që një sasi e tillë dëbore nuk kishte rënë në mesin e muajit mars, madje ditën e parë të pranverës duke risjellë dhe një herë problemet e kaluara në fillim të këtij viti. Kështu shprehen banorë të Pukës e Fushë-Arrësit, por dhe drejtues automjetesh që bëjnë këtë linjë apo pasagjerë që nga Kosova kalojnë nëpër aksin nacional Morinë - Kukës - Qafë-Mali - Fushë-Arrës.

Reshjet e dëborës kanë risjellë probleme në qarkullimin e automjeteve në këtë zonë dhe siç pohojnë vetë ata që jetojnë ose lëvizin për arsye pune këtu, i ka gjetur disi të papërgatitur.

Policia rrugore, për arsye sigurie të lëvizjes natën, duke qenë se në Qafë-Shllak rruga bllokohet e ribllokohet vazhdimisht për shkak të orteqeve të shumtë, e kishte ndaluar qarkullimin natën për të rinisur mëngjesin e djeshëm.

Rruga drejt Pukës ka dëborë në të dyja anët e saj, ndërsa aksi rrugor Shkodër-Pukë është i liruar dhe i pastruar nga dëbora, duke mos sjellë asnjë problem për drejtuesit e automjeteve.

Në Qafë-Qerret duket se situata është pak më e vështirë, pasi mjetet e rënda e kanë të pamundur të kalojnë dhe ngecin. Lëvizjet në këtë aks rrugor janë të pakta dhe në Qafë-Qerret janë vetë personat që janë duke udhëtuar që zbresin nga mjetet dhe përpiqen të largojnë borën e ngrirë për të vazhduar më tej lëvizjen.

Duke lëvizur në drejtim të Qafës së Malit, pjesës më problematike të aksit kombëtar, ndeshen punëtorë të mirëmbajtjes së rrugëve që përpiqen me lopata të largojnë dëborën, ndërsa më tej janë mjetet borëpastruese dhe fadroma ato që janë duke punuar për të mbajtur të zhbllokuar këtë aks.

Sipas drejtuesve të mjeteve, mbrëmjen e së shtunës Qafa e Malit ka qenë e bllokuar dhe mjetet janë lejuar nga policia të qarkullojnë me grupe të vogla, nga 2-3, vetëm nga drejtimi i Fushë-Arrësit drejt Shën Mërisë.

Shërbimet e policisë janë të pranishme në çdo segment, ndërsa pa zinxhirë është e pamundur të lëvizet drejt Qafës së Malit e më tej. Selaudin Deliaj, punëtor në mirëmbajtjen e një segmenti të këtij aksi tregon se punohet pa ndërprerje për zhbllokimin e rrugës. "Punojmë me turne me fadroma e mjete borëpastruese. Unë jam që në 1:00 të ditës së sotme duke punuar për ta mbajtur hapur këtë segment.

Përpiqemi ta largojmë dëborën pa u kthyer në akull, pasi dhe temperaturat janë të ulëta". Dëbora në Qafë-Mali, dhe pse jo me intensitet të madh, vazhdon të bjerë, ndërsa era ngre re pluhuri dëbore që e vështirësojnë qarkullimin.

Temperaturat janë të ulëta dhe aktualisht Qafa e Malit në rrethin e Pukës, pjesa më e vështirë e aksit nacional Fushë-Arrës - Kukës është e kalueshme me zinxhirë, ndërsa problem vazhdojnë të mbesin orteqet që vazhdimisht ribllokojnë segmente të rrugës.

Komuna Iballë vazhdon të jetë e bllokuar.
Kosovarët: "Kemi tri ditë rrugëve pa ngrënë"
Tek kthesa afër Ujit të Ftohtë, një autobus me kosovarë me targë TR 8503 K kalon me vështirësi.

Drejtuesi i tij shprehet se është shumë e vështirë qarkullimi nëpër këtë aks rrugor nacional, në mjet ka gra dhe fëmijë dhe kanë tre ditë që janë nisur dhe akoma nuk kanë mbërritur në Tiranë. Man Shyqyrukaj, pasagjer në këtë autobus shprehet se "qeveria shqiptare nuk ka punuar sa duhet për ta përballuar këtë situatë.

Dëbora bie pa pyetur se kur, por ne kemi tri ditë të bllokuar në Shën Mëri pasi nuk mund të lëvizim. Kemi kërkuar ndihmë, por askush nuk na e ka ofruar. Kemi gra e fëmijë në mjet dhe duhej që dikush të na ofronte diçka. Kemi pasur mjaft të ftohtë pasi kemi qëndruar në mjet sepse nuk kishim ku të strehoheshim.

Jemi nga Prishtina dhe shkojmë në Tiranë. U nisëm jo me borë dhe ajo na zuri gjatë udhëtimit. Por nuk e mendonim se do të rrinim tri ditë të bllokuar dhe askush nuk do të na jepte një ndihmë",- shprehet kosovari.

------------------------------------------------------------------------------------

Shoferët: "Rruga, vende-vende e bllokuar"


Pëllumb Palushi, drejtues furgoni nga Kukësi, shprehet se jo i gjithë aksi është i pastruar, ka segmente ku kalohet pa probleme, por në të tjerat është e vështirë. "Dëbora bie dhe nuk kemi se çfarë t'i bëjmë, por rruga duhet lënë e hapur në çdo segment, jo diku e bllokuar dhe diku jo", -thotë Palushi.

Osman Morina, drejtues autoveture nga Kosova, shprehet se është nisur drejt Durrësit, por rruga është vështirësuar nga dëbora dhe nga fakti se jo kudo ajo është e pastruar. "Nga Kukësi në Shën Mëri, tek Uji i Ftohtë e më tej rruga ka probleme, ndërsa kur lëviz në drejtim të Fushë-Arrësit problemet janë më të pakta" , thotë Morina.

---------------------------------------------------------------------------------------------------

Kukës, tetë komuna dhe shumë rrugë të bllokuara


KUKËS - Rrugët nacionale dhe rurale që lidhin Kukësin me Tiranën dhe me rrethet fqinje e komunat vazhdojnë të mbeten ende problematike, ndërkohë që dëbora ka pushuar prej më shumë se 24 orësh.


Ndërhyrja e borëpastrueseve në dy ditët e para thuajse ka munguar në aksin më problematik nga Qafë-Shllaku në Fushë-Arrës. Burime nga Shtabi i Emergjencave Civile në prefekturën e Kukësit bëjnë të ditur se vazhdojnë të mbeten të bllokuara rrugët që lidhin Kukësin me Peshkopinë, Krumën me Bajram-Currin, Krumën me Gjakovën, si dhe me tetë komuna të këtij rrethi.

Ndërkaq, ende nuk është kthyer energjia elektrike në komunën e Terthores ku furnizohet edhe pika doganore e Morinit, ku edhe kjo e fundit nuk ka energji elektrike prej 72 orësh. Pa energji elektrike janë edhe komunat e Bushtricës, Kalisit e Grykë-Çajës të cilat furnizohen me energji elektrike nga rrethi i Dibrës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›