Përkeqësimi i motit, akoma problematike disa akse rrugore
Moti i ftohtë me temperatura të ulëta dhe reshje të dëborës vazhdon të krijojë situatë problematike pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Edhe pse në pjesën më të madhe të vendit reshjet kanë pushuar, vazhdojnë të shënohen temperatura mjaft të ulëta, ndërkohë që disa akse rrugore rurale dhe nacionale vazhdojnë të jenë të bllokuara, ndërsa makinat kalojnë me vështirësi po qëndrojnë të bllokuara prej tri ditësh. Zonat me më tepër vështirësi janë Qafë-Mali, disa zona në Kukës, në Korçë apo dhe komuna të thella në vend. Gjithashtu, situata paraqitet problematike edhe në Qafë-Kërrabë, ku makinat kanë pasur mjaft vështirësi në qarkullim, duke u bllokuar për tri ditë në këtë aks rrugor. Shtabet lokale të emergjencave kanë nisur të funksionojnë në vend, në qarqe të ndryshme, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të izoluar në akse rrugore apo atyre që kanë nevojë për shkak të izolimit të fshatrave. Megjithatë, situata vazhdon të jetë e vështirë në vend, pasi në disa zona të thella mungon edhe energjia elektrike, pavarësisht ndërhyrjeve të OSSH-së për riparimin e linjave. Policia u rekomandon drejtuesve të automjeteve që të përdorin zinxhirët kur të kalojnë në akset problematike, pasi pavarësisht ndërhyrjes me fadroma dhe borëpastruese, ende kalimi në disa akse rrugore është i vështirë. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, akset kombëtare janë tërësisht të kalueshme, pavarësisht se në disa prej tyre drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të lëvizin me zinxhirë. Reshjet e dëborës, që dy ditë më parë përfshinë disa qarqe të Shqipërisë, pothuajse janë ndërprerë me përjashtim të Qafë-Malit mes Kukësit dhe Pukës, ku ato ende vazhdojnë duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Sipas tij, borëpastruese të shumta po punojnë për pastrimin e rrugëve, kryesisht në verilindje të vendit, ndërkohë që shërbimet e qarkullimit rrugor vazhdojnë të jenë të përforcuara në akset problematike. Të pakalueshme janë disa segmente rrugore që lidhin qendrat e qyteteve me zonat rurale, si Kukës - Shishtavec, Kukës - Kalaja e Dodës, Korçë - Dardhë, Korçë - Goricë. Tri komuna të thella në Kukës dhe tri të tjera në Dibër mbeten ende të izoluara nga dëbora. Sipas tij, në disa komuna të thella malore, në veri të vendit, mungon energjia për shkak të defekteve të krijuara nga reshjet e dëborës, ndërkohë që OSSH-ja po punon për riparimin e dëmit.
Pukë
Në verilindje të vendit, në Pukë, situata vazhdon të jetë e rënduar. Ndonëse dëbora ka pushuar, temperaturat janë shumë të ulëta dhe shumë fshatra e komuna janë të izoluara nga dëbora. Akset nacionale Qafë-Mali - Iballë dhe Qafë-Mali - Fierzë janë tërësisht të bllokuara. Në aksin Fushë-Arrëz - Qafë-Mali qarkullimi i automjeteve bëhet vetëm në një anë dhe mjaft i vështirë. Në Qafë-Mali, dhjetëra makina janë të bllokuara dhe nuk mund të lëvizin për shkak të kushteve të këqija të motit. Po kështu, pranë vendit të quajtur Uji i Ftohtë në Qafë-Mal ka mbetur i bllokuar dhe një autobus me pasagjerë.
Kukës
Në rrethin e Kukësit janë të bllokuara komunat Zapod, Grykë-Qaj, Kalis, Arren, Shishtavec. Në aksin Kukës - Qafë-Shllak kalohet me vështirësi dhe me zinxhirë, aksi Kukës - Peshkopi është i bllokuar, ndërsa ndërmarrjet e pastrimit po punojnë për të hapur akset Kukës - Shishtavec, por mbetet problematik krijimi i grumbujve të borës.
Dibër
Disa komuna të qarkut të Dibrës janë të bllokuara si dhe po vuajnë mungesën e energjisë elektrike. Komunat Kalaja e Dorës, Lurë, Martanesh, Ostren, Zerqan (në Buqlizë), Xibër, Macukull, Komsi (në Mat) janë të izoluara nga dëbora. Në komunën e Komsisë trashësia e dëborës arrin në 1.30 metër. Aksi nacional Peshkopi - Tiranë është i kalueshëm.
Elbasan
Situatë problematike edhe në pjesën tjetër të vendit. Në qarkun e Elbasanit, akset Qafë-Tiranë, Qafë-Kërrabë janë të pakalueshme, pasi nga Bërzhita deri në km 29 rruga është e bllokuar. Disa komuna malore janë të bllokuara, ndërsa aksi Librazhd - Qafë-Thanë është i kalueshëm.
Korçë
Në Korçë dëbora ka bllokuar aksin Korçë - Goricë, akset për në Lekas e Dardhë, ndërsa ka nisur qarkullimi në aksin Korçë - Pogradec.
Gjirokastër
Në Gjirokastër janë bllokuar nga dëbora komunat Frashër, Zagori, Kurvelesh dhe Podgorie. Në komunat Pogon dhe Zagori mungon energjia elektrike.
OSSH: Rikthehet energjia pothuajse në të gjitha zonat e Shqipërisë, mungesë në komunat e thella të vendit
Operatori për Sistemin e Shpërndarjes njofton se është rikthyer energjia elektrike pothuajse në të gjitha zonat e Shqipërisë, ndërsa vazhdon të mungojë energjia në disa komuna të thella të vendit. OSSH-ja njofton se pa energji janë 4 komuna në Lushnje, gjithashtu Golemi dhe Shkëmbi i Kavajës. Pa energji janë dhe disa zona në veri të vendit, si në Kukës, komunat Bushtricë, Kalis, dhe Dogana e Morinës; në Mirditë pa energji janë komunat Gollobordë, Lurë, Fan dhe Malësi e Laçit. OSSH-ja njofton se puna punon për riparimin e avarive të shkaktuara nga moti i keq me reshje dëbore dhe erë të fortë.