E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Antigone: Do investojmë për turizmin

TIRANE- Tërheqja e turistëve të huaj në zonat e rëndësishme arkeologjike dhe kulturore të vendit, është synimi i qeverisë shqiptare.

Në këtë kuadër kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e rrugës Asim Zeneli- Antigone, në Gjirokastër.

Rruga me gjatësi 8 kilometra, gjerësi 4 metra, e plotësuar në të gjitha kushtet e një infrastrukture bashkëkohore, do tu shërbejë turistëve ditorë si dhe atyre të huaj, të cilët duan të vizitojnë Parkun Kombëtar të Antigonesë, një qendër e rëndësishme me vlera arkeologjike e kulturore për vendin tonë.

Rruga gjithashtu lehtëson komunikimin për 1200 banorë të fshatrave Asim Zeneli, Krinë, Tranoshishte, Saraqinishte.

“Parku Kombëtar i Antigonesë është një visar i vërtetë kulturor i Shqipërisë- tha kryeministri duke shprehur vendosmërinë - që trashëgiminë e madhe kulturore që ka vendi, ta bëjmë të vizitueshme nga turistë nga Shqipëria dhe mbarë bota.”

Ai premtoi dhe përmirësimin dhe shtimin e shërbimeve të tjera të cilat do të nxisin edhe më shumë frekuentimin nga turistët. “e po bëjmë atë, që gjithë këtë trashëgimi të madhe ta shpalosim, në mënyrë që vizitorët, nga mbarë bota ti kenë pushimet në Shqipëri, pushime nga më të këndshmet dhe më të pasurat shpirtërisht dhe kulturalisht", nënvizoi Berisha.
Ai vizitoi dhe muzeun etnografik të Antigonesë “Artizanët e Antigonesë”. Kryeministri vlerësoi se ngritja e këtij muzeu është dëshmi e vlerësimit për traditën e mrekullueshme që mbart kjo zonë, e cila duhet të kultivohet nga dita në ditë.

QYTETI ANTIK
Qyteti antik i Antigonesë shtrihet mbi kodrën e Jermës, pranë fshatit Saraqinishtë të Gjirokastrës. Ai është themeluar nga mbreti Pirro rreth vitit 290 para Krishtit për nder të gruas së tij Antigonesë, bijë e mbretit Ptoleme të Egjiptit.

Shpejt u kthye në një qendër të rëndësishme për shkak të kontrollit të luginës së Drinosit, e cila në Antikitet quhej ngushticat e Antigonesë. Në vitin 168 para Krishtit qyteti u shkatërrua plotësisht nga ushtria romake e konsullit Pal Emili së bashku me 70 qytete të tjera të Epirit dhe të Ilirisë. Pas kësaj qyteti u braktis për disa shekuj dhe vetëm në shekullin VI mbas Krishtit u ndërtua brenda tij një kishë paleokristiane.

Pllaja mbi të cilën është ndërtuar qyteti antik i Antigonesë zotëron të gjithë luginën e Drinos përballë Gjirokastrës. Ndërtimi i qytetit ka qenë realizuar sipas një plani urbanistik, i cili e ndan sipërfaqen prej 45 ha në disa zona. Objektet e gjetura ne rrënojat e qytetit te lashte dëshmojnë për pasurinë e qytetit dhe historinë e tij te hershme.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›