E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria: Në dogana kemi punuar më mirë

01/03/2005  Doganat, tatimet dhe taksat kanë qenë fushat, ku forca goditëse e prokurorisë ka njohur rritjen më të madhe me 122.8 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas raportit të paraqitur nga prokurori i Përgjithshëm, gjatë vitit 2004 janë regjistruar 459 procedime penale, janë marrë 257 të pandehur, nga ku 30 prej tyre u është dhënë masa e sigurisë "arrest me burg". Raporti thekson se për veprat penale vetëm në fushën e doganave janë regjistruar 338 proçedime me 202 të pandehur, ose me një rritje prej 88 për qind të numrit të hetimeve në sferën e krimit ekonomik. Për sa i përket veprave penale në fushën e tatimeve dhe taskave, gjatë vitit 2004 janë regjistruar rreth 121 procedime penale, ku janë marrë 55 të pandehur. Sipas raportit të Prokurorisë, numri i proçedimeve në këtë fushë gjatë vitit 2004 është rreth 3.5 herë më i lartë se ai i vitit 2003. Megjithatë, sipas raportit, pavarësisht rritjes së forcës goditëse të prokurorisë në dogana dhe tatime, puna në këto sektorë ekonomikë të vendit lë shumë për të dëshiruar. "Sërish mbetet shumë për të bërë në drejtim të penalizimit të punonjësve të administratës doganore, sidomos asaj tatimore në rastet e kontrabandës, evazionit fiskal apo korrupsionit", thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas organit të akuzës, në disa raste pengesë për hetimet në dogana bëhet Policia Gjyqësore, e cila nuk referon drejtpërsëdrejti në Prokurori kontrabandën që konstaton, por kryen hetime të mbyllura, duke shmangur kështu hetimin e prokurorisë, duke i dhënë mundësi autorëve të manipulojnë provat dhe të fshehin krimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›