E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sot mbërrijnë në Shqipëri raporterët e Këshillit të Evropës

01/03/2005  Parlamentarët do të zhvillojnë takime dhe me Edi Ramën si dhe kryetarët e partive

Raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të mbërrijnë sot në Shqipëri, ku, veç takimeve me krerët e institucioneve shqiptare, do të përqëndrohen në marrjen e të dhënave që kanë të bëjnë me paraqitjen e një raporti mbi Shqipërinë në BE. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se parlamentarët evropianë do të mbërrijnë në Shqipëri sot në drekë, ndërsa do të qëndrojnë tri ditë. Gjithashtu, mësohet se tashmë janë prenotuar dhe dhomat e qëndrimit në hotel "Rogner Europa Park". Së pari, do të jetë Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, që do t'u urojë mirëseardhjen përfaqësuesve të lartë të BE-së, të cilët do të jenë vendimtarë në qëndrimin që do të mbajë BE ndaj Shqipërisë. Ndërsa një takimi i veçantë është cilësuar ai me delegacionin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare. Takimi do të jetë në një darkë pune në hotel "Grand". Në ditën e dytë, delegacioni ka parashikuar një takim me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luts Zaltzman, dhe më pas me ambasadorin e OSBE-së, Pavle Vacek. Po nesër, Kryeministri Fatos Nano ka parashikuar një takim me raporterët e Këshillit të Evropës. Një vëmendje e rëndësishme i është dhënë takimit me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët do të japin argumentet e tyre mbi administrimin e zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në verë. Ndërsa dhe Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, do t'i paraqesë përfaqësuesve të Lartë të Asamblesë Parlamentare kritikat dhe vërejtjet që ka ai ndaj administratës. Ndërkohë, raporterët nuk kanë harruar të parashikojnë dhe një takim të veçantë pune me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si dhe me përfaqësuesit e partive politike. Në ditën e tretë të qëndrimit në Shqipëri, raporterët kanë vendosur të zhvillojnë vetëm takime me ministrat, Bello, Blushi, Meksi, Toska dhe Xhafa, me përfaqësuesit e Komisionit parlamentar të Ligjeve dhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Gjergji Sauli. Largimi nga Shqipëria është parashikuar ditën e premte, pas një vizite pune në qytetin e Durrësit, ku raporterët kanë parashikuar dhe një vizitë turistike në këtë qytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›