Prokuroria: Në gjyq ish-oficeri mitmarrës
TIRANË - Njësia e Task-Forcë-s, pranë Prokurorisë së Tiranës përfundoi hetimet ndaj të pandehurit Thoma Marina me detyrë ish-oficer i policisë gjyqësore pranë organit të akuzës në Durrës, duke e dorëzuar dosjen penale të tij në gjyq, për akuzën e " Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike".
Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Marina në kohën që kryente detyrën e oficerit të Prokurorisë së Durrësit, ka tentuar t'i marrë një kallëzuesit që ia kanë vjedhur pronën 10 mijë euro, për të ndikuar tek gjykata për t'ia kthyer pronën.
"Dy javë para arrestimit të oficerit Marina, një banor i qytetit të Durrësit është paraqitur në prokurori për të kryer një kallëzim.
Ai është takuar me oficerin e policisë gjyqësore, Thoma Marina, i cili mori në dorëzim çështjen. Denoncuesi i ka shpjeguar Marinës së në tokën e tij janë ndërtuar dy shtëpi pa leje.
Pasi ka studiuar çështjen, oficeri i policisë gjyqësore, Marina, ka kërkuar të bëjë një marrëveshje me denoncuesin, duke i kërkuar 10 mijë euro kundrejt favorizimit që do t'i bënte në gjykatë, duke i premtuar se nëse paguante lekët, çështja kur të shkojë në gjykatë do të kalojë në favorin e kallëzuesit dhe pronarit të vërtetë të pronës",-thuhet në kërkesën për gjykim.
Por, kallëzuesi, i bindur se çështja do të fitohej nga ai, për shkak se ishte pronari i vërtetë i tokës edhe pa dhënë ryshfet, i ka kërkuar "kolegëve" të Marinës të pranojnë kallëzimin e tij ndaj këtij oficeri, që më pas është bërë dorëzimi i kontrolluar duke e arrestuar në flagrancë oficerin 50- vjeçar Marina.