Konkurrenca, hetim mbi koncesionet e gazit
Të gjithë konsumatorët e gazit në Shqipëri gjatë muajve të fundit kanë vuajtur nga rritja e konsiderueshme e çmimit të gazit të lëngshëm, që përdoret në ngrohje e gatim. çmimi i gazit u shtrenjtua disa herë gjatë muajve të fundit dhe aktualisht shitet për 120 lekë kilogrami, rreth 20-30 lekë më shtrenjtë se pak muaj më parë.
Autoriteti i Konkurrencës deklaroi dje se, pasi është informuar përmes medias mbi situatën, kreu mbikëqyrjen e tregut dhe hapi formalisht hetime, duke dyshuar se dy koncesione të dhëna nga qeveria për ndërtimin e kapaciteteve magazinuese të gazit, mund të kenë krijuar një situatë duopol.
Autoriteti i Konkurrencës, në bazë të nenit 28 të ligjit 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, nisur nga disa konstatime të medias, se në tregun e gazit po kufizohet konkurrenca, monitoroi tregun e tregtimit të gazit nga importi mbi kufizimet e mundshme të konkurrencës.
“Autoriteti i Konkurrencës administroi edhe dy formularë ankese nga ndërmarrje që zhvillojnë veprimtarinë në tregun e importit eksportit të Gazit (GLN) si dhe korrespondencën mes ndërmarrjeve importuese dhe koncesionarëve”, thuhet në një deklaratë për shtyp të shpërndarë dje.
“Nga monitorimi rezulton se ndërmarrjet ankimuese kërkojnë ofrimin e shërbimit në të dyja portet, duke pretenduar se kompanitë që zotërojnë koncesionet refuzojnë të ofrojnë shërbimin e shkarkim-depozitim të gazit të lëngshëm, që në kuptim të nenit 9, pika 2, germa dh e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese”, vijon më tej deklarata.
Shkaktari kryesor në rritjen e çmimit është bërë situata dominuese e krijuar në dy stacionet e mëdha të depozitimit të gazit në Vlorë dhe në Porto-Romano. Importuesit thonë se dy kompanitë që menaxhojnë depozitat e gazit kanë bllokuar depozitimin e gazit nga kompani të tjera importuese, duke i detyruar ta blejnë këtë produkt prej tyre. Importuesit deklarojnë se kanë që nga qershori i vitit 2009 që nuk zhdoganojnë më mall. Ky fakt, sipas importuesve, pasqyrohet direkt me rritje çmimesh në tregun e brendshëm. Të dhëna nga vetë importuesit tregojnë se çmimet e shitjes me shumicë në Porto Romano dhe në Vlorë arrijnë mesatarisht në 105 lek/kg, por duke i shtuar këtu edhe shpenzimet e transportit, të magazinimit dhe të shpërndarjes në pikat e pakicës nga shoqëritë tregtuese ky çmim shkon deri në 110- 120 lek/kg. Ndërtimi i depozitave të gazit, edhe pse mjaft të kontestuara nga publiku, siç është për rastin e Petroliferës në Vlorë, ka pasur si qëllim sipas qeverisë të mbajë një ritëm të furnizimit të tregut, pa luhatje të çmimit, veçanërisht në kohë krizash. Por duket se kjo politikë po dështon pikërisht për shkak të situatës së re dominuese në treg nga vetëm dy kompani depozituese.