I mituri 14-vjeçar vret me thikë të riun në Tiranë
Një i ri 23-vjeçar është qëlluar me thikë nga një i mitur 14-vjeçar, duke humbur jetën. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në fshatin Laknas, në rrethinat e kryeqytetit. Sipas burimeve nga policia, ka qenë një sherr për motive të dobëta që ka çuar në vdekjen e Alfred Shkurtit. Autori i krimit, i mituri me inicialet G. M., sipas burimeve nga policia, ishte i sëmurë mendor. Ai ka qëlluar disa herë 23-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup. Me gjithë ndihmën e dhënë nga banorët e tjerë të fshatit, për Shkurtin ka qenë e pamundur që të mbijetonte. Ai është transportuar në Spitalin Ushtarak, por plagët kanë qenë të thella dhe ai ka humbur jetën si pasojë e dëmtimeve dhe humbjes së gjakut. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka arrestuar autorin krimit, në moshë të mitur. Ai ka pranuar se ka kryer krimin dhe se sherri midis të dyve ka lindur si pasojë e një konflikti të ndodhur më parë. Sipas banorëve të tjerë, i mituri me inicialet G. M. ishte me çrregullime mendore, gjë që ka çuar edhe në reagimin e dhunshëm të tij. Ngjarja ka ndodhur në orën 19:00 të mbrëmjes së ditës së djeshme. Viktima dhe autori i krimit ishin banorë të fshatit Laknas, në periferi të kryeqytetit. I mituri, i acaruar pas një konflikti mes të dyve, po priste viktimën i fshehur. Ndërsa 23-vjeçari Alfred Shkurti ishte duke shkuar drejt banesës, i mituri i është afruar pa u ndier dhe e ka qëlluar atë me një thikë. Sulmi ndaj 23-vjeçarit ka qenë i papritur dhe ai nuk ka arritur që t’u shpëtonte goditjeve, duke marrë disa goditje në trup, të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. Më pas, 14-vjeçari është larguar. Ndaj Shkurtit është dhënë ndihma e parë nga kalimtarët e tjerë, por ai nuk mundi që të mbijetonte. Kjo, si pasojë e plagëve të marra dhe humbjes së gjakut si pasojë e plagëve. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila ndaloi autorin e krimit. Gjithashtu u shoqëruan në komisariat persona që kishin qenë dëshmitarë të ngjarjes së djeshme, ku mbeti i vrarë i riu. I mituri është çuar në qelitë e paraburgimit, ku është marrë më pas në pyetje në praninë e një psikologu. Në ditët në vazhdim pritet që të vendoset nga drejtësia për masën e marrë ndaj tij, duke qenë se ai është në moshë të mitur dhe vuan nga çrregullime mendore.