Kartat, Braçe: Qeveria, probleme të qëllimshme
Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe flet për problemet me kartat
TIRANË- Partia Socialiste akuzon qeverinë se në bashkëpunim me kompaninë që ka kontraktuar për të prodhuar dhe pajisur qytetarët me karta identiteti, po kërkojnë që të dështojnë këtë proces.
Akuzat kanë ardhur nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, i cili duke folur nga podiumi i Kuvendit, ka evidentuar problemet që lidhen me këtë proces, të cilat sipas tij po shkaktohen në mënyrë të qëllimshme nga qeveria me synimin e vetëm moskrijimin e mundësisë së gjithë shqiptarëve për të votuar më 28 qershor.
Braçe ka deklaruar se lista prej 730 mijë shtetasish pa pasaportë që ka publikuar Ministria e Brendshme nuk është e saktë, pasi në të mungojnë edhe një numër i konsiderueshëm personash të tjerë që po ashtu nuk kanë një dokument të tillë. Kjo shifër sipas socialistëve arrin edhe në 50 për qind të numrit të publikuar nga Ministria e Brendshme.
"Kemi rënë të gjithë dakord që do të bëhej identifikimi i personave pa pasaportë, me qëllim që ata do të ishin të parët që do të përfitonin nga procesi i pajisjes me kartë identiteti.
Është dhënë numri prej 730 mijë personash në gjithë territorin e vendit. Por ne themi sot se ky numër nuk ekziston, pasi është shumë më i madh sesa kaq dhe ky është problemi më i madh", - tha Braçe.
Për të vërtetuar këtë konstatim edhe përpara deputetëve të tjerë, ai ka prurë si shembull gjendjen në rrethet e Beratit dhe Kuçovës, ku pushteti vendor ka evidentuar edhe një numër tjetër të konsiderueshëm qytetarësh pa pasaportë, por që nuk gjenden në listat e Ministrisë së Brendshme.
"Në Berat Ministria e Brendshme ka sjellë 22 mijë e 227 persona që janë pa pasaportë. Pushteti vendor ka gjetur 13 mijë e 268 persona ose 60% e listës që ka sjellë ministria që mungojnë në këtë listë.
Në total Ministria e Brendshme në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor kanë identifikuar tashmë si persona pa pasaportë 35 387 persona", - tha Braçe.
Së dyti Brace ka theksuar se procesi po rrezikohet edhe për shkak të problemeve të kompanisë që ka marrë përsipër të prodhojë dhe pajisë qytetarët me karta identiteti.
Kështu, sipas tij kompania ka mungesë të theksuar kapacitetesh për ta realizuar këtë proces, pasi jo pak herë ose ka shumë pak ose mungojnë fare operatorët që duhet të realizojnë procesin e fotografimit dhe marrjes së të dhënave të tjera për qytetarët që kërkojnë të aplikojnë për kartë.