E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Buxheti 2009 nuk parashikon krizën financiare

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, paraqiti dje pikat ku partia e tij kundërshton buxhetin e shtetit për 2009-ën. Sipas Metës, buxheti ka probleme të rëndësishme që nuk u jep zgjidhje, siç janë investimet në bujqësi dhe nuk parashikon asnjë qindarkë për shqiptarët nëse kriza botërore financiare prek bankat shqiptare. “Projektbuxheti i 2009-ës nuk jep asnjë lajm të mirë për bujqësinë, sektorin me të cilin jeton shumica e popullsisë shqiptare. Nuk ka aspak rritje fondesh për infrastrukturën bujqësore. Arsimi dhe shëndetësia shihen si prioritet për rritjen e pagave, por nuk jepet asnjë garanci se shqiptarët në 2009 do të shtrohen në spital pa marrë batanijet dhe çarçafët me vete dhe pa u operuar në salla operative me muret me lagështirë dhe infeksione. Imagjinoni në 3 vjet Kryeministri doktor akoma nuk u ka dhënë shqiptarëve një spital të trajtimit të urgjencave sipas standardeve të duhura”, - tha Meta. Njëkohësisht ai vuri në dukje se është e pashpjegueshme që në një kohë kur FMN-ja parashikon botën të jetë në një krizë në 2009, qeveria “Berisha” nuk parashikon asnjë qindarkë për t’i ndihmuar shqiptarët në rast se kriza botërore financiare kthehet në një krizë bankare në Shqipëri. Meta vuri në dukje se LSI-ja do të bëjë propozimet e veta për të ndryshuar projektbuxhetin e qeverisë. “Nuk duhet të ulim taksat për disa dhe jo për shumicën, duke shkatërruar skemën e pensioneve dhe rrezikuar stabilitetin makroekonomik. Nuk duhet të shtrydhim në mënyrë të dhunshme biznesin nëpërmjet referencave në një kohë krize globale. Duhet të jemi të përgatitur më mirë për të përballuar krizën duke spostuar shumicën e shpenzimeve për 6-mujorin e dytë të vitit 2009. Ne do të jemi konstruktivë, shpresoj që qeveria të na dëgjojë”, - deklaroi ai.

Leskaj: Qeveria të reflektojë për mesazhet e BE-së

Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi dje se qeveria shqiptare duhet të reflektojë nga mesazhet që i vijnë nga BE-ja. Referuar deklaratës së disa ambasadorëve të BE-së për Shqipërinë, Leskaj tha se

në deklaratën që ka shpërndarë BE-ja, vihet edhe një herë theksi në çështjet themelore që e shqetësojnë duke bërë të qartë se progresi në rrugën e integrimit varet nga përmbushja e kushteve dhe se çdo vend do gjykohet në bazë të meritës. Leskaj nënvizoi se zbatimi i ligjeve, administrata publike,

funksionimi i varfër i sistemit të drejtësisë për shkak të problemeve me pavarësinë, përgjegjshmëria dhe transparenca, korrupsioni që përshkruhet si një problem veçanërisht serioz dhe krimi i organizuar që mbetet një problem serioz për integrimin e vendit, çështja e pastrimit të parave, lufta ndaj të cilës është vetëm në fazën fillestare, janë disa prej çështjeve që përmenden në këtë deklaratë. Leskaj theksoi edhe një herë qëndrimin e PS-së dhe grupit parlamentar se vlerësojnë shumë seriozisht raportin mbi ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE.

Shamku: Arsimi shqiptar, në krizë identiteti

Kryetarja e komisionit të arsimit në Partinë Socialiste vërejti se sistemi arsimor në Shqipëri është zhytur në një krizë të thellë funksionale dhe identitare. Sipas saj, aktualisht ky sistem ka ngrirë në të gjithë sektorët edhe prej çorodisë së madhe financiare që e ka kapluar. “Është mjerim i plotë fakti që deri në fillim të tetorit, MASH-i realizoi vetëm 37% e buxhetit të caktuar për investime në arsim, çka do të thotë se plot 2/3 e fondeve, që kjo qeveri dha për arsimin, rrezikojnë të digjen. Dhe kjo nuk mund të tolerohet në një vend ku mungesa e investimet në arsim po shkakton shembjen e shkollave me nxënësit brenda (si në Shullaz 3-4 ditë më parë”, - shtoi Shamku. Sipas saj, dorëheqja e qeverisë nga ky sektor gjoja parësor bëhet edhe më e prekshme kur shqiptarët shohin peshën, a më saktë mungesën e peshës, që ka arsimi në buxhetin e vitit 2009. “Tre vjet e ca më parë Berisha u mori votat shqiptarëve me klithmën se arsimi ishte prioritet i prioriteteve. Dhe vijon të klithë me fjalë, por hesht me shifra”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›