E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eagle Mobile, 670 orë falas për abonentët e saj

 

Surpriza të reja nga kompania më e re e telefonisë celulare "Eagle Mobile". Kjo kompani u ka dhënë mundësinë 67 abonentëve riniring të fitojnë nga 670 orë (40200 minuta) falas secili dhe 670 abonentëve të tjerë po riniring, të fitojnë dhe të dërgojnë brenda muajit të ardhshëm 6700 SMS falas secili brenda këtij grupi. Mëse 6000 abonentë riniring u bënë pjesë e kësaj fushate, duke dërguar një SMS, që kushtonte vetëm 1 lek. Kjo fushatë zgjati mes datave 01-30 tetor 2008 dhe përzgjedhja u krye më 31 tetor në një ceremoni të hapur për gazetarët dhe nën mbikëqyrjen e noterit, në një prej dyqaneve të Eagle Mobile në Tiranë. Abonentëve me fat do t'u ngarkohen orët falas dhe SMS-të më datën 01 nëntor dhe do të jenë të vlefshme deri më 30 nëntor 2008.  Abonentët duhet të kenë aktiv numrin e tyre riniring ditën e parë të nëntorit, që të përfitojnë nga orët apo SMS-të falas. "Të gjithë janë dëshmitarë se Eagle Mobile po e mban fjalën e dhënë, për të ndryshuar tregun shqiptar të telekomunikacionit. Revolucioni ynë do vazhdojë. Dhe me kënaqësi duhet ta pranoj se qytetarët shqiptarë e kanë përshëndetur dhe mirëpritur punën tonë, duke u anëtarësuar përditë e më tepër në familjen e Eagle Mobile", tha drejtori i përgjithshëm i kompanisë Ali Taskin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›