E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ryshfet pas operacionit, kapet kirurgu

 

Dashamir Biçaku

Arrestohet për korrupsion, kirurgu i spitalit të burgut në Tiranë. Ardian Nelaj, 38 vjeç, shef i repartit të kirurgjisë në spitalin e burgut në kryeqytet, ra në pranga me akuzën se ka marrë ryshfet nga familjarët e një pacienti nga Durrësi, i cili u operua dje në urgjencën nr.2 të QSUT. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, sipas të cilave, në momentin e arrestimit, kirurgu sapo kishte përfunduar operacionin e pacientit nga Durrësi dhe kishte marrë paratë e kërkuara nga të afërmit e tij. Aksioni është organizuar nga agjentët e Antikorrupsionit në policinë e Tiranës në drejtimin e Zyrës Task-Force në Prokurorinë e kryeqytetit, e cila drejtoi hetimet e këtij rasti. Sipas përgjimeve ambientale dhe regjistrimeve filmike, që janë bërë në ambientet e spitalit, kirurgu ka marrë 30 mijë lekë të reja ryshfet nga të afërmit e pacientit të operuar në stomak. Para ndërhyrjes kirurgjikale ai u kishte thënë atyre se "operacioni ishte i garantuar, porse nevojiteshin të paktën 20 mijë lekë të reja". Për këtë shkak, aksioni policor që arrestoi kirurgun u kodua me emrin "Standard i Garantuar". Pasi i kanë vënë prangat, teksa po fuste në xhep paratë që kishte marrë ryshfet, agjentët e policisë i kanë gjetur kirurgut edhe 550 mijë lekë të reja, 760 euro si dhe 100 dollarë. Ato dyshohet se janë përfituar nga mitmarrja pas vizitave dhe operacioneve të kryera prej kirurgut. Ai ishte i atashuar në spitalin e burgjeve, por kishte një kontratë për të punuar edhe në QSUT si mjek i jashtëm. Burimet zyrtare nga policia, thanë se Ardian Nelaj me profesion mjek-kirurg dhe me detyrë shef i klinikës së spitalit të Burgut është kapur në flagrancë, duke marrë para në ambientet e QSUT. Policia tha se kirurgu ishte filmuar, ndërsa merrte një sasi prej 30 mijë lekësh nga të afërmit e një pacienti me banim në qytetin e Durrësit. Pasi kishte marrë informacion për veprimet korruptive të mjekut, Zyra Task Force autorizoi policinë për vendosjen e kamerave dhe përgjuesve në ambientet e spitalit me anë të së cilave është fiksuar e gjithë skena e ngjarjes. Pacienti nga Durrësi është operuar ditën e djeshme nga kirurgu Ardian Nelaj, në spitalit civil nr.2, në qendrën spitalore "Nënë Tereza". Sipas të dhënave të policisë, ndërhyrja kirurgjikale tek klienti ka përfunduar me sukses dhe këtë fakt, kirurgu ua ka komunikuar familjarëve dhe të afërmve të pacientit. Pas kësaj në dhomën e tij, mjeku ka marrë pagesën e kërkuar, 30 mijë lekë të reja. E gjithë skena është filmuar dhe përgjuar nga oficerët e zyrës së antikorrupsionit të antikrimit ekonomik në policinë e Tiranës. Këta të fundit, prej disa javësh mbanin nën vëzhgim kirurgun me detyrë shef i klinikës së spitalit të Burgut, njëkohësisht mjek kirurg në spitalin civil. Ai dyshohej edhe më parë për veprimtari korruptive, ndërsa dje i afërmi i pacientit të operuar i ka lënë paratë në dorë, të cilat kirurgu i ka futur në xhep. Menjëherë agjentët i kanë vënë prangat mjekut, duke i pohuar se ishte në gjendje arresti për akuzën e ushtrimit të korrupsionit aktiv të personave, që ushtrojnë funksione publike. Hetuesit kanë nisur kontrollin fizik të kirurgut dhe dhomës së tij. Gjatë këtij kontrolli, agjentët e antikorrupsionit, kanë gjetur një shumë prej parash prej 545 mijë lekë, kartëmonedha të prerjes 5 mijë dhe 1 mijë lekëshe të reja. Janë bllokuar gjithashtu edhe 760 euro si dhe një kartëmonedhë e prerjes 100-dollarëshe.

Paratë e mjekut

Sekuestruar
545 000 lekë
760 euro
100 dollarë

20 mijë lekë, shuma që kërkonte mjeku
për çdo operacion

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›