E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Pronat e Lul Berishës, çfarë duhet konfiskuar



Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar dje gjykatës të konfiskojë disa nga pronat e sekuestruara për këtë të pandehur. Njëra pas tjetrës, përfaqësuesi i akuzës ka renditur trojet, apartamentet, garazhet, ullishtet, frutoret apo dhe makinat që duhen konfiskuar, për shkak se janë vënë nga i pandehuri për përfshirjen në aktivitete kriminale. Në seancën e radhës pritet që avokati të shprehë pretendimet e tij dhe më pas gjykata të shpallë vendimin. I cilësuar si kreu i “Bandës së Durrësit”, Lulëzim Berisha ka në pronësi të tij një numër të madh pasurish, për të cilat Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon konfiskimin dhe kalimin e tyre në pronësi të shtetit. Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së quajtur “Arë” me sipërfaqe prej 6000 m2, e ndodhur në N. B. Frutore Durrës, e regjistruar në zonën kadastrale numër 1574. Kjo pasuri është blerë nga i pandehuri Lulëzim Berisha më datë 08 janar të vitit 2005 nga shtetasi Azem Dulla me vlerë prej njëqind mijë lekësh. Po ashtu është kërkuar konfiskimi i një sipërfaqeje prej 9000 m2, po në “Arë”, e blerë nga i pandehuri Lulëzim Berisha më datë 27 dhjetor 2003 nga shtetasi Arben Gojani në vlerën prej pesëqind mijë lekë. Po në këtë zonë prokuroria kërkon konfiskimin e sipërfaqes prej 4000 m2, e blerë nga Berisha më datë 26 dhjetor 2003 nga shtetasi Bajram Sukaj, me vlerën prej njëqind mijë lekë. Kreu i “Bandës së Durrësit” rrezikon të humbasë përfundimisht edhe një pasuri të quajtur “Ullishte”, me sipërfaqe prej 1500 m2, e ndodhur në fshatin Shkallnuer të rrethit Durrës, e blerë nga bashkëshortja e tij, Valbona Berisha, më datë 23 mars të vitit 2004 nga Leonard Koka në vlerën prej një milion lekësh. Në pronësi të Berishës ndodhet një pasuri e quajtur “Truall”, e ndodhur në lagjen numër 17 të qytetit të Durrësit, me një sipërfaqe prej 3.300 m2. Kjo pronë është e ndarë në dy pjesë, ku njëra është me sipërfaqe prej 2.494 m2, ndërsa pjesa tjetër arrin sipërfaqen prej 806 m2. Jashtë pronave të familjes Berisha, akuza i kërkon gjykatës edhe një pasuri me sipërfaqe prej 234 m2 e dokumentuar, me emrin “Kaldaja”, e cila është në emër të motrës së të pandehurit, Luljeta Berishës. Gjithashtu, prokuroria kërkoi edhe konfiskim për 33 apartamente në pronësi të Berishës dhe 23 garazhe. Ndërsa prona e fundit e kërkuar nga akuza është një automjet i llojit fuoristradë, e tipit “BMW X5”, me targa DR 4500 D.

Pasuritë për konfiskim

Pasuria e quajtur “Arë” me sipërfaqe prej 6000 m2, e ndodhur në N. B. Frutore Durrës, e regjistruar në zonën kadastrale numër 1574, blerë në vitin 2005 nga Azem Dulla për njëqind mijë lekë

Sipërfaqe prej 9000 m2, po në “Arë”, e blerë nga i pandehuri Lulëzim Berisha më datë 27 dhjetor 2003 nga shtetasi Arben Gojani në vlerën prej pesëqind mijë lekë.

Sipërfaqe prej 4000 m2, e blerë prej Berishës më datë 26 dhjetor 2003 nga shtetasi Bajram Sukaj, me vlerën prej njëqind mijë lekë

Pasuri të quajtur “Ullishte”, me sipërfaqe prej 1500 m2, e ndodhur në fshatin Shkallnuer të rrethit Durrës, e blerë nga bashkëshortja e tij Valbona Berisha më datë 23 mars të vitit 2004 nga Leonard Koka në vlerën prej një milion lekësh

Një pasuri e quajtur “Truall”, e ndodhur në lagjen numër 17 të qytetit të Durrësit, me një sipërfaqe prej 3300 m2, e ndarë në dy pjesë, njëra është me sipërfaqe prej 2.494 m2, ndërsa pjesa tjetër arrin sipërfaqen prej 806 m2

234 m2 e dokumentuar, me emrin “Kaldaja”, e cila është në emër të motrës së të pandehurit, Luljeta Berishës

33 apartamente dhe 23 garazhe në pronësi të Lulëzim Berishës

Një automjet i llojit fuoristradë, e tipit “BMW X5”, me targa DR 4500 D

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›