Vlorë, Kollozi, qytetarëve: Tërhiqni kartat e identitetit
PD-ja e Vlorës kërkon nga qytetarët e saj që të tërheqin kartat e identitetit, për të krijuar mundësi për pjesëmarrjen në procesin e votimeve në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë një vizite në mjediset e zyrave, ku kryhen aplikimet dhe shpërndarja e kartave të identitetit, kryetari i degës së PD-së, Ardian Kollozi, njëkohësisht kandidat për deputet për qarkun e Vlorës, theksoi se pajisja e qytetarëve me këtë dokument është shprehje e vullnetit dhe vendosmërisë për të zhvilluar një proces të standardeve më të përparuara. Ai tha se procesi i aplikimit po ecën me ritme mjaft të shpejta dhe po ashtu duhet të kryhet edhe tërheqja e kartave të identitetit. Kollozi, i shoqëruar edhe nga kandidatë të tjerë të Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës, u kërkoi bashkëqytetarëve që pavarësisht radhëve që ekzistojnë aktualisht pranë zyrave përkatëse, të tërheqin letërnjoftimet e prodhuara, gjë që përbën një kusht për të shprehur vullnetin e tyre në 28 qershor. Në rrethin e Vlorës, kanë aplikuar deri tani për t’u pajisur me kartat e identitetit më shumë se 60 mijë persona.