Ministria e Drejtësisë, gati lista e dytë për 4 mijë ish-të dënuar politikë
Ministria e Drejtësisë është duke mbyllur listën e dytë të dëmshpërblimit për rreth 4 mijë ish-të dënuar politikë, e cila do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave për miratimin përfundimtar. Ky deklarim është bërë dje për median nga Marsida Xhaferllari, drejtore e Përgjithshme e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë dhe e ngarkuar nga ministri Alibeaj për ndjekjen e procesit të dëmshpërblimit financiar të ish-të dënuarve politikë. Sipas Xhaferllarit, lista e publikuar dje në media nuk është një listë e plotë, pasi ajo është një listë me emrat e ish-të dënuarve politikë drejtuar Ministrisë së Financave, Entit Kombëtar të Banesave dhe Zyrës së Pasurive të Paluajtshme për verifikimin e përftimeve që ish-të dënuarit kanë marrë më parë. Emrat e përfituesve të dalë në këtë listë janë edhe në listën përfundimtare, por bashkë me ta ka edhe emra të tjerë, verifikimi (nga Financat, Enti i Banesave dhe ZRRPP) për të cilët tashmë ka mbaruar. Në këtë listë të dytë janë rreth katër mijë emra fitues. Në Ministrinë e Drejtësisë janë depozituar rreth 19 mijë kërkesa për dëmshpërblim financiar. Sipas drejtoreshës së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, procesi i dëmshpërblimit është një proces që zgjat. “Ministria e Drejtësisë ka rolin qendror në procedurën administrative të shqyrtimit të kërkesave, megjithatë ky është një proces i lidhur edhe me institucionet e tjera, pasi ne e rakordojmë informacionin me Ministrinë e Brendshme, me Ministrinë e Mbrojtjes, Arkivin e Shtetit, SHISH, Ministrinë e Financave, Entin e Banesave dhe ZRPP-në, sigurisht edhe me qytetarët, sepse ka disa dokumente që duhet t’i paraqesin ata”, - saktësoi Xhaferllari. Sipas saj, i gjithë ky bashkërendim sjell shtrirje në kohë të gjithë procesit, i cili nuk mbaron me paraqitjen e kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë. Me përfundimin e procesit administrativ, dosjet e përfunduara që i kanë aktet e plota përfshihen në një listë dhe kjo listë dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave, pra është Këshilli i Ministrave autoriteti që vendos përfitimin e dëmshpërblimit financiar. “Në këto momente, Ministria e Drejtësisë është duke mbyllur listën e dytë që do t’ia dërgojë Këshillit të Ministrave”, - përfundoi drejtoresha e Kodifikimit, e ngarkuar për të ndjekur procesin e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë.