E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: “Shtyrja e afateve për Fazliç, e ligjshme”

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Prokuroria i cilëson të ligjshme hetimet për biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazliç. Të kontaktuar nga gazeta, burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se shtyrja e afateve të hetimit është bërë brenda parashikimeve në ligj. Sipas burimeve, është e drejta e çdokujt për të bërë padi, por është gjykata ajo që vendos nëse kërkesa është e drejtë apo jo. Burimet saktësojnë se është e drejta e grupit të hetimit të kërkojë zgjatjen e afateve, nëse është e nevojshme dhe nëse atë ia lejon ligji. Në rastin në fjalë, shtyrja e hetimeve është brenda dispozitave ligjore. Por, me sa duket, avokati i serbo-boshnjakut Damir Fazliç nuk pranon zgjatjen e hetimeve duke kërkuar që ta sfidojë Prokurorinë duke e paditur në gjykatë. Sipas padisë së avokatit Genc Gjokutaj, shtyrja e hetimeve është e paligjshme, pasi hetimet i kanë kaluar afatet që në fillim të muajit prill. Burimet pranë Prokurorisë së Tiranës pohojnë se shtyrja e afateve të hetimeve është bërë për shkak të letërporosisë që është dërguar në Qipro, e cila është tepër e rëndësishme për hetimet ndaj biznesmenit Fazliç.
Afatet
Prokuroria, më tetë prill, vendosi të shtyjë afatet e hetimit ndaj Damir Fazliçit, në pritje të ardhjes së përgjigjeve të letërporosive të dërguara në disa shtete. Sipas akuzës, arsyeja e zgjatjes së afateve hetimore edhe për një muaj, konkretisht deri në datën 8 maj, është bërë për shkak të pritjes së përgjigjeve të letërporosive të dërguara në Qipro, Zvicër, Angli dhe Bosnje. Kjo e fundit, mësohet se ka kthyer përgjigje dhe dosja e ardhur po përkthehet në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë, ku mendohet se brenda saj janë identifikuar pritësit e rreth 500 mijë eurove të transferuara dhe të tërhequra nga Shqipëria në drejtim të Bosnjës nga vetë personi nën hetim, Damir Fazliç, dhe bashkëpunëtorët e tij. Ndërsa, prej disa ditësh njësia e task-forcës pranë Prokurorisë së kryeqytetit ka përfunduar veprimet hetimore e procedurale në ngarkim të Fazliçit në Shqipëri, ku është provuar vetëm fakti i blerjes së rreth 14 hektarë tokë në fshatin “Rinia” në Porto Romano në Durrës.
Padia
Kërkesa tashmë është hedhur në short elektronik nga kryesekretari i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe do të shqyrtohet nga gjyqtari i vetëm penalist Gjin Gjoni. Sipas kërkesës penale të dorëzuar nga avokati Gjokutaj, vendimi i prokurorëve për zgjatje të afatit të hetimit ndaj shtetasit Damir Fazliç edhe për një muaj është i pajustifikuar, pasi është e treta herë që i zgjaten afatet me të njëjtin objekt shtyrjeje, ardhjen e përgjigjeve të letërporosive. Pas caktimit të gjyqtarit është caktuar edhe data për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore. Seanca e parë do të zhvillohet në datën 4 maj, vetëm katër ditë para përfundimit të afateve të hetimit pas shtyrjes njëmujore. Kjo është hera e dytë që Damir Fazliçi, nëpërmjet avokatëve të tij, padit Prokurorinë. Në gjyqin e parë fitimtar ka dalë serbo-boshnjaku, pasi gjykata vendosi që të pranojë kërkesën e tij dhe të heqë urdhërsekuestron mbi pronat e tij.

Të kontaktuar nga gazeta, burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se shtyrja e afateve të hetimit është bërë brenda parashikimeve në ligj
Ky lajm është publikuar: 18/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›