E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet një tjetër filial banke, autorët të pamaskuar

Autori i Lajmit: red.
Një person i armatosur ka grabitur dje në mesditë një filial banke në Tiranë në rrugën “Ferit Xhajko”, pranë restorantit “Durrësi”. Autori, i armatosur me pistoletë, identiteti i të cilit ende nuk dihet, ka arritur të marrë nga filiali i bankës rreth 5 milionë lekë të vjetra vetëm nga sporteli dhe sipas burimeve të policisë nuk ka qëlluar me armë në momentin e grabitjes. Në një njoftim të vetë bankës thuhet se autori i maskuar ka kërcënuar punonjësit, por fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk është lënduar, por disa dëshmitarë okularë kanë rrëfyer se autori nuk ka qenë i maskuar. Sipas burimeve policore, grabitësi ka shmangur kamerat e sigurisë, çka shton dyshimet se kishte dijeni për mungesën e rojeve dhe pikat e dobëta të pajisjeve të sigurisë. Pasi ka marrë paratë, grabitësi ka dalë nga një derë e dytë e filialit të bankës nga ku mendohet se është ndihmuar nga persona të tjerë për t u larguar. Për ngjarjen departamenti i hetimit të krimit dhe oficerë të komisariatit numër 4 kanë ngritur një grup hetimor për të zbardhur detajet e grabitjes dhe për identifikimin e autorit.
Por rasti i djeshëm nuk është i vetmi në kryeqytet dhe në vend. Vetëm muajt e fundit kanë ndodhur disa grabitje me armë në disa filiale bankash. Për këtë arsye Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i ka dërguar letër guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, për të ndërmjetësuar për rritjen e masave të sigurisë në bankat e filialet e tyre të nivelit të dytë me rritjen e numrit të policëve privatë. Policia është vënë në ndjekje të autorëve dhe ka nisur hetimet për të zbardhur sa më shpejt ngjarjen. Inspektorët kanë marrë filmimet e bankës dhe po punojnë për zbardhjen e tyre. Gjithashtu, nga ana e policisë janë marrë në pyetje punonjësit e bankës dhe personat e rastit.
Ky lajm është publikuar: 18/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›