E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi në arsim, mësuesit do të pajisen me licencë për të ushtruar profesionin

Tafaj nënshkruan me sindikatat marrëveshjen për kontratën
Jonida Tashi

Mësuesit do të pajisen me licencë për të ushtruar profesionin e tyre. Kjo është një nga pikat e reja që është përfshirë në draftin e ri për Kontratën kolektive të punës në arsim. Për rrjedhojë, tashmë arsimtarët duhet të licencohen, pra të kenë marrë nëpërmjet konkursit një licencë, që të njoh aftësitë e tyre për të dhënë mësim në një lëndë të caktuar. Sipas kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Xhafer Dobrusha, kjo është një kërkesë për të arritur standardet që kërkon koha. “Kemi bërë marrëveshjen për draftin e ri të Kontratës kolektive, ku do të ketë gjëra të reja. Ky draft është i ndarë në tri pjesë dhe synon që licencimi i mësuesve të bëhet me disa kritere”,- ka sqaruar Dobrusha.
Marrëveshja
Lidhur me këtë çështje, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës, Xhafer Dobrusha dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar, Bajram Kruja, në rolin e punëmarrësit, nënshkruan dje midis tyre në Ministrinë e Arsimit, marrëveshjen për Kontratën kolektive të punës. Në këtë marrëveshje u ra dakord për disa ndryshime që duhet të ndodhin në dispozitat e kontratave të reja. Kontrata e rinovuar, e cila shënon fillimin e punës së grupit të MASH-it dhe grupeve të dy sindikatave, synon të ruajë të gjitha standardet e arritura dhe të zhvillojë më tej shumë prej tyre. “Qëllimi jonë i përbashkët është që standardet e kontratës të jenë një bazë e mirë për zhvillimin e reformës së sistemit tonë arsimor në të gjitha këndvështrimet, duke filluar nga rritja e statusit të mësuesit dhe e nivelit të kualifikimit të tyre deri tek tërësia e masave që ndërmerr MASH dhe qeveria, për rritjen e kualifikimit të mësuesve në detyrë që garantojnë punësim në bazë të meritës”,- u shpreh kreu i Arsimit.
Ndryshimi
Mbështetur në Ligjin Nr.7961 datë 12.7.1995 (me ndryshimet përkatëse) dhe Kontratën kolektive të datës 4 korrik 2006, neni 18, pika 2, afati i kontratës ekzistuese do të zgjatet deri në nënshkrimin e një kontrate të re, që do të përfshijë ndryshimet, plotësimet dhe përmirësimet që do t’i bëhen kontratës që është sot në fuqi. Ministria e Arsimit, bazuar në Kontratën kolektive ekzistuese, në kontratat kolektive të mëparshme, në dispozitat e Kodit të Punës për Kontratën kolektive dhe dokumentacionin që sindikatat kanë depozituar në MASH, ka deklaruar se do të njoh legjitimitetin e këtyre dy sindikatave, si pala e vetme, përfaqësuese, për fillimin e negociatave për ripërsëritjen e Kontratës kolektive të punës, të datës 4 korrik 2006. Të dyja palët nënshkruan që procesi i negocimit për ripërtëritjen, ndryshimin, plotësimin dhe përmirësimin e Kontratës kolektive të punës të fillojë nga data e djeshme. Në këtë kontratë specifikohen ndryshimet e disa dispozitave ekzistuese dhe përfshirja e dispozitave të reja, që diktohen nga angazhimet e të dy palëve për zhvillimin me sukses të procesit të reformimit dhe modernizimit të arsimit; të kërkesave që rrjedhin nga plotësimi i standardeve të sotme europiane, për një arsim cilësor dhe krijimin e shanseve të barabarta për të gjithë.

Drafti i ri, sa vite pune i duhen një arsimtari për t’u licencuar

Tashmë Ministria e Arsimit e ka gati draftin për reformën e sistemit të zhvillimit profesional të mësuesve, i cili duhet vetëm të miratohet nga qeveria për të nisur zbatimin në praktikë. Përveç ndryshimit të skemës së kualifikimit në arsim, që nuk do të jetë më me shkallë por me tituj, në draftin e ri është përfshirë edhe Strategjia e zhvillimit profesional të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës. Në këtë strategji janë përcaktuar të gjitha detajet për skemën e re të kualifikimit të arsimtarëve si dhe si do të kryhet licencimi i tyre. Specialistët e Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT), që janë marrë me hartimin e draftit të ri për kualifikimin e arsimtarëve sqarojnë se kërkimet kanë dëshmuar një lidhje të fortë midis mënyrës si asistohen mësuesit herët në karrierën e tyre dhe shansit për të përparuar deri në nivele të larta të kompetencës. Për këtë arsye propozohet periudha e licencimit të tyre. Sipas argumentimit të specialistëve të IKT-së, megjithëse profesioni i mësuesit ka për parakusht një diplomë të shkollës së lartë, që është e nevojshme për t’u punësuar në arsim, ajo nuk është e mjaftueshme për ushtrimin e profesionit të mësuesit. Në këto kushte, sipas tyre, pasuniversitarit kandidat për mësues do t’i duhet të ushtrohet në profesion për një periudhë të caktuar kohe dhe pasi të plotësojë standardin e mësuesit, do të fitojë të drejtën të ushtrojë profesionin, duke marrë licencën e mësuesit. Periudha e licencimit ka një numër minimum vitesh shkollore (një vit) dhe një numër maksimum vitesh shkollore (katër vjet). Nëse mësuesi fillestar nuk aplikon për katër vjet rresht për titullin “Mësues”, ai e humbet të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit. Ndërsa përsa i përket pagës së mësuesve fillestar, parashikohet që ajo të jetë shumë afër atij të mësuesit të shkallës pasuese të karrierës, në mënyrë që të mos defavorizohet mësuesi fillestar. Sakaq, gjatë periudhës së licencimit, mësuesi fillestar do të ndihmohet nga një mësues i një shkalle më të lartë të karrierës (mentori).

Urdhri i Mësuesit, institucioni që do të regjistrojë arsimtarët
Ndonëse deri më sot nuk ka ekzistuar një institucion për të mbrojtur figurën e mësuesit, në draftin e ri, Ministria e Arsimit ka parashikuar ngritjen e Urdhrit të Mësuesit. Në këtë Urdhër do të jenë të regjistruar të gjithë personat që kanë titullin “Mësues”. Vetëm mësuesit e regjistruar në këtë Urdhër kanë të drejtë të aplikojnë për tituj të karrierës dhe role profesionale. Anëtari i Urdhrit të Mësuesit firmos Kodin Etik të Urdhrit. Ky kod përcakton standardin etik të mësuesit ndaj nxënësve dhe përmban rregulla të cilat kanë të bëjnë me keqtrajtimin e nxënësve. Urdhri i Mësuesit lehtëson mbrojtjen juridike të një mësuesi, kur pretendon t’i jetë cenuar figura e tij si punonjës ose është shkelur ligjshmëria ndaj tij si punonjës. Komiteti drejtues i Urdhrit mundet t’i heqë mësuesit të drejtën e ushtrimit të profesionit ose ta pezullojë atë dhe vetëm ai ka të drejtë t’i ulë një mësuesi shkallën e titullit të karrierës përfundimisht ose përkohësisht.

Shkallët e karrierës së mësuesit
Shkallët e njëpasnjëshme të karrierës së mësuesit do të jenë:
“Mësues fillestar” (sapo ka marrë diplomën universitare të Mësuesisë)
“Mësues” ose “Mësues i licencuar”
“Mësues specialist”
“Mësues mjeshtër”

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›