E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria çon kërkesën në Suedi: Na dorëzoni të kërkuarën Zylfie Haklaj

TIRANE- Prokuroria shqiptare i ka kërkuar në rrugë zyrtare autoriteteve të drejtësisë suedeze ekstradimin e Zylfie Haklajt, e akuzuar në Shqipëri për të paktën dy vrasje. 

Haklaj, 45 vjeçe, është arrestuar në Goteborg të Suedisë rreth një muaj më parë. Ajo u ndalua prej policisë vendase, ndërsa kishte aplikuar për të fituar të drejtën e azilit politik në Suedi. Lajmi është bërë i ditur dje, ndërsa sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, dosja është nisur nëpërmjet Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Drejtësisë. Zylfie Haklaj është e dënuar nga Gjykata e Tiranës me 25 vite burg për vrasjen e kryer në vitin 2002 në qendër të qytetit të Tropojës. Në atentatin për të cilin akuzohet se është kryer prej Zylfie Hakljat, mbetën të vdekur Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani, në muajin prill të gjashtë viteve më parë. Nga ky atentat mbetën të plagosur edhe Izet Dusha dhe Hysen Biberaj, të cilët morën plumba nga të shtënat e armës së një personi që, sipas Gjykatës së Tiranës, ka qenë Zylfie Haklaj. E dënuara u arrestua një muaj më parë nga policia suedeze në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar në ngarkim të saj prej gjykatës së Tiranës. Rreth pesë vite pas shpalljes së saj në kërkim ndërkombëtar, Zylfie Haklaj u arrestua në vendin nordik, atje ku jetonte edhe familja e vëllait të saj të madh, Hamdi Haklaj, i vetmi i mbetur gjallë nga vëllezërit e tjerë. Dje burimet zyrtare konfirmuan se Prokuroria shqiptare i ka dërguar zyrtarisht autoriteteve suedeze kërkesën për ekstradimin e shtetases së kërkuar Zylfie Haklaj. Në dosjen e dërguar për shqyrtim palës suedeze, sipas burimeve të akuzës, janë pasqyruar akuzuat, provat penale dhe vendimet e dënimit të dhëna nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e dy personave në Tropojë në vitin 2002. Po kështu si prova në dosjen e dërguar suedezëve, janë referuar edhe gjurmët e gishtave, fotografi dhe deklarime të nevojshme për procedurat që do të kryhen në organet e drejtësisë suedeze. Pak muaj para arrestimit të Zylfie Haklajt, një gjykatë suedeze në Goteborg i ka dhënë të drejtën e azilit politik të vëllait të saj Hamdi Haklaj. Sipas gjykatës, të arrestuarit nuk i garantohej një proces i drejtë gjyqësor në Shqipëri për akuzat që janë ngritur ndaj tij. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›