E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e vajzës nga droga, akuzë mjekut

“Jemi një çift që jetojmë për qejf. Kërkojmë një çift tjetër që të bashkëjetojë me ne. 

Fatos Mahmutaj

 Premtojmë se do kalojmë momente të paharrueshme së bashku”. Sapo e ka lexuar këtë mesazh në njërën nga gazetat e përjavshme, një çift 40-vjeçarësh nga Lushnja kanë telefonuar në numrin që kishin lënë njoftuesit poshtë mesazhit. Pasi janë bindur të katër personat se kishin shkallën e duhur të emancipimit dhe se nuk kishin koncepte “fshati” në kokë, kanë vendosur të kalonin së bashku momentet e paharrueshme në Tiranë. Gjithçka ka ndodhur më 8 prill të vitit të kaluar në një banesë në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet. Pasi janë bashkuar katër të rinjtë kanë konsumuar pije alkoolike, tonike e kokainë dhe nën efektin e tyre kanë kaluar momente “të paharrueshme”, siç ishin shprehur në njoftim. Në mëngjes, çifti që kishte udhëtuar nga Lushnja, Sh.Xh., dhe K.Xh., janë larguar sërish drejt qytetit të tyre. Ndërsa “mikpritësit”, pasi kanë përshëndetur miqtë kanë përfunduar në Spitalin Ushtarak. Si pasojë e konsumimit të sasive të tepërta të alkoolit dhe kokainës, vajza ishte intoksikuar. I dashuri i saj 24-vjeçar, i ndihmuar edhe nga një shok i tij e dërgon vajzën me të shpejtë në spital dhe pasi i jep ndihmën e parë, mjeku u thotë se ajo ka dalë nga rreziku. Në këtë moment, dy personat që kishin dërguar vajzën në spital i japin mjekut N.F., një kartëmonedhë 5 mijë lekëshe (të reja), të cilat ai i fut në xhep. Pasdite ata e marrin vajzën 30-vjeçare R.V., dhe ndërsa po e kthenin për në banesë shëndeti i saj përkeqësohet dhe pasi e kthejnë sërish në spital ajo bie në agoninë e vdekjes. Në këtë kohë mjeku N.F., detyrohet të kthejë pas kartëmonedhën pesë mijë lekëshe, ndërsa policia e regjistron veprën si vetëvrasje. Pak javë më vonë hetuesit zbulojnë në bazë të ekspertizës se nuk kishin të bënin me vetëvrasje, por një toksikim nga kokaina. Hetimi i zgjeruar me detaje të tjera, përfshin mjekun për “mjekim të pakujdesshëm” dhe “ryshfet”, ndërsa merret nën hetim edhe i dashuri 24-vjeçar i saj, inicialet e të cilit janë V.H. Prej pak ditësh dosja ka mbërritur në Gjykatën e Tiranë dhe pas hedhjes së shortit elektronik i është dorëzuar një trupi gjykues për ta shqyrtuar atë. Seanca e parë e kësaj çështjeje pritet të zhvillohet më datë 6 qershor, kur pritet të pyeten si dëshmitarë i dashuri i viktimës dhe çifti nga Lushnja që kaloi natën me ta. Ndërsa mjeku gjatë hetimeve ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës, duke pohuar se ryshfetin këta ia kishin futur në xhep dhe se ai ua kishte kthyer sapo kishte mësuar këtë fakt, ndërsa në lidhje me “mjekimin e pakujdesshëm” ai ka pohuar se vajza ka vdekur nga kokaina dhe ishte e pamundur të shpëtohej. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›