E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet takimi mes Delijorgjit dhe Lun Hoxhës

Pesë ditë para nisjes së punës Shefi i Shtabit të Përgjithshëm “certifikoi” punishten që i mori jetën 26 njerëzve

TIRANË- Grupi hetimor i ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, me marrjen e një numri të madh dëshmish, ka arritur të zbardhë takimin “sekret” të administratorit të kompanisë “Albademil” i arrestuar tashmë Mihal Delijorgji dhe ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha. Sipas burimeve të prokurorisë, disa nga dëshmitarët me detyrë ish-punonjës të punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec dhe vetë ish-Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, gjatë shpjegimeve të tyre para hetuesve kanë dëshmuar për takimin mes Delijorgjit dhe Hoxhës. Ky takim ka ndodhur pesë ditë para fillimit të procesit të demontimit të municioneve.

“Nga veprimet hetimore të kryera deri më tani dhe marrjes në pyetje të disa dëshmitarëve kryesorë, që në kohën e funksionimit të punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec kishin detyra të ndryshme, si dhe gjatë shpjegimeve të lira të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu konfirmohet ky takim i ardhur si pasojë e kontrollit të ushtruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm Hoxha në atë kohë. Pesë ditë para se nisjes së çmontimit të municioneve dhe predhave në ish-repartin e tankeve të sajuar si punishte demontimi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, bashkë me disa ushtarakë të tij ka shkuar për kontroll në këtë punishte. Në hyrje, tek porta kryesore, gjeneral Hoxha është pritur nga vetë presidenti i kompanisë “Albademil” shtetasi Mihal Delijorgji, ku pas një inspektimi nëpër fabrikë në prani të përfaqësuesit të SAC-it, gjeneral Hoxha ka lënë punishten e Gërdecit duke u përcjellë sërish deri te porta nga Delijorgji”,- thuhet nga prokuroria. Sipas tyre, ish-ministri Mediu gjatë dëshmisë së tij, e ka konfirmuar këtë takim, duke shtuar se pas këtij inspektimi të kryer, ushtarakët janë shprehur se fabrika plotësonte kushtet. “Tre ditë para fillimit të çmontimit të municioneve, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ka sjellë në Ministri një procesverbal të shoqëruar me firmën e tij dhe disa ushtarakëve se punishtja e ngritur në Gërdec plotësonte kushtet dhe ishte si “farmaci” “e pastër”,-thuhet nga prokuroria, të cilët i referohen procesverbalit të dëshmisë së deputetit pa imunitet Mediu. Gjithashtu, këto burime të akuzës konfirmuan për “Shekullin” edhe takimin e mbajtur brenda ambienteve të fabrikës mes Mihal Delijorgjit dhe dy gjeneralëve që tashmë janë shkarkuar, Shpëtim Spahiu dhe Zija Baja, të cilët kanë marrë pjesë gjithashtu në prezantimin e strukturës së çmontimit të municioneve nga përfaqësuesit e SAC-it. Sipas akuzës, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Hoxha, dhe gjeneralët Spahiu dhe Baja kishin dijeni që në fillim se kompania e Delijorgjit do të kryente punimet e marra nga SAC-i Amerikanë.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, kryeprokurorja Ina Rama, me kërkesë të grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit, me firmën e saj i ka zgjatur afatet e hetimit edhe për tre muaj ndaj të pandehurve Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli dhe Ylli Pinari. Menjëherë pas kësaj zgjatje afatesh, hetuesit e prokurorisë kanë marrë në pyetje për 7 orë dy personat më të afërt të deputetit Mediu gjatë kohës që ai ka qenë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. “Me kërkesë të prokurorëve është marrë në pyetje ish-këshilltari ligjor i ish-Ministrit Mediu dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes”,- thuhet nga prokuroria. Shkak për marrjen e tyre sërish në pyetje, mësohet se janë bërë provat e reja të dala nga pyetja e deputetit Mediu, i cili ka përmendur në dy raste dy bashkëpunëtorët e tij në lidhje me procedurat e punës së përcaktimit të Gërdecit dhe bazës ligjore të urdhrave të lëshuara nga ish-ministri Mediu për ushtarakët në lidhje me punishten e Gërdecit, ku nga shpërthimi i 7000 tonëve barut gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen.

Mediu ka fajësuar ata për shpërthimin e Gërdecit dhe prokuroria do t’iu japë mundësinë të mbrohen para akuzave

Prokuroria: Do të pyesim të gjithë gjeneralët

TIRANË- Të gjithë gjeneralët e ushtrisë shqiptare që kanë pasur dijeni për demontimin e municioneve në Gërdec dhe i janë përmendur emrat e tyre nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjatë dëshmisë së tij, do të rithirren për të dhënë shpjegime në lidhje me “akuzat” e deputetit drejtuar atyre. Ky lajm konfirmohet nga burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilët shtuan se disa ushtarakë kanë dhënë dëshmitë e tyre për ngjarjen e ndodhur në ish-repartin e tankeve në Gërdec, por, grupi hetimor do t’i pyesë sërish pasi deputeti Mediu ka drejtuar gishtin në drejtim të tyre si përgjegjës për shpërthimin e 700 tonëve barut, që u shkaktua nga veprimet dhe mosveprimet e tyre. Sipas akuzës, do të merret në pyetje, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha, gjeneralët e shkarkuar Zija Baja e Shpëtim Spahiu dhe ushtarakët e tjerë që kanë punuar pranë ndërmarrjes MEICO-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Mësohet se gjeneralët do të japin shpjegime për punën dhe zbatimin e urdhrave të ish-ministrit Mediu para ngritjes së punishtes, gjatë furnizimit të kësaj punishteje dhe pas shpërthimit të saj, pasi sipas deputetit Mediu kanë qenë ushtarakët ata që kanë ideuar vendin e ngritjes së kësaj punishteje. Gjithashtu, po këto burime bënë të ditur se gjatë ditëve në vazhdim, me kërkesë të grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit, priten të rimerren në pyetje edhe personat nën hetim Dashnor Çaushaj e Sokol Ngjeçi, të cilët po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.MJAFT sjell ekspertin holandez për Gërdecin

TIRANË- Organizata MJAFT me kërkesë të familjarëve të viktimave të Gërdecit kanë sjellë nga Holanda një ekspert mjedisi, i cilido të kryejë matjen e ndotjes mjedisore në fshatin Gërdec, Marqinet, Marikaj e Vorë. Sipas burimeve pranë organit të akuzës, mësohet se raporti përfundimtar i këtij eksperti holandez do t’i bashkohet fashikullit të hetimit me kërkesë të avokatëve të familjarëve të viktimave të shpërthimit të 700 tonëve barut në ish-punishten e çmontimit të municioneve dhe predhave luftarake nga kompania shqiptare “Albademil” me pronar Mihal Delijorgjin tashmë i arrestuar. Ndërkaq, burime pranë avokatëve të viktimave të Gërdecit organi i akuzës ende nuk është shprehur në lidhje me ligjshmërinë e tyre në këtë proces hetimor, duke mos i legjitimuar që të jenë pjesë e këtij hetimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›