Prokuroria dështon në ndalimin e Fazlliçit, policia nuk përfilli fletëthirrjen
Prokuroria nuk arriti dot dje të ndalojë shtetasin boshnjak, Damir Fazlliç, i cili u soll nën masa sigurie me avion charter për të dhënë një intervistë televizive në TV “Klan”. Prokurorët kanë protokolluar me urgjencë fletëthirrjen, sapo kanë marrë vesh që Fazlliç ka mbërritur në Tiranë, dhe urdhri i është dërguar numrit një të policisë në Rinas. Ky i fundit ka refuzuar ta marrë urdhrin, pasi ka qenë i angazhuar të shoqëronte biznesmenin që prokuroria po përpiqet të hetojë. Lufta e ftohtë ka nisur që në momentin kur prokuroria ka mësuar se Fazlliç kishte mbërritur nën masa sigurie në Tiranë dhe ka vendosur vetëm të marrë në pyetje Fazlliçin. Këshilltari i kryeministrit Berisha, Neritan Sejamini, i cili shoqëronte Fazlliçin, ka mundur të përdorë dhe emrin e kryeministrit për të shmangur ndalimin e tij.
Dje në mbrëmje, prokuroria ka nisur të sekuestrojë kasetat e Rinasit dhe të mbledhë faktet për njerëzit që e shmangën atë nga ballafaqimi me prokurorinë. Skandali, i cili dëshmon mbrojtjen politike që shteti i bën personave që kërkohen nga drejtësia, dëshmon po ashtu dhe luftën e ftohtë mes ekzekutivit dhe drejtësisë.
***
I shumë-akuzuari nga Bosnja erdhi pak para mesdite në Tiranë me një avion charter dhe shkoi në TV “Klan”. Ai u fut gati në ilegalitet në ndërtesë dhe doli prej saj me një makinë modeste të TV “Klan”-it që të mos kuptohej nga gazetarët.
Gjatë gjithë kësaj kohe policia dëshmoi një arrogancë të jashtëzakonshme, duke e mbajtur larg gazetarëve Fazlliçin, e duke u vendosur në këtë mënyrë në shërbim të TV “Klan”.
Damir Fazlliç dha një intervistë prej 75 minutash, në televizionin pranë qeverisë, për gazetarin Blendi Fevziu. Kjo intervistë mësohet se do të transmetohet vetëm sot në mbrëmje.
Pas regjistrimit të intervistës, Fazlliç i shoqëruar nga disa automjete, ku ka dyshime se ishin të përfshirë dhe efektivë të Gardës së Republikës dhe policia, shkoi menjëherë në Rinas. Atje e ka pritur avioni charter, me të cilin kishte mbërritur. Televizionet treguan pamje se si drejtuesi i policisë së Rinasit kishte marrë nën mbrojtje Fazlliç. Një polic shtyu përtokë kameramanin e televizionit “Vizion Plus” dhe dhunoi gazetarët që tentuan ta pyesnin.
***
Ndërkohë, është regjistruar procedimi penal për biznesmenin boshnjak, Damir Fazlliç.
Lajmi u konfirmua për gazetën “TemA” nga Prokuroria e Përgjithshme. Prokuroria konfirmon po ashtu prerjen e fletëthirrjes për zotin Fazlliç.
“Nga Prokuroria e rrethit të Tiranës është regjistruar një dosje penale hetimore, rreth fakteve që kanë dalë në media lidhur me afera të dyshuara të kontrabandës së mallrave dhe pastrimit të mundshëm të parave”, - bënë të ditur burimet zyrtare për gazetën “TemA”
***
Dhoma e Avokatëve përgënjeshtron Fazlliç
Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatëve të Shqipërisë (DHKASH), përgënjeshtroi dje deklaratën e Damir Fazlliç se ai nuk ka shitur kompaninë e tij tek “Altaria Research Limited”. Deklarata thotë se shitja e “Crown Acquisitions” sh.p.k, te kompania qipriote është bërë “konform kërkesave ligjore në fuqi, si në aspektin formal të dokumenteve të plotësuara, ashtu dhe në përmbajtje”.
Dhoma Kombëtare e Avokatëve tha se, pasi u njoh me kërkesën e paraqitur nga avokatja Flutura Kola, anëtare e Dhomës të Avokatëve Tiranë, me nr. 709 të licencës, si dhe me kopje të praktikës ligjore të shitjes së kuotave të shoqërisë “Crown Acquisitions” sh.p.k, subjekt i së drejtës shqiptare, në favor të shoqërisë “Altaria Research Limited”, subjekt i së drejtës qipriote, në përgjigje të kërkesës së saj prononcohet se nga shqyrtimi i praktikës, tashmë e depozituar në Regjistrin Tregtar, Dhoma Kombëtare e Avokatëve konstaton se praktika ligjore e shitjes së kuotave të shoqërisë “Crown Acquisitions” sh.p.k, sigurisht është bërë konform kërkesave ligjore në fuqi, si në aspektin formal të dokumenteve të plotësuara, ashtu dhe në përmbajtje.
***
Opozita, mocion për debat me Berishën
Sakaq, grupi parlamentar i Partisë Socialiste (PS), depozitoi në Kuvend pyetjet e mocionit për debat me kryeministrin, i cili, nëse miratohet, duhet të zhvillohet në seancën më të afërt plenare.
Valentina Leskaj, kryetare e grupit kuvendor socialist, hodhi shpresën se “kryeministri dhe Kryesia Kuvendit do ta marrin parasysh këtë kërkesë dhe nuk do të sajojnë “gabime” teknike në miratimin e kërkesës, si ka ndodhur herë të tjera, rasti më i fundit ishte ai i Gërdecit”.
Leskaj tha se “kryeministri në seancën e kaluar plenare pranoi publikisht në parlament se e ka mik Fazlliçin, është mirë që këto lidhje “miqësore” t’i bëjë transparente”.
Më tej ajo shtoi se “mocioni për debat me kryeministrin e vendit kërkohet për “skandalin më të fundit që lidhet me Damir Fazlliç, që implikon kryeministrin dhe qeveritarë të tjerë”.
Për PS, “çështja ‘Fazlliç’ është një koktej eksploziv elementesh që dëmtojnë dhe cenojnë direkt themelet e demokracisë shqiptare”.
Ndaj pikat e mocionit janë sqarimet që kërkohen për “përfshirjen e Fazlliç në kompaninë BG&R dhe lidhjet me PD që toksikojnë staturën e kësaj partie”.
Gjithashtu, pretendohet infiltrimi i Fazlliç në afera korruptive përmes firmave të tij fantazmë dhe përfshirja e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe të afërmve të tyre që çon në kapjen e shtetit.
PS shtron pyetje dhe për “lidhjet e Fazlliç me një prej ish-drejtuesve të shërbimeve famëkeqe, përfshirja në afera të trafikimit të armëve apo pastrimit të parave dhe miqësia e tij me figurat kryesore të qeverisë që hedh hije dyshimi dhe rëndon në sigurinë tonë kombëtare”.
***
“Mjaft”, “Luli, Ik!”
Ndërsa lëvizja “Mjaft” ndërmori dje një iniciativë për të nënshkruar një peticion nga qytetarët shqiptarë, ku të kërkohet dorëheqja e ministrit të Jashtëm shqiptar dhe hetimi transparent ndaj tij.
“Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, vazhdon të vërë në siklet çdo shqiptar.
Lulëzim Basha, një ministër e deputet pa imunitet, për shkak se Prokuroria e Përgjithshme po heton mbi të kaluarën e tij si ministër i Punëve Publike e Transporteve, në vend që të sqarojë të gjithë shqiptarët për faktet tronditëse që media ka publikuar vazhdimisht, sipas të cilave ai rezulton të jetë i përfshirë në afera ndërkombëtare korruptive, hesht dhe qesh para kamerave!
Ministri Basha, rezulton, sipas medias, të jetë një prej bashkëpunëtorëve kryesorë në Shqipëri të një prej të dyshuarve nga Interpoli si krye-mafioz në të gjithë rajonin: Damir Fazlliç.
I lidhur direkt me këtë të fundit, përmes të afërmve të ngushtë të tij, Lulëzim Basha përfaqëson sot një figurë turpëruese për diplomacinë shqiptare. Duke marrë shkas nga sa më sipër, Ne, qytetarët e Shqipërisë të përfaqësuar nga ky peticion i iniciuar nga lëvizja “Mjaft”, kërkojmë: Dorëheqjen e menjëhershme të Lulzim Bashës nga posti i ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Shqipërisë dhe vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve ndaj tij, por njëkohësisht transparencë maksimale të këtyre hetimeve”, - thuhet në njoftimin e “Mjaft”.