E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Berisha po mban qëndrim shpërfillës ndaj partisë

Nga Alfred Peza, “Ora News”

Në fakt, sigurisht që pyetja e parë që i vjen ndërmend çdokujt që do të dëshironte t’ju takonte apo t’ju intervistonte, ka lidhje me kandidimin tuaj për kreun e Partisë Demokratike të Tiranës, sepse ju e bëtë këtë kandidim pas një deklarimi publik në media, por më pas ju nuk keni folur më për atë çfarë ju po bëni në këtë kandidim, pasi keni preferuar më shumë të punoni se sa të flisni për mediat. Në fakt, çfarë po bëni?

Unë kam folur, nuk kam folur shpesh, por kam folur aq sa unë e kam quajtur të natyrshme, sepse ende fushata nuk ka hyrë në dinamikën normale të një fushate. Ndërkaq, unë po përgatitem për fushatën. Domethënë po punoj në dy drejtime. E para, po i jap dorën e fundit platformës sime, me të cilën do të paraqitem përpara demokratëve të Tiranës dhe, së dyti, po kontaktoj njëherë për të ndërtuar atë staf që është i nevojshëm për një fushatë. Kur them po kontaktoj njerëz, kam parasysh një kategori të caktuar, që janë anëtarë të Partisë Demokratike, drejtues të strukturave. Pra po përgatitem shumë seriozisht, sepse është një nga angazhimet e mia më serioze që unë kam marrë.

Ju keni ndonjë staf? Si po punoni konkretisht, a keni një strategji konkrete të shtrirë në kohë dhe hapësirë apo si?

Duhet të mbajmë parasysh se është fjala për një fushatë brenda partisë dhe jo brenda gjithë partisë, por brenda vetëm një dege të PD, që është dega e partisë, Tiranë. Pra, unë po punoj. Kam një staf njerëzish të mençur, që janë juristë, janë njerëz me eksperiencë në politikë, që janë të rinj të tjerë, të cilët po më ndihmojnë të hartojmë një platformë sa më serioze, të përshtatshme për një fushatë brenda partisë. Do të jetë një novitet i madh dalja me një platformë, pasi kurrë një kryetar dege dhe as madje asnjë degë e PD në Tiranë nuk ka paraqitur ndonjë platformë, siç do të jetë një novitet edhe konkurrenca që do të ketë. Nuk ka qenë një traditë që ka pasur një konkurrencë të madhe për kryetarin e partisë së Tiranës. Pra, kam një staf njerëzish të mençur dhe të lidhur thelbësisht dhe ideologjikisht me PD, edhe historikisht, sepse një pjesë e tyre janë prej shumë vitesh në PD. Njëkohësisht, gjatë kësaj kohe, një pjesë të madhe të ditës ma merr takimi me shumë demokratë, të cilët pas deklarimit tim në Tiranë, kanë dëshirë të më takojnë, që janë anëtarë të PD në Tiranë, që janë drejtues seksionesh, pra që janë njerëz me një aktivitet të gjatë në PD, një aktivitet të vullnetshëm, sepse kanë hyrë me dëshirën e tyre në PD dhe që tani kandidimin tim e panë si një sinjal për t’u riaktivizuar, sepse ndjehen tërësisht të lënë pas dore.

Megjithatë, konkurrimi juaj, megjithëse pak sa i butë në aspektin publik, nuk është se ka kaluar në heshtje brenda strukturave të PD, kemi parasysh këtu faktin që një tjetër kandidat është vetëshpallur, zoti Gjergj Bojaxhi, drejtori aktual i KESH. Si e vlerësoni ju këtë?

Unë nuk e kam dëgjuar zotin Bojaxhi të ketë deklaruar publikisht se do të jetë kandidat për Kryesinë e PD së Tiranës, por unë mendoj se zoti Bojaxhi është një vlerë në PD dhe unë do të mendoja se, nëse do të ishte zoti Bojaxhi, unë jam i sigurt, pavarësisht nëse rezultati do të jetë në favorin tim apo të zotit Bojaxhi, se fushata do të jetë shumë moderne, fushata do të jetë shumë qytetare. Pasi do të jetë një ballafaqim platformash, do të jetë e qytetëruar, do të jetë civile, nuk do të ketë banalitet. Kështu që, nisur nga kjo, nga ky vlerësim që unë kam për personalitetin e tij, them që nëse do të ishte zoti Bojaxhi, fushata do të ishte shumë serioze, do të ishte në të mirë të partisë, pavarësisht se njeri nga të dy do të humbë. Unë besoj se do të fitoj, por, pavarësisht nga kjo, përsëri unë mendoj se PD në rivalitetin e saj brenda, në konkurrencën brenda personaliteteve të saj duhet të fusë një frymë të re moderne. Unë ndjehem i gëzuar me një aspekt të kandidimit tim. Gjithsesi, ka dhënë tharmet e një fenomeni të ri në PD. Ke një numër kandidatësh që kanë dalë nëpër rrethe, gjë që s’ka ndodhur më parë. Ke kandidatë në qytete të mëdha që janë vetëshpallur nën këtë lloj filozofie si edhe unë, pas meje, ke në Durrës, ke në Elbasan, me siguri duhet të ketë edhe në Shkodër, duhet të ketë në Korçë, ka në Vlorë, me sa më kanë thënë.

Të gjithë kanë pritur këtë kohë prononcimin e zotit e Berisha në lidhje me kandidimin tuaj dhe me garën. Por në fakt ai ose ka heshtur, ose i është shmangur një përgjigjeje të prerë dhe të qartë. Madje, në një ballafaqim televiziv të para pak ditëve unë e pyeta drejtpërdrejt për kandidimin tuaj dhe i thashë, nëse ai do ju konsideronte ju në këtë garë si partner apo si kundërshtar, gjithsesi edhe në këtë rast zoti Berisha u shmang. Si e vlerësoni qëndrimin e deritanishëm?

Unë nuk pres që zoti Berisha të ketë një qëndrim as ndaj meje edhe as ndaj kandidatëve të tjerë, sepse ne do të kemi një garë brenda PD, pra ne nuk do të kemi një garë që do të ketë rival brenda zotin Berisha. Unë besoj se ai do të mbajë një distancë të barabartë nga të gjithë kandidatët. Por ajo që më shqetëson mua në këtë qëndrim të zotit Berisha nuk ka të bëjë me mua, por ka të bëjë me PD. Çka do të thotë se unë shoh një indiferencë, një nënvleftësim nga zoti Berisha dhe nga Kryesia e PD për zgjedhjet në parti. Zgjedhjet në parti janë një moment shumë delikat dhe shumë kulmor në jetën politike të një partie. Pse e them këtë? Zgjedhjet në parti janë një moment bilanci. Pra, çdo lloj bilanci shoqërohet me konkurrencë, me reformë njerëzish. Që do të thotë se ata që nuk kanë përmbushur angazhimet në krye të strukturave të PD, do të zëvendësohen me të tjerë. Pra, dalje njerëzish të tjerë. Së dyti, është një moment reflektimi i thellë dhe po të kemi parasysh se këto zgjedhjet në parti janë në prag të fushatës së përgjithshme, atëherë ky reflektim brenda partisë bëhet akoma më jetik për fatin e zgjedhjeve të ardhshme, sepse, duke qenë një moment reflektimi, do të analizohen gabimet, do të pozitivohen vlerat, do të shtohen vlera të tjera dhe është një moment programor, sepse do të shqyrtohet programi, me të cilin erdhi deri këtu partia, do të pasurohet ky program për të përgatitur programin, me të cilin PD do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme, jo qeveria. Partia është në demokraci mekanizmi politik me të cilin shkohet në zgjedhjet. Pra, duke pasur parasysh të gjitha këto aspekte që kanë të bëjnë jo vetëm me fatin e zgjedhjeve të ardhshme, por me fatin e vetë PD mua më duket e pajustifikuar indiferenca që tregon, shpërfillja që tregon zoti Berisha ndaj zgjedhjeve.

Jo, nuk janë treguar aq indiferentë po të kemi parasysh se pak ditë më parë u mblodh Kryesia e Partisë Demokratike. Ndoshta ajo që ka ndodhur, është që mund të jetë shtyrë në kohë për shkak të kandidimit tuaj gara...

Me statutin e partisë ne kemi një herë në dy vjet, të detyrueshme, mbledhjen e një kuvendi, i cili nuk është kuvend zgjedhor, është kuvend bilancor, një herë në katër vjet janë mandatet. Pra, për të shkuar në një kuvend, do të thotë që do të bëhen të gjitha hallkat, si të thuash piramida hierarkike e partisë do të lëvizë. Së dyti, zgjedhjet u shpallën vjet, u lanë në harresë. U shpallën në pranverë dhe u lanë në harresë. U shpallën në gusht dhe vetëm në tetor u mblodh Kryesia. U mblodh një Kryesi, e cila nuk bëri as detyrimin minimal që ka për të bërë, nuk doli me një dokument të shkruar në formë konkluzionesh, të cilat pastaj do t’iu kalojnë strukturave të tjera të partisë, siç e kërkon statuti. U fol për ndryshime statuti dhe vetëm dëgjuam Sekretarin e Përgjithshëm për herë të parë pas tre vitesh, e dëgjuam për herë të parë të flasë në emër të partisë. Një dembel i paparë në raport me partinë, i cili nuk mori as mundimin që të sistemonte debatet që janë bërë. Unë nuk kam qenë i thirrur në atë mbledhje, por nuk mori mundimin as t’i sistemonte në një faqe letër gjërat që ne të tjerët, anëtarët e PD, figurat drejtuese të strukturave të PD thanë.

Ju jeni anëtar i Kryesisë së PD?

Unë normalisht jam, sepse unë formalisht jam ende Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë, por ky është një problem i një rëndësie jo të veçantë. Pra, kjo mbledhje praktikisht nuk prodhoi një lëvizje politike, prodhoi një zhurmë të vogël, por nuk prodhoi një lëvizje politike brenda PD, çka është në detyrimin e një mbledhjeje të Kryesisë. Pra, në këtë kuptim, unë them se qëndrimi i zotit Berisha dhe i Kryesisë është shpërfillës ndaj partisë.

Ju u shprehet ndaj zotit Bode se është një dembel i paparë me partinë, ju e keni ngritur këtë shqetësim brenda strukturave?

Nuk janë mbledhur strukturat njëherë, pika e parë. Ne kemi në statut detyrim të mblidhemi dy herë në vit si Këshill kombëtar dhe deri tani është mbledhur 1 herë apo 2 herë Këshilli kombëtar. Jemi mbledhur njëherë formalisht që zgjodhëm zotin Patozi, por nuk jam në këtë moment shumë i predispozuar të bëj një bilanc të gjithë aktiviteteve të partisë, unë dhashë thjesht një shqetësim timin.

Ajo që më vjen në mendje është që sa dembele të tillë ka PD, pasi kanë hyrë në pushtet?

Ka shumë, ka jashtëzakonisht shumë. Kur them shumë, domethënë shkon shumë e gjatë lista.

Janë më shumë brenda në qeveri apo jashtë saj?

Po shumica e njerëzve drejtues të partisë janë në qeveri.

Mesazhi besoj se është i qartë. Ju sapo përmendët pak më sipër se zoti Berisha do të bënte mirë të ishte i paanshëm në garën për kreun e PD, ashtu sikundër dhe për garat për krerët e seksioneve apo të elementëve të tjerë drejtues të PD në rrethe. Por, pyetja që shtrohet, se ne gazetarët gjithmonë bëjmë avokatin e djallit, është nëse zoti Berisha do të nxirrte një kandidat të vetin apo do të mbështeste publikisht njërin nga kandidatët. Ju si do të vepronit dhe si do të silleshit politikisht në këtë rast?

Unë do të vazhdoja fushatën. Por unë nuk besoj që zoti Berisha do ta bëjë këtë gabim. Do të ishte një gabim në radhë të parë për fushatën, sepse do ta deformonte dhe zoti Berisha si kryetar të PD me mandat të pavënë në diskutim nga askush, nuk ka asnjë interes ta dëmtojë fushatën, ta deformojë fushatën, ta deformojë garën brenda partisë. Së dyti, nëse rrimë gjakftohtë, pra, nëse abstragojmë për një moment, sikur unë po flas për momentin si njëri nga kandidatët, nëse zoti Berisha do të merrte anë në mënyrë të pashmangshme me ndonjë nga rivalët e mi, në mënyrë të pashmangshme, dua, s’dua unë, në perceptimin e përgjithshëm të opinionit publik do të ishte si një rivalitet midis meje dhe zotit Berisha. Çka nuk është as realiste, sepse nuk ka asnjë rivalitet midis meje dhe zotit Berisha dhe shtyrja e perceptimit të kësaj fushate si një rivalitet midis meje dhe zotit Berisha do të ishte e gabuar, nuk do të ishte realiste. Së dyti, nuk do të ishte as në interes të zotit Berisha, po të marrim shkurt kryetarin e partisë që të perceptohet në opinionin publik, pra edhe te demokratët e bazës, se ka një rivalitet brenda strukturave të PD, përderisa nuk ekziston ky rivalitet.

Është një kuriozitet që është përtej kontekstit të pyetjeve. Në mbledhje, në takime, flitet se vetëm ju i drejtoheni me emër drejtpërdrejt zotit Berisha dhe askush tjetër nga drejtuesit apo strukturat. Ju ka mbetur që nga njohja...?

Nuk i drejtohem me emër tani, që kur kam ikur nga qeveria, unë i drejtohem me zoti kryeministër apo doktor.

Është shenjë e distancës që keni?

Është shenjë e distancës, pra është shenjë e mungesës së një komunikimi personal, por që nuk e ndryshon komunikimin institucional midis nesh.

Ky komunikim institucional në linjë partie si është tani mes jush? Pra, çfarë raporti keni ju aktualisht me piramidën e PD nisur nga selia qendrore dhe kështu me radhë?

Mendoj se është një raport i paplotë, përderisa strukturat partiake nuk funksionojnë, pra është një raport që nuk lejon, si të thuash, që si unë dhe shumë të tjerë të japim të gjithë kontributin që mundemi të japim për PD, sepse strukturat e partisë nuk funksionojnë. Funksionon vetëm një nga strukturat e parashikuara në statut, që është grupi parlamentar dhe në grup ky komunikim është intensiv.

Në fakt, ju po flisni me një lloj nostalgjie për atë mungesë funksionimi normal të strukturave të PD në momentin që kjo forcë erdhi në pushtet pas korrikut 2005. Ju vetë, në fakt, nuk është se jeni një nga ato partiakë që ne njohim si të rregullt. Si është kjo përqasja juaj me të qenit partiak?

Unë mendoj se jam partiak në mënyrën time, partiak shumë i vendosur, sepse unë e kam lidhur karrierën time me PD. Do të thotë që unë në 1997 isha ambasador në Paris. Unë, për të mos qenë edhe njëherë modest, isha një ambasador i suksesshëm, në kuptimin që atë që kisha bërë, atë çka i takon një ambasadori, unë e kisha bërë përgjithësisht me një cilësi të vlerësuar, qoftë nga qeveria, qoftë nga presidenti i asaj kohe, zoti Berisha, qoftë nga opozita, qoftë edhe nga shteti francez dhe institucionet e ndryshme franceze. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë një pasion i madh i imi. Një pasion i filluar shumë herët, që kur kam filluar të merrem me gjuhët e huaja. Unë kam pasur oferta në 1997 që të rri në Trupin Diplomatik, të rrija ambasador dhe jo të bëhem sekretar i tretë diku apo të punoj në arkivin e ministrisë.

Nga ju ka ardhur kjo ofertë?

Nga presidenti i asaj kohe, zoti Meidani. Në asnjë moment nuk kam pasur luhatje për të dhënë dorëheqjen. Pra, unë kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme, ditën që zoti Meidani ka marrë mandatin e Presidentit të Republikës dhe jam vënë në shërbim të Partisë Demokratike dhe nuk kam pranuar të rrija as në Paris, të punoja në UNESCO. Isha edhe ambasador për UNESCO. Isha një njeri mjaft i afërt me drejtorin e UNESCO në atë kohë. Kam pasur oferta të jap mësim në universitet, jo të rri si një emigrant me asistencë sociale, por të rri si një njeri që bën punën dhe paguhet dhe me një status social të pëlqyeshëm dhe përsëri kam sjellë fëmijët e vegjël nga Parisi, dhe flasim për gushtin ’97, ku gjithçka ishte shumë e nxehtë nga ato që ndodhën në pranverë. Jam kthyer, kam mbetur pa punë këtu, por jam vënë pa asnjë dilemë në shërbim të PD. Kam qenë për një kohë të caktuar i vetmi zë që shkruante përtej shtypit të PD, pra përtej RD. Që shkruante në shtypin e kohës. Pra, unë kam një histori që e provon që unë jam partiak. Së dyti, unë nuk jam militant në atë kuptim pezhorativ që përdoret shpesh, që për vete mendoj se nuk është shumë i drejtë, por unë në perceptimin tim Këshillin Kombëtar, Kryesinë, deri edhe seksionin e partisë, por sidomos këto struktura të të zgjedhurve të partisë që shkojnë në drejtimin qendror të partisë, i shoh si skena debati, janë skena ku prodhohen ide, ku bëhen analiza. Prandaj aty është ajka e partisë, është elita e partisë. Pra, në këtë kuptim, flas me nostalgji, por flas edhe me shqetësim në mungesë të funksionimit të këtyre instancave të partisë, të këtyre skenave të debatit të partisë, sepse është shmangur kontributi i njerëzve të partisë, i elitës së partisë për partinë, për përpunimin e një mendimi politik të partisë. Të mos harrojmë se shumë anëtarë të Këshillit Kombëtar sot janë me funksione që nga ministra deri në drejtorë të ndryshëm nëpër rrethe apo në Tiranë. Puna në ekzekutiv apo në administratë është një tjetër gjë nga debati partiak brenda partisë. Pra, unë mendoj se shqetësimi im buron pikërisht nga fakti se kontributi i elitës së partisë, ashtu sikurse kontributi i militantëve të partisë në seksione, në celulën bazë, në organizmin bazë, nuk po funksionon në përmirësim të qeverisjes.

Pra, ju e konsideroni veten një lloj tjetër partiaku që nuk duhet të rrijë në zyrë, atëherë kur s’duhet të qëndrojë...?

Unë nuk rri në zyrë, kur nuk kam pse të qëndroj.

Ka shpeshherë debate që sillen rreth figurave qendrore të PD, një prej të cilave jeni edhe ju. Meqë jemi këtu dhe meqë e përmendëm pak më parë faktin që ju nuk i drejtoheni më me emër kryeministrit të vendit, por i drejtoheni me titullin e tij dhe me zoti përpara, që krijon një distancë, në fakt, pak a shumë, shumë njerëz e dinë raportin tuaj me zotin Berisha, një raport miqësie prej rreth të paktën 30 vjetësh dhe tani ju flisni për një distancë dhe jo pa dhimbje. Në fund të fundit, a ka një hallkë që vazhdon akoma ta lidhë këtë raport tuajin, këtë miqësinë tuaj apo është shkëputur kjo gjë?

Unë mendoj se cilësia e bashkëpunimit tonë nuk ka rënë dhe kjo është në sajë të asaj hallkës që ekziston, që do të thotë hallka është PD, grupi parlamentar dhe qenia në mazhorancë ose nesër në opozitë. Por këto struktura janë hallkë shumë më e fortë sesa afeksionet personale. Një forcë politike është bashkim programesh, bashkim idesh, bashkim interesash dhe mua mendoj se programi, idetë dhe interesat më bashkojnë me Berishën si kryetar i PD dhe si kryeministër.

Ju kujtohet, kur e keni takuar për herë të parë zotin Berisha?

Për herë të parë kam qenë student. Isha i vetmi student në universitetin e Tiranës që kisha botuar një libër me poezi, për të cilin u fol, sepse unë e mbarova që në përfundimin e maturës, sepse atëherë ishte shumë e vështirë, pasi atëherë nuk botoheshin me lekë librat. Në njëfarë mënyre isha një student që isha gjithnjë e më prezent në shtypin letrar, qoftë në përkthime, qoftë në poezi dhe rasti e solli që u njohëm.

Si ndodhi?

Nuk ka rëndësi, janë detaje që nuk kanë rëndësi shumë. Por rëndësi ka që gjërat ecën normalisht.

Këmbëngula, sepse pyetja vijuese është, kur jeni takuar për herë të fundit?

Për herë të fundit jemi takuar gjatë ditëve që debatohej për ndryshimet në Kushtetutë, vetëm për vetëm, në një zyrë jemi takuar, jo në zyrën e tij.

Biseda është konfidenciale...?

Përderisa është më kokë më kokë, është një gjë personale, por që nuk ishte asgjë që tejkalonte debatin, për të cilin ishim aty.

Hyn tek ato biseda, alla Konica, alla Zogu, për të cilat Noli tha se “jam gati të jap gjysmën e Shqipërisë, vetëm të marrë vesh se çfarë kanë thënë”?

Unë mendoj se ishte një takim i dobishëm.

Pak ditë më parë zoti Berisha sërish në një debat televiziv tha se zoti Topi që tani që është President i Republikës është munduar që të krijojë një minorancë bllokuese brenda mazhorancës. Ju e ndjeni këtë?

Unë e dëgjova këtë, e ndoqa zoti Berisha kur e bëri një deklarim të tillë. Ua them me sinqeritet, juve dhe nëpërmjet jush dhe komplet teleshikuesve të televizionit “Ora”, në asnjë moment që kam pasur me zotin Topi, nuk më ka sugjeruar ose nuk më ka kërkuar qëndrime që duhet të mbaja unë si deputet në parlament. Unë nuk njoh asnjë nga njerëzit, me të cilët rri, po flas intimët e mi brenda grupit apo brenda grupeve parlamentare të mazhorancës, nuk di asnjë që të ketë marrë një mesazh të tillë nga zoti Topi dhe nuk më duket në natyrën e zotit Topi, por unë nuk e di se çfarë informacionesh ka zoti Berisha.

Pra, ju nuk keni qenë pjesë e kësaj minorance...?

Unë e përsëris edhe njëherë, nuk kam marrë asnjë mesazh nga zoti Topi, as tani, as më parë, as nuk e di cilit rast i referohet zoti Berisha. Unë s’kam marrë asnjë mesazh në asnjë rast nga zoti Topi, se duhej të votoja pro apo kundër një gjëje. Asnjë nga ata miqtë e mi që kanë pasur rastin ta takojnë apo të komunikojnë me të nuk kanë marrë ndonjëherë ndonjë mesazh. Në analizë të përgjithshme mua zoti Topi nuk më duket që është nga ata që mund të ndërmarrë veprime të tilla.

Një nga rastet që mund të mendohet është përpjekja për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Ju, në fakt, nuk keni votuar pro...

Unë nuk kam votuar pro, por votimi im kundër ka qenë konkluzion i një debati me shumë seanca në grupin parlamentar dhe i një angazhimi tim edhe publik në të kundërt të këtyre ndryshimeve, ato u bënë shumë shpejt dhe në mënyrë shumë të papjekur. Vazhdoj të ruaj bindjen se ato janë bërë në mënyrë shumë të papjekur dhe unë ato ditë nuk kam pasur as edhe një lloj komunikimi me zotin Topi, as me telefon dhe as takime të drejtpërdrejta. Kur them ato ditë, as ata muaj. Kështu që, nuk kam qenë pjesë e asnjë lloji tentative për bllokim reformash. Kam qenë dhe jam konsekuent i bindjes sime, se ndryshimet në Kushtetutë u bënë shpejt, u bënë të papjekura dhe nga pikëpamja thjesht si partiak janë kundër interesave elektorale të PD.

A do të ndihen këto efekte në 2009?

Unë shpresoj se do të ndihen sa më pak. Uroj që të ndjehen sa më pak.

Ju mendoni dhe jeni i bindur në vendimin....

Unë jam i bindur se ndryshimi i ligjit elektoral në këtë formë që u bë është kundër interesave elektorale të PD.

Ajo mund të ndikojë në humbjen dhe në fitoren e së majtës apo në deformimin e

leximit të rezultatit?

Unë, si anëtar i PD, si një nga themeluesit e PD, si një nga deputetët që nga 1991, që jemi shumë pak në këtë parlamentin e sotëm, që në zgjedhjet e para, jam veteran i parlamentit në këtë kuptim. Që nga marsi i 1991 kemi mbetur 4-5 veta në parlament. Në këtë kuptim unë po punoj me gjithë vullnetin dhe kapacitet e mia që PD t’i ndjejë sa më pak këto dëme që i shkakton ligji i ri. Por është me të parë, mendoj se PD duhet t’i fitojë zgjedhjet.

Një nga mënyrat apo truket, apo le të themi format politike demokratike dhe legjitime sigurisht, që ndoqi PD në 2005 për të fituar ishte afrimi të rinjve dhe krijimi i KOP, Komitetit të Orientimit të Politikave. Pas tre vitesh si ju duken politikat?

Në thelbin e saj ajo ishte një lëvizje shumë pozitive, unë në njëfarë mënyre jam në origjinë të kësaj. Pasi kjo është një formulë e gatshme, e marrë nga partia e Sarkozy-së. Pra, partia e qendrës së djathtë franceze e ka pasur këtë strukturë, e ka pasur si një strukturë mendimi për të ushqyer me ide programet politike. Si një strukturë që prodhonte ide, korrigjonte programe, përmirësonte programe dhe ndihmonte që partia të rrijë në aksin që i takon, si një parti e qendrës së djathtë në Francë. Unë këtë koncept të gatshëm e importova, e suportova në PD dhe gjeti mirëkuptimin e lidershipit dhe pati efekte shumë pozitive në zgjedhjet e vitit 2005. Unë për vete kam qenë dhe jam partizan i mbajtjes hapur të dyerve të partisë për të thithur vazhdimisht figura të reja. Akti i parë i rëndësishëm për hapjen e dyerve të partisë për figura të reja ka qenë fushata ime në 2000 për Bashkinë e Tiranës. Domethënë, në atë moment unë krijova një staf, i cili nuk ishte as rivalitet dhe as mënjanim me stafin e PD së Tiranës, por që ishte një staf që kishte në thelbin e tij sjelljen e disa fytyrave të reja, të zgjuara dhe të kulturuara dhe të gatshëm të bashkohen me programin politik. Ndërkaq, idetë kanë qenë të Partisë Demokratike. Kryetar i stafit tim ka qenë Kreshnik Spahiu. Anëtar i stafit tim ka qenë Ilir Rusmali, i cili për herë të parë pas ikjes nga Presidenca rikthehej në dyert e partisë, anëtar i stafit tim ka qenë Fatbardh Kadiu, anëtar i stafit tim ka qenë Sokol Olldashi dhe ndonjë tjetër. Por dua të përmend emra që tani janë konfirmuar tashmë në karrierën politike ose juridike, por që janë bërë figura politike. Po të marrësh vetëm rastin e Sokol Olldashit. Ai në atë kohë punonte te gazeta “Albania” dhe ishte koha e acarimit maksimal mes Berishës dhe Ylli Rakipit me gazetën “Albania”. Ishte koha kur Berisha edhe lexues të “Albanias” nuk i lejonte në oborrin e PD dhe jo më të merrej një gazetar nga “Albania” dhe të futej në stafin më të rëndësishëm që kishte ajo fushatë, që ishte stafi për Tiranën, nuk ishte njëlloj si stafi i zgjedhjeve për një bashki tjetër. Ky lloj stafi që solla unë pati një qëndrim refraktar në fillim, por më vonë, pastaj, shumë shpejt u kapërcye edhe në sajë të metodës që kam unë përgjithësisht për të mbështetur dhe për të ndërtuar dialogun dhe komunikimin me njerëzit, me të cilët punoj dhe unë jam i kënaqur të shoh se ajo tentativë e parë embrionale e 2000, filloi pak nga pak të bëhet një lloj fryme e rëndësishme në PD dhe të bëhet produktive në të gjithë Shqipërinë. Por KOP mendoj unë, e përsëris, KOP, duke u katapultuar një pjesë e madhe e anëtarëve të KOP në instancat më të larta të shtetit dhe të pushtetit, në mënyrë të padiskutueshme iku nga qëndrimi i tij i parë si Komitetit i Orientimit të Politikave. Kjo do të thotë se disa të rinj që erdhën në funksione shumë të larta pa asnjë eksperiencë, pastaj nuk prodhuan as ide, nuk prodhuan as qeverisje cilësore, sepse është edhe çështje eksperiencë kjo punë dhe u bënë shumë oportunistë, çka më duket një pjesë shumë thelbësore e dështimit të KOP.

E keni fjalën për ministrat...?

Për ministra, drejtorë, zëvendësministra, për njerëz me funksione të larta.

KOP, sipas jush, e ka mbaruar misionin e tij apo duhet ribërë?

KOP, sipas mendimit tim, duhet ribërë, sepse nuk presupozon të bëhesh anëtar i PD. Ajo bashkon njerëz të shkolluar mirë, njerëz që ofrojnë programe, që prodhojnë debat, që të jenë njerëz të lirë, t’i besojnë më shumë ideve të tyre sesa karrigeve dhe në këtë drejtim KOP duhet ri-themeluar në këtë filozofi. Pjesa më e madhe e anëtarëve të KOP, që kanë ndonjë funksion, janë njerëzit më oportunistë që ka sot qeverisja e PD. Nuk dua të bëj diferencim, kur them pjesa më e madhe, mbeten shumë pak.

Ndërkohë, ka edhe një përqasje me PD përveç KOP, përqasja e të rikthyerve që kanë qenë njëherë në PD, që u larguan në rrethana të ndryshme gjatë këtyre 18 viteve dhe janë kthyer sërish. Madje, ka vazhduar ky fenomen jo vetëm në 2005, por edhe tani vonë. Zoti Neritan Ceka me votat e mazhorancës dhe votat e PD u zgjodh nënkryetar i parlamentit. Zoti Albert Brojka ka shprehur dëshirën për t’u kthyer. A duhet të vazhdojë kjo gjë për zgjedhjet e 2009 dhe çfarë i sjellin ata PD?

Këta i sjellin histori PD, nuk është pak historia, por nuk është e mjaftueshme për të bërë të sotmen, historia prapë është histori. Historia e Partisë Demokratike është pak komplekse, historia me të ikurit, sidomos të ikurit me PD. Ata që ikën, një pjesë e madhe, për të mos i përgjithësuar komplet, ikën për disa arsye. E para, ata besonin se pa ata PD do të dobësohej, ikën me idenë se do t’i bënin dëm PD, që u provua se ishte një ide e gabuar. PD është një organizëm shumë vital dhe shumë i madh. Ata ikën me një besim të tepruar te vetja, se do të mund të ndërtonin binarë të mëdhenj, dështuan në këtë pikë. Tani në disa raste, ardhjet e tyre, me Preçin, pak nga pak, me Arben Imamin, me Genc Rulin, kanë qenë më të natyrshme, sepse ishin tashmë deputetë, ishin deputetë me background. Mua më duket se më dinjitozi ndër gjithë këta, të valës së dytë, nëse mund ta quajmë, është treguar Albert Brojka, i cili tha se “unë vij që të shkoj direkt në seksionin e lagjes sime, që të rifilloj në seksionin e PD, aty ku është shpirti i vërtetë i saj”. Pra, të gjithë të tjerët që vijnë për të marrë poste, që vijnë për të ruajtur poste, mua më duket se janë të pandershëm me PD. Duhet filluar me seksionet, asnjë prej tyre nuk ka filluar me seksionet, nuk ka filluar me seksionet e lagjes, përveç Brojkës që e deklaroi të paktën dhe që pati një filozofi të qartë rikthimi në PD. Nuk bëhet, po nuk u rikthyen në seksione.

Kemi kaluar dalëngadalë në pjesën e fundit të bllokut të pyetjeve politike. A ka rryma dhe grupe brenda Partisë Demokratike?

Nuk ka grupe, unë të paktën nuk jam në dijeni të një ekzistencës së një grupi. Këto janë më shumë produkte të mediave, ose ajo çka artikuloi kryeministri, do të thotë që ka pas një grup bllokues të organizuar nga presidenti Topi në një moment të caktuar, mua më duket se nuk i korrespondon realitetit, unë nuk e njoh ekzistencën e grupeve. As nuk më ka ftuar njeri të jem anëtar i ndonjë grupi, as nuk kam tentuar vetë të krijoj ndonjë grup. Pra, nuk e di se më kë janë këto grupe, cilët janë përbërësit e këtyre grupeve, vetëm nëse janë klandestine.

Pak kohë më parë u fol për pasardhësin e mundshëm të Berishës. Por nuk flitet më për këtë tezë, pasi edhe vetë Berisha ka thënë që pensioni biologjik nuk do më çojë te pensioni politik. Në fakt, a ka ndonjë zëvendësues, sepse çdo parti e madhe mendon për dikë që do ta marrë stafetën...?

Mua më duket se nuk ka ndonjë kontekst që ne na çon te konkluzioni që ne duhet të mendojmë për zëvendësuesin e Berishës. Pra, Berisha vetë ka bërë deklaratën për herë të fundit atë natë në debat televiziv, ku ishit prezent, ka bërë deklaratën se, “nëse unë humb zgjedhjet, faturën e kam unë”. Kjo nënkupton se humbja e zgjedhjeve vitin e ardhshëm do të ishte largim i Berishës nga lidershipi i Partisë Demokratike. Të gjitha të tjerat janë pjesë e humorit të Berishës. Pra, Berisha në këtë pikë është parimor dhe e lidh, ashtu si çdo lider i një partie serioze, e lidh qenien e tij në krye të partisë me sukseset elektorale, çka do të thotë edhe me sukseset qeverisëse. Pra, në këtë kuptim, nuk është monarkike, pra nuk është dinastike Partia Demokratike, që kur të zëvendësojmë të parin. Atje do të ketë garë dhe ne si anëtarë të PD sot për sot jemi të gjithë të rreshtuar, në kuptimin më të mirë të fjalës, prapa kryetarit që e kemi zgjedhur vetë dhe nuk kemi ne pse fabrikojmë figura rezervë, nuk ka ushtarë rezervë në Partinë Demokratike.

Në qershor të 2009 mund të bëhen zgjedhjet e ardhshme dhe mund të marrim në mënyrë hipotetike që mazhoranca aktuale humbet zgjedhjet dhe zoti Berisha e mban fjalën që do të largohet. Aktualisht, kur tetë muaj na ndajnë nga kjo distancë, sa figura ka PD të gatshme për të zëvendësuar zotin Berisha?

Unë nuk e di se kush mund të dalë kandidat në atë moment. Nuk më pëlqen të bëj skenarë hipotetikë të kësaj natyre, sepse unë shkoj me bindjen që PD do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme. Partia Demokratike është parti tashmë e vjetër, është parti e madhe, është e vetmja forcë politike në historinë e Shqipërisë së këtyre 18 viteve të pluralizmit, është e vetmja forcë politike, e cila dy herë i ka dhënë vendit Kuvendit tre figurat kryesore të shtetit, kryeministrin, presidentin dhe kryetarin e Kuvendit. Pra, ka një larmi të madhe personalitetesh të shquara brenda PD, të cilët shpresoj se do të kenë në rastin e një zgjedhjeje tjetër të kryetarit, do të kenë ambicien dhe predispozitën, sepse ky është një vendim i vështirë, për të cilin do të konkurrojnë për kryetar partie. Pra, është më vështirë të jesh kryetar Kuvendi, President Republike apo kryeministër sesa të jesh kryetar partie dhe, kur ne kemi pasur aq fuqi sa të japim, pa llogaritur ministrat, dhe figura të tjera të shtetit, kur kemi pasur kaq shumë fuqi, atëherë duhet të jemi akoma më energjikë.

Po nëse ju humbni në garën për kreun e PD së Tiranës, si do veproni? Do të qëndroni brenda strukturave të PD? Do të largoheni nga politika apo do të ndiqni rrugën e disa të tjerëve që kanë qenë brenda PD, siç është zoti Ceka, si i ndjeri Kalakula, si zoti Pollo, të cilët krijuan parti?

Unë nuk largohem nga PD. Unë jam njeri që i pranoj humbjet, kur humbjet janë pjesë e një procesi të ndershëm. Unë jam një njeri që besoj se parimet janë më të rëndësishme se rezultati. Pra, unë këtë fushatë do të përpiqem ta mbështes në parime sa më të shëndosha. Por, edhe nëse nuk do të kem një mendim shumë pozitiv për fushatën, pra që shumë njerëz kanë frikë se mund të deformohet fushata, unë s’e kam këtë frikë. Përsëri unë do të jem pjesë e Partisë Demokratike.

Po nëse zoti Berisha nuk ju fut në lista?

Unë nuk besoj se do të ndodhë kjo gjë, por edhe nëse zoti Berisha nuk më fut në lista, përsëri do të jem anëtar i Partisë Demokratike.

Veçse politikan aktiv, ju jeni edhe një vëzhgues i jetës politike për shkak të profesionit, për shkak të të qenit gazetar dhe analist i shtypit të lirë në përgjithësi. Si e shikoni rolin dhe qëndrimin 3-vjeçar të opozitës, të së majtës në këto 3 vite?

Unë do të thosha si pjesëtar i mazhorancës, si ish-ministër dhe si një njeri shumë aktiv sot që unë nuk jam ministër, opozitë më komode nuk ka pasur ndonjëherë në historinë pluraliste të këtij vendi. Një opozitë, e cila nuk ta prish, i thonë në Tropojë, tymin e duhanit. Çka është një komoditet shumë i madh për qeverinë, çka nënkupton bërjen e reformave të thella dhe janë bërë reforma në shumë aspekte, shumë të domosdoshme. Partia Socialiste funksionon si një shoqatë në jetën politike të vendit. Domethënë, nuk ka ndonjë dallim të madh në sjelljen politike ose sjelljen ndaj shoqërisë midis “Mjaft” dhe PS. Pra, në këtë kuptim, mungesa e një opozite serioze ka lejuar që shumë nga gabimet që mazhoranca jonë i ka bërë, i ka bërë nga fakti se nuk ka pasur se kujt t’i trembet, atij syri të pakompromis që duhet të ketë opozita.

Cilat janë gabimet që ka bërë mazhoranca?

Nuk është momenti që të hyjmë në gabime shumë të madha, por ka disa skandale, por ka disa histori, të cilat nuk do të kishin ndodhur, nëse do të kishim një opozitë që do të na shihte pa kompromis.

Po raportin mes mazhorancës dhe opozitës, më mirë mes PS dhe PD, mes Berishës dhe Ramës, këto bashkime votash herëpashere, si i konsideroni, kanë qenë në të mirë të reformave të vendit?

Unë mendoj se në shumicën e rasteve Berisha ka arritur ta kthejë PS në një shtojcë votuese të PD, këtë në sajë të marrëveshjeve të konkluduara apo të nënkuptuara. Pra, Rama me këtë mënyrë sjelljeje në të vërtetë ia ka ulur krejtësisht autoritetin grupit parlamentar. Në pluralizëm, në liri, grupi parlamentar është struktura politike më serioze e një partie, sepse është përditë në ballafaqim me shoqërinë, me ligjin, me institucionet dhe, nëse opozita humbet vitalitetin e grupit parlamentar, detyrimisht që ka humbur një gjë shumë të rëndësishme për të qenë konstruktive. Në këtë drejtim do të thosha se Rama me udhëzimet që i ka dhënë, urdhrat apo mënyrën se si e ka drejtuar grupin parlamentar, e ka zhvlerësuar grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Kjo vinte, mendoj unë, nga një lloj zilie dhe pafuqie që ndjente ai duke mos qenë deputet, duke mos qene vetë anëtar i parlamentit, atëherë kishte prirjen të thoshte që ju s’vleni asgjë. Ne do të shohim tani sesa prej deputetëve aktualë do të jenë në listat e ardhshme. Kam frikë se do të jenë shumë të paktë, me numra, me gishta nga deputetët socialistë.

Dhe kjo e favorizon të djathtën dhe mazhorancën për zgjedhjet në 2009...?

Kjo e favorizon mendoj unë, por unë shpresoj shumë që ne nuk do të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme me besimin se kemi përballë një opozitë pa fizionomi, pa identitet, pa fuqi goditëse, në kuptimin e mirë të fjalës dhe kjo është një arsye që ne të fitojmë. Unë jam i bindur që ne do të shkojmë në këto zgjedhje si një parti plotësisht me eksperiencë për të qeverisur për 4 vjet. Me një program më të mirë se sa e kishim. Me një kapacitet vetëkorrigjues për të shmangur shumë nga aspektet jo të mira, domethënë nga gabimet apo defektet që u shfaqën në këto katër vjet, për të qenë vërtetë ajo forcë politike që e ka në program Partia Demokratike.

Ju mendoni që 2009 do të jetë një votë pro apo kundër?

Është shumë shpejt, të shohim, sepse kemi një opinion publik që lëviz me një shpejtësi më të madhe, që ndryshon me një shpejtësi më të madhe se në vende të tjera me demokraci të stabilizuar, por unë shpresoj se nuk do të kemi një votë kundër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›