E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbipopullimi në burgje, Komiteti i Helsinkit jep alarmin

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Katër prej institucioneve të vuajtjes së dënimit në vend nuk plotësojnë as kushtet minimale. Mbipopullimi në qeli regjistron shifra rekord, gati dy herë mbi kapacitetet. Ndërkohë që kushtet në qeli konsiderohen si të veshtira. Këto janë disa nga konkluzionet që ka nxjerrë Komiteti Shqiptar i Helsinkit pas një inspektimi në katër prej institucioneve të vuajtjes së dënimit në vend. Në fokus të vëzhgimit ka qenë burgu i grave, burgjet e sigurisë së lartë në Tiranë si dhe burgu i Fushë-Krujës dhe ai i Shënkollit. Në të gjithë institucionet është vërejtur mbipopullimi dhe ndërtesat e armortizuara ku mbahen të izoluar të dënuarit.
Inspektimi
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), kreu vëzhgime në Institucionin e Paraburgimit ”Jordan Misja” dhe Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ”Ali Demi”, seksionet e femrave gjatë periudhës 3 – 11 nëntor 2008. Ndërsa qëllimi i vëzhgimit ishte monitorimi i respektimit të të drejtave të femrave të ndaluara dhe të dënuara. Në raportin përfundimtar citohet se, nisur nga të dhënat e marra dhe nga konstatimi në terren, u vërejt mbipopullim alarmant në regjimin e femrave, Ali Demi, pothuajse dyfishi i kapacitetit. Ndërsa në institucionin e paraburgimit “Jordan Misja”, seksioni i grave, në krahasim me kapacitetin ishte i njëjtë, por mbyllja e një prej dhomave për shkak të lagështirës krijonte mbipopullim. Në dhomat e paraburgimit qëndronin 6–8 femra në dhoma, kur kapaciteti ishte 4–6, duke bërë kështu fjetjen e dy femrave në një krevat.
Ndërsa në lidhje me kushtet e dhomave të paraburgimit dhe të institucionit të vuajtjes së dënimit lënë për të dëshiruar në drejtim të amortizimit të godinave në tërësi. Ndërtesat janë të vjetra dhe nuk përmbushin standardet minimale të kërkuara. Problem kryesor mbeten kushtet jo të mira higjieno-sanitare në mjediset e brendshme dhe lagështira në dhoma dhe në tualete. Flagrante ishin kushtet e tualeteve në seksionin e femrave në paraburgimin “Jordan Misja”, ku vihej re jo vetëm amortizimi i tyre, mungesa e dyerve, por edhe kryerja e të gjitha veprimeve në një tualet vetëm me ndarje gjysmë muri, duke përbërë kështu shkelje të të drejtave të personave të paraburgosur. U konstatuan probleme me ujin e pijshëm dhe me energjinë elektrike, e cila ndërpritej disa herë gjatë ditës. Nga ana e institucionit të vuajtjes së dënimit “Ali Demi” ishte zgjidhur me vendosjen e një gjeneratori, i cili ishte i kushtueshëm. Për sa i përket normës ushqimore, ajo në përgjithësi respektohej në të dy institucionet, por u konstatuan disa mangësi lidhur me organizimin e brendshëm.

Lidhur me shërbimin shëndetësor, ai sigurohej 24 orë në institucion nga personeli i mesëm. Në IEVP “Ali Demi” nuk u konstatua mungesë medikamentesh. Problem shqetësues mbetet moskryerja e vizitave gjinekologjike nga ana e mjekut specialist ku, sipas një aktmarrëveshjeje me ASHR dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, një mjek gjinekolog duhet të bënte së paku një herë në javë vizita të specializuara.
Në IEVP “Ali Demi” qëndronin 5 të dënuara me çrregullime mendore si dhe shumë nga të dënuarat kishin probleme kronike (kardiake). Në institucione u konstatua mungesa e një psikiatri, i cili në IEVP “Ali Demi” zhvillonte vetëm një herë në muaj konsulta me të dënuarat që paraqitnin çrregullime mendore.
Mjekimi
Lidhur me kujdesin psiko-social dhe edukativ si në paraburgim ashtu dhe në institucionin e vuajtjes së dënimit zbatoheshin programe të ndryshme sipas planeve të hartuara në bazë të nevojave si dhe ato ndiqnin kurse të ndryshme profesionale dhe mësimore, si kurs anglishteje, kompjuteri, rrobaqepësi, parukeri, etj. Për sa i përket së drejtës së ajrimit, ajo respektohej por në institucionin “Ali Demi” u konstatua se ambientet ku bëhej ajrimi ishin të pambuluara duke venë në vështirësi realizimin e së drejtës së ajrimit në rastet kur kushtet atmosferike janë të këqija. Gjatë monitorimit në institucionin e paraburgimit “Jordan Misja” u vu re se kishte probleme me rastet e femrave, të cilat kishin marrë një vendim të formës së prerë dhe pavarësisht daljes së urdhrit të prokurorit, nuk ishin transferuar. Gjatë shqyrtimit të dosjeve dhe kontakteve me të paraburgosurat dhe të dënuarat rezultoi se ato kishin qëndruar disa ditë në komisariate të ndryshme si dhe këqyrja e tyre ishte kryer nga personel jo femër, duke shkelur kështu një ndër parimet kryesore.
Burgu i Fushë-Krujës
Edhe pse ka më pak se një vit që ka filluar së funksionuari, në burgun e Fushë-Krujës janë konstatuar probleme. Gjatë momentit të vëzhgimit ishin 39 persona mbi kapacitetin normal. Disa dhoma në regjimin e sigurisë së zakonshme ishin të mbipopulluara, ku nga 4 persona kapaciteti normal, ndodheshin 4 – 7 persona. Për vetë faktin që burgu i Fushë-Krujës është një institucion i ri, ambientet e brendshme dhe të jashtme të tij paraqiteshin relativisht të mira, dhoma me dritë natyrale dhe me dritare të mëdha, me tualete në dhomë si dhe pajisje të tjera të nevojshme për jetesën. Por pavarësisht nga kjo, u paraqitën disa probleme.
Kryesisht dhomat e katit të parë dhe dhomat e veçimit ishin me lagështirë. Kishte mungesë të ujit të rrjedhshëm gjë që kushtëzonte respektimin e normave të higjienës. Dushet ishin jashtë funksionit, çka kondiciononte larjen me ujë të ftohtë.
Në ambientet e ajrimit mungonin tualetet për të dënuarit. Në rast të kushteve të këqija atmosferike pengohej ushtrimi i së drejtës së ajrimit, pasi mungonin ambiente të mbuluara.
Burgu i Shën-Kollit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), kreu vëzhgime në IEVP Shën Koll Lezhë, në seksionin e sigurisë së zakonshme dhe atë të paraburgimit. Gjatë vëzhgimit u monitoruan aspekte të tilla, si: infrastruktura, kushtet e jetesës në institucion, kujdesi social dhe edukativ, shërbimi shëndetësor, takimet e personave të paraburgosur dhe të dënuar me familjarët, mekanizmi ankesë–kërkesa si dhe u morën takime me personat e dënuar. Në IEVP Shën Koll Lezhë u konstatua ndarje në godina të veçanta sipas regjimeve, siguri e zakonshme, paraburgim si dhe një seksion i veçantë ku qëndronin 10 të mitur. Gjatë momentit të vëzhgimit, u vërejt mbipopullim në regjimin e paraburgimit, 50 persona mbi kapacitetin normal të regjimit. Kjo u vërejt dhe në disa dhoma, në të cilat ndodheshin persona mbi kapacitetin normal. Në seksionin e të miturve kryesisht respektohej kapaciteti për dhomë, pasi ishin vendosur 2–4 persona në dhomë. Nga vëzhgimi i ambienteve të brendshme dhe të jashtme të institucionit u konstatua se dhomat ishin me dritë natyrale dhe me dritare të mëdha, kishte tualete me dushe dhe ujë të rrjedhshëm. Pavarësisht nga sa më sipër, kishte probleme, si: mungesë të mjeteve të nevojshme për fjetje (çarçafë dhe batanije) të cilat siguroheshin kryesisht nga familja; amortizim i dyshekëve dhe krevateve, madje dhe dalje jashtë funksionit të tyre; mungesa e tualeteve nëpër dhoma; mungesa e ambienteve të mbuluara për të ushtruar të drejtën e ajrimit në rast të kushteve të këqija atmosferike.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›