Policia në Vlorë e Sarandë/ Dy operacion antidrogë, 6 persona të arrestuar

Policia e Vlorës ka zhvilluar dje dy operacione kundër trafikimit të lëndëve narkotike, të koduara “Tregu i vetmuar” dhe “Kundërpërgjigja e parë”, bëri të ditur drejtori i Drejtorisë së policisë së Qarkut të Vlorës, Vehbi Bushati,
Bushati bëri të ditur dje gjatë një konference shtypi, se policia ndaloi 36-vjeçarin nga Vlora, Aleksandër Kaçaj, të cilit iu sekuestruan 65 doza lënde narkotike heroinë, që do të shitej në tregun e brendshëm. Ai u ndalua para godinës së një prej shkollave të qytetit, në kuadrin e operacionit “Tregu i vetmuar”. Gjatë kontrollit atij iu gjetën 14 doza lëndë narkotike heroinë, të cilat po tentonte t’i shpërndante. Bushati bëri të ditur se në banesën e 36 vjeçarit u gjetën edhe 51 doza të tjera me heroinë.
Në konferencën e shtypit Bushati bëri të ditur gjithashtu se, në vendin e quajtur “Qafa e Saronesë”, në rrugën mes fshatrave Pllakë e Xarrë (Sarandë), efektivat e policisë së Qarkut të Vlorës dhe ato të komisariatit të Sarandës, bllokuan 286.1 kilogramë kanabis sativa dhe u arrestuan në flagrancë 5 të dyshuar si të përfshirë në trafikimin e kësaj sasie, e cila kishte si destinacion Greqinë.
Për këtë sasi janë arrestuar 29-vjeçari, Aleksandër Draçi, 32-vjeçari, Fetah Muhameti, 42-vjeçari, Arben Tahiraj, 51-vjeçari, Lavdërim Tozo, 42-vjeçari, Gramoz Tahiraj, të gjithë banues në rrethin e Delvinës. Arrestimi u bë në kuadrin e operacionit të koduar “Kundërpërgjigja e parë”, rezultat i një hetimi një-mujor, në përfundim të të cilit u bllokuan dhe u sekuestruan edhe dy automjete që përdoreshin për trafikimin e lëndës narkotike drejt Greqisë.
Gjatë këtij operacioni u bllokuan edhe një armë automatike model 56, një krehër me 22 fishekë, 5 aparate celulari dhe 30 mijë lekë.
Pesë të arrestuarit akuzohen për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim, prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake dhe municioneve pa leje.
...